Paris Saint Germain po përgatitet për t’u hedhur në sulm për Paul Pogba. Sigurisht jo tani, në janar, por në merkaton e verës. Janë të sigurt në Francë, ku ngulmojnë se klubi i sheikut Naser Al Khelaifi, është gati të bëjë një sforco të madhe ekonomike për t’i rrëmbyer Juventusit djaloshin e artë. 75 milionë euro do të jetë baza e ofertës së kampionëve të Francës, por PSG nuk është i vetmi klub i madh europian që dëshiron shërbimet e 21-vjeçarit.
Manchester United, Manchester City, Real Madrid madje edhe Chelsea po e monitorojnë me shumë kujdes situatën dhe do të tentojnë me të gjitha mënyrat për të siguruar shërbimet e mesfushorit të përfaqësueses franceze.
Në Francë sigurojnë se Pogba është pikënisja e një mini-revolucioni që do të karakterizojë Paris Saint Germain në fund të sezonit. Do të largohen Edinson Cavani, Ezequiel Lavezzi, Thiago Motta e Yohan Cabaye, për t’u besuar futbollistëve të tjerë të perspektivës, duke u nisur nga futbollisti i Juventusit. Sipas mediave franceze, PSG po i bën presion Mino Raiolës, menaxherit të Pogba, për të pranuar propozimin e Al Khelaifit.
Në fakt mesfushori ka rinovuar kontratën vetëm pak kohë më parë, ndaj Juventusi vështirë të pranojë të hyjë në bisedime nëse shifra që mund t’i ofrohet nuk është marramendëse. 75 milionë euro mund të konsiderohet e tillë, ndaj Juventusi nuk mund të qëndrojë indiferent, aq më tepër që mund ta shndërrojë interesimin ndaj Pogba në një lloj ankandi, ku fitues do të dalë ai që ofron më shumë.
