Puçi ushtarak për rrëzimin e Enverit, si bashkëpunuan Mehmet Shehu, Beqir Balluku dhe Kadri Hazbiu

anazapta

Gjyqi i Kadri Hazbiut. Seanca 25

 

Fiqret Shehu:’Mbledhja për puçin ushtarak u bë në shtëpinë time. Në atë takim, përveç Mehmetit, Beqirit e Kadriut, merrnin pjesë dhe gjeneralët Petrit Dume e Hito Çako!’

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Në seancën e 25-të të gjyqit maratonë, i pandehuri Kadri Hazbiu dhe bashkëpunëtorët e tij të vënë në pranga për ‘Tradhti ndaj Atdheut’ japin shpjegime për akuzën e bashkëpunimit me ‘Grupin puçist në ushtri’, në funksion të rrëzimit të pushtetit politik e të Enver Hoxhës. Sipas prokurorit Rrapi Mino dhe kryetarit të çështjes gjyqësore Aranit Çela, kjo akuzë mbështetet në prova, dosjen hetimore, dëshmitë e grumbulluara, deponimet e të pandehurve. Ndër deponimet e të pandehurve, akuza veçon atë të Fiqret Shehut, e cila pohon se ’Mbledhja për puçin ushtarak u bë në shtëpinë time. Në atë takim, përveç Mehmetit, Beqirit e Kadriut, merrnin pjesë dhe gjeneralët Petrit Dume e Hito Çako!’. I ndodhur përballë provave të sjella në gjyq, Kadri Hazbiu, i tensionuar, përpiqet të argumentojë të kundërtën. Veçanërisht, përballë deponimit të Fiqret Shehut për takimin në shtëpinë e saj për detajet e puçit ushtarak, ai nuk mund të përmbajë veten e shpërthen dhe kundër prokurorit e trupit gjykues. “Ju keni arritur deri aty sa merrni për bazë shpifjet e një provokatoreje, Fiqret Shehut, që është një armike e betuar. Ajo shpif në mënyrë kategorike për diçka që unë s’kam qenë dhe s’jam marrë në atë kohë, me fortifikimin. Për sa u përket këtyre dokumenteve, unë them të shikohen integralisht…” -pohon mes të tjerave i akuzuari Kadri Hazbiu…  

Seanca e 25

Kryetari(Aranit Çela): -I pandehuri Kadri Hazbiu! Akuzoheni se nuk keni marrë asnjë masë për zbatimin e vendimit të Byrosë politike të datës 25.2.1982 për krijimin e Komandës së Përgjithshme të Forcave të Armatosura.

Kadriu:- Mbi propozimin tim është bërë kjo. Unë kur kam vajtur në Ministrinë e Mbrojtjes jam çuditur dhe i kam thënë tradhtarit Mehmet Shehu, more, po kush është Shefi i Shtatmadhorisë, se flasim Shefi i Shtabit të Përgjithshëm. I thashë, kush është? I thashë më pas se është një gjë e pa kuptimtë kjo situatë… Dhashë porosi të sqarohet e të projektohet se ç’është Komanda e Përgjithshme dhe kush hynë në Shtatmadhori… Kuadrot që dinin rusisht nxorën se ç’ka thënë Stalini, ç’ka thënë Zhukovi për këtë, ç’ka thënë Vasilievi për këtë e njërën e tjetrën, për të krijuar një ide… Nga këto mendime arritëm në konkluzion që të përcaktohet Shtabi i Përgjithshëm dhe Komanda e Përgjithshme… Ja kam relatuar pastaj Komandantit Suprem…

Ndihmësgjyqtari: -Unë të pyes drejt: Është dhënë urdhër kur keni qenë ju i pandehur ministër i Mbrojtjes që të fillohet fortifikimi, që të mos bëhet sipas rregullit, por të fillohet nga lart poshtë…

Kadriu: -Brenda rajonit të batalionit po. Nuk kam dhënë urdhër ndryshe…

Prokurori(Rrapi Mino): -Në urdhrin nr. 19 datë 25.3.1981 thuhet: Ndalohet kategorikisht fortifikimi i rajoneve të mbrojtjes nga poshtë lart. Fortifikimi do bëhet nga lart poshtë.. Çdo shkelje dënohet rëndë deri në ndjekje penale. Domethënë, kush bën këtë që nuk e fillon nga lart poshtë, vajtka në gjyq… Ju s’vepruat kështu…

Kryetari: -Teoria armiqësore e rrëshqitjes, mban rrëshqitje kjo..

Kadriu: -Jo, nuk mban erë rrëshqitje…

Kryetari(Aranit Çela): -Lidhur me lidhjet e të pandehurit Kadri Hazbiu me Beqir Ballukun, me grupin puçist në ushtri… Keni ndonjë pyetje shoku prokuror?

Prokurori(Rrapi Mino): -Po kemi. E nisim me një dokument… Ka një dokument atje në ministrinë e Mbrojtjes që e ke miratuar ti i pandehur Kadri Hazbiu për prodhimin e linjës së konstruksioneve, për përshtatjen e  traktorit “DT-75” në mjet të blinduar. Ke ndonjë vendim të Këshillit të Mbrojtjes për këtë?

Kadri Hazbiu: -Vendim të Këshillit të Mbrojtjes nuk ka. Por kjo linjë, kur kam vajtur unë, ishte projektuar, ishin blerë veglat, ato makineritë, ishte bërë ndërtesa, njërën e tjetrën. Edhe aktin përfundimtar e kam firmosur unë për prodhimin e tij…

Prokurori(Rrapi Mino): -Po mirë, me miratimin tënd si ministër do të bëhej kjo apo me miratimin e Këshillit të Mbrojtjes?

Kadriu: -Unë e dija se është miratuar nga Këshilli i Mbrojtjes. Dhe duhet të jetë atje një dokument kur unë i kam bërë Udhëheqësit(Enver Hoxhës) një shënim  që linja është krijuar, është gati, duhet të prodhojë blindazhe për kaq traktorë, pra një sasi të caktuar. Ai vë shënimin: ’Shihni mirë numrin e traktorëve edhe të bisedojmë’. Ja kam lënë aktin ministrit të ri që e mori në dorëzim…

Prokurori: -Po a e di se del që ky projekt nuk ka qenë me leverdi dhe e dyta, nuk ka asnjë miratim nga Këshilli i Mbrojtjes?

Kadriu: -Unë nuk e di kush e ka miratuar këtë, unë e kam gjetur…

Prokurori(Rrapi Mino): -Të gjitha këto, janë veprimtari armiqësore, sabotim në dëm të mbrojtjes së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Po mua, mbi të gjitha më tërheq vëmendjen bashkëpunimi i të pandehurit Kadri Hazbiu me puçistët dhe natyrisht me kryetarin e organizatës kundër revolucionare, tradhtarin Mehmet Shehu. Për këto arsye:

Së pari, këtu dalin edhe lidhjet direkt midis të pandehurit Kadri Hazbiu me tradhtarin Beqir Balluku. Se ashtu siç e trajtonin puçistët atje këtë problemin e teorisë së rrëshqitjes, me qëllimet që të linin vendin pa mbrojtje dhe të iknin tutje maleve. Po në këtë mënyrë trajtohet edhe nga urdhri nr. 19 datë 25.3.1981 që ka dhënë i pandehuri Kadri Hazbiu. Tani, është i afërt ky urdhër dhe ka të njëjtën përmbajtje. Tani, këto dy urdhra, nuk bien në kundërshtim me Kërkesat e Artit Ushtarak mbi Luftën popullore, i cili kërkon që fortifikimi të fillojë nga vija e parë në thellësi dhe nga e thjeshta, tek e komplikuara? Ne themi se po. Sepse kështu na mësojnë dokumentet e Partisë, sepse kështu na mësojnë porositë e shokut Enver, sepse kështu na mëson Arti jonë Ushtarak…

Tjetër lidhje. Lidhje gjendet edhe në drejtimin tjetër, me Mehmet Shehun. Kur kanë shkuar i pandehuri Kadri Hazbiu bashkë me të pandehurin Feçor Shehu që i kanë çuar aktin e akuzës tradhtarit Mehmet Shehu në Durrës, e ka lënë një çështje të veçantë këtë problemin e teorisë së rrëshqitjes. Pse ndodhte kjo? Pse ishte autori i teorisë së rrëshqitjes, domethënë asaj teorie që e linte vendin pa asnjë mbrojtje, që e kishte filluar tradhtari Mehmet Shehu dhe e vazhduan puçistët Beqir Balluku, Hito Çako e Petrit Dume. Dhe më pas, u duk sikur u shkatërrua kjo tezë.  Mirëpo, e vërteta qëndron krejt ndryshe. Se këtë e vazhdon edhe më pas tradhtari Mehmet Shehu, e vazhdon në të njëjtën kohë si pasuesi i tij edhe i pandehuri Kadri Hazbiu. Siç na del plotësisht nga dokumentet dhe në këtë drejtim, mua më duken shumë logjike dhe shumë të besueshme shpjegimet që ka dhënë armikja Fiqret Shehu. Lidhur po me këtë problem, me qëllimin e rrëshqitjes, janë mbledhur dikur -thotë Fiqreti -dhe i kam gjetur në shtëpi edhe Beqir Ballukun, Petrit Dumen, Hito Çakon dhe Kadri Hazbiun. Ajo thotë se pasi kishin parë disa pozicione, pikërisht po diskutonin teorinë e rrëshqitjes, se lufta nuk bëhet në fushë, por do luftohet në male… Prandaj, shoku kryetar, unë arrij në konkluzionin që kjo është një veprimtari armiqësore e mprehtë, therëse dhe jashtëzakonisht e rrezikshme për mbrojtjen e vendit tonë, e cila është vazhduar me konsekuencë dhe nga i pandehuri Kadri Hazbiu.

