Paris SG i është bashkuar garës për të nënshkruar me mesfushorin portugez Renato Sanches, sipas “Record”.
E përditshmja e Lisbonës shkruan se 19-vjeçari – i cili luajti në “Euro 2016”, duke shënuar kundër Polonisë në çerekfinale nuk e ka bindur trajnerin e Bayern për t’i dhënë një vend titullari në “Allianz Arena”.
Në sezonin që u mbyll mesfushori portugez ka zbritur në fushë vetëm në 6 ndeshje si titullar në kampionat ndërsa në total ka grumbulluar 17 takime në Bundesligë por pa arritur ta gjejë rrugën e rrjetës. Gjërat nuk kanë shkuar mirë për 19-vjeçarin që iu bashkuar Bayern-it një sezon më parë për 35 mln euro, megjithatë ai ka tërhequr interesin e United dhe Barcelona-s.
Gjithashtu është raportuar se PSG është futur në garë me Djajtë dhe katalanasit, por duket sikur Bayern nuk do ta lërë të lirë për 35 milionë euro, por do të kërkojë më shumë.
“Diario Gol” të hënën raportoi se 19-vjeçari preferon një lëvizje në “Camp Nou”, pavarësisht faktit se Jose Mourinho ka ardhur duke trokitur përsëri në derën e tij. Sanches shpërtheu në skenë ndërkombëtare në sezonin 2015-2016, duke shkuar nga akademia e Benfica-s për të luajtur 24 ndeshje në kampionatit dhe duke shënuar dy gola me “shqiponjat” që fituan titullin kampion në Portugali.
