“Puç” Flamurtarit, shpërthen Gjika

anazapta

Presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, ka shpërthyer kundër Laçit e Bylisit, të cilët janë kualifikuar në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, duke lënë jashtë skuadrën vlonjate. Kuqezinjtë fituan 3-0 kundër Teutës, por fitorja 3-2 e Laçit bëri që të kualifikoheshin dy skuadrat e tjera. Të treja e përfunduan grupin çerekfinale me nga 12 pikë dhe në kuotë të barabartë pikësh midis tyre, por me golaverazh më të mirë Flamurtari eliminohet. Gjika e ka cilësuar si të pritshëm rezultatin e Laçit dhe ka folur me tone tepër të ashpra, duke i cilësuar si “karagjozë” dhe “turpi i futbollit shqiptar” klubet kundërshtarë. “E dinte e gjithë Shqipëria që do të përfundonte me rezultatin 3-2 dhe unë gjej rastin të hedh poshtë me neveri këta skenarë, të cilët kanë rrënuar, madje e kanë kthyer në një gangrenë futbollin shqiptar””, deklaroi Gjika. “Sot (dje) ka qenë një ngjarje shumë e dhimbshme dhe jo vetëm se është dëmtuar Flamurtari, sepse publiku u kënaq me një fitore 3-0 në një ndeshje të luftuar dhe korrekte, ndaj një Teute që ne do ta presim dhe në fundjavë për kampionat, por ajo që më shqetëson dhe dua të përcjell është pikërisht që ndeshja në Laç ka qenë e bërë në mënyrën më të turpshme dhe më karagjoze. Pra, këtu mund të investosh, mund të paguash, mund të luash ndershëm, por ngrihen 2-3 karagjozë dhe bëjnë gjëra të tilla që realisht janë të turpshme. I hedh poshtë me neveri të trija këto ekipe, i përbuz, duke filluar nga Teuta, Bylisi e Laçi, të cilët janë turpi i futbollit shqiptar”. Gjika ka shtuar se vetëm hetimi i mundshëm i FSHF-së është i pamjaftueshëm dhe se duhet të ndërhyjë patjetër prokuroria. “Zgjidhja është që Laçi me Bylisin duhen denoncuar jo vetëm në organet e FSHF-së, por edhe në organet e Prokurorisë. Nëse vërtet ka një ligj për “këmbët e pastra”, kjo është një ndeshje që i ka të gjitha parametrat për t’u hetuar e për t’u ndëshkuar. Dihej botërisht që do të përfundonte 3-2 dhe ashtu ndodhi. Ndaj dhe duhet që organet e Prokurorisë të marrin masat ndëshkimore për të dy këto ekipe, që vulosën një tjetër njollë të errët në futbollin shqiptar”. Në ndeshjen e luajtur në Laç, Bylisi e mbylli në epërsi të dy golave pjesën e parë, por në të dytën vendasit përmbysën gjithçka. Pas golave të Emurllait e Çelës në minutat 48 e 49, ishte Vucaj, në të 93-tën, ai që prishi ekuilibrin dhe i çoi në gjysmëfinale të dyja skuadrat. Deri në ato momente kalonin Bylisi me Flamurtarin.

Në Grupin A, Skënderbeu fitoi në Kukës 3-2, ndërsa Kastrioti në Peqin, me Shkumbinin, 2-0. Të dy takimet ishin të parëndësishëm. Shorti i gjysmëfinaleve do të jetë i lirë dhe ndeshjet do të luhen më 3 e 17 prill.

 

 

Share This Article
2 Comments
  • Beje nje kupe sipas mendjes tene ashtu sic festove 100 vjetorin e pamvarsise me Ramen,Qosen dhe Wisnerin more Halabak Gjika

  • Futbolli shqiptar eshte nje rrugaçeri klasi qe serviret i mbeshtjelle me nje ambalazh te çare.
    Histori alabakesh qe i jane turrur futbollit. Shiko shumicen e presidenteve te ekipeve dhe gjyko pastaj per ate qe luhet ne fusha qe nuk jane aspak te tilla.
    U ka rene ne pjese gjithe atyre qe kerkojne futboll te pastert.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *