Suedezi vë makinën tërthorazi, duke ndaluar hyrjen e lojtarëve
Pas golit fantastik me roveshatë shënuar me Suedinë kundër Anglisë, Zlatan Ibrahimoviç bën sërish të flitet për të, por tani jo më për talentin në fushë. Bëhet fjalë për një “marrëzi” jashtë futbollit. Sipas gazetës franceze “Le Parisien”, Ibra është nxehur nga refuzimi i drejtuesve të klubit për t’i dhënë një vend parkingu në qendrën stërvitore, rezervuar për stafin teknik. Në shenjë proteste, suedezi e ka vënë makinën e tij tërthorazi në portën e njërit prej parkingjeve të lojtarëve, duke e bllokuar plotësisht hyrjen në të. Ndërkaq, Ibra vazhdon të jetojë në hotel, pasi ende nuk i është mbushur mendja për të blerë shtëpi. Duket se po merr sërish në konsideratë të marrë një apartament në Avenue Montaigne, pikërisht aty ku në gusht gruas së tij, Helena Seger, iu grabitën pesë mijë euro.