Në Doha të Katarit, skuadra e Mancinit u mund 1-0 nga PSG, në miqësoren e luksit para fundit të vitit. Ndeshja u vendos nga goli i 18-vjeçarit Jean-Kevin Augustin.
Interi vuajti jo pak në pjesën e parë me Ibrahimovic dhe Verrattin që ishin pranë avantazhit. Goditja e fuqishme e suedezit me të majtën në minutën e 12-të u neutralizua me një ndërhyrje të mrekullueshme të Handanovic.
Rasti më i mirë i Interit u krijua në minutën e 17-të, me Montoyan që u fut në zonë dhe goditi, por gjeti gati portierin Trapp.
Më pas ishte vetëm shtylla që shpëtoi zikaltërit në minutën e 28-të në tentativën e Verrattit, me PSG që gjithsesi gjeti golin e fitores në minutën e 44-t, kur Augustin nuk gaboi vetëm për vetëm me Handanovic.
Ishte goli që vendosi ndeshjen, pasi në pjesën e dytë ku pati zëvendësime të shumta rezultati nuk ndryshoi me Trapp që i tha jo tentativës së Jovetic në minutën e 49-të, ndërsa në të 82-tën goditja fluturimthi e Nagatomo u devijua në këndore.