Kadriu: -Më falni, i nderuar kryetar. Nuk dua të ashtu…, por dokumentet duhet të flasin. Prokurori ka mendimin e tij. Unë s’kam qenë kurrë në kampin e Beqir Ballukut, Hito Çakos, Petrit Dumes dhe puçistëve të tjerë në teorinë e rrëshqitjes. Edhe nuk mjafton të kapemi vetëm në një shprehje, që thotë Feçor Shehu, që tha kështu… Kam dhënë shpjegime për këtë se si ishte çështja e aktakuzës. Ju keni arritur deri aty sa merrni për bazë shpifjet e një provokatoreje, Fiqret Shehut, që është një armike e betuar. Ajo shpif në mënyrë kategorike  për diçka që unë s’kam qenë dhe s’jam marrë në atë kohë, me fortifikimin. Për sa u përket këtyre dokumenteve, unë them të shikohen integralisht…

Kryetari: -Një herë të kesh parasysh këtë që këtu je para trupit gjykues edhe përpara prokurorit. Ne kemi të bëjmë me të pandehur. Dhe me të pandehur, të fisshëm e të pa fisshëm, nuk ka. E se pse nuk pranon ti, ajo pak rëndësi ka…

Ndihmësgjyqtari:- Para dy ditësh, në seancat gjyqësore, ju thamë për atë që del në materiale, për atë konsultën që ju thoni në Durrës, për përgatitjen e  kuadrove kryesore të ushtrisë … Ama, u bë në shkallën e dytë të luftës popullore…

Kadriu:- Po, ishte në program…

Kryetari:- Po ishte në program! Çdo të thotë kjo? Do të thotë kjo , ju e kuptoni çdo të thotë shkalla e dytë e luftës, domethënë, pushtimi i Shqipërisë…

Kadriu:- Po njihet mo, ka një kapitull të tërë….

Ndihmësgjyqtari:- Kam edhe ato që thotë prokurori i Përgjithshëm, që e kupton apo jo, megjithëse u kundërshtua nga gjithë kuadrot e ushtrisë, prap se prap, ju, ishit ministër dhe urdhëruat që të bëhet ajo stërvitje…

Kadriu:- U kundërshtua pasi u konsultuam more i nderuar ndihmësgjyqtar. Pasi u konsultuam në Durrës, u kundërshtua. Dhe pas nxitjes që kam bërë unë, e kështu është, pasi unë lexova fjalën e Udhëheqësit të Partisë. E vërteta është kështu.

Kryetari:- Ju të pandehur, keni ndonjë pyetje?

Mihallaq Ziçishti:- Ai, Kadri Hazbiu, i mohoi të gjitha këtu…

Kryetari:- E po, mirë, i mohoi ai. Ka punën e tij ai… Pse duhet t’i bësh pyetje ti që t’i pranoj ai?

Mihallaqi:- Jo vetëm në mbrojtje, jo… Vrasjet për të forcuar peshimin e një bashkëpunëtori  e me një tjetër, me urdhër të kujt janë bërë?

Kryetari:- Dy raste, thotë, janë bërë me urdhrin tim….

Kadriu:- Me propozimin tim. Këto dy di unë….

Mihallaqi:- Edhe të tjerat janë bërë, me sa di unë…

Kadriu:- Po ti di shumë gjëra xhanëm!

Kryetari:- Po ai i di, pasi ka qenë zëvendësi i parë…

Kadriu:- Po atëherë, pse nuk thotë i bëri Mihallaq Ziçishti, i aprovoi! Por i paskam aprovuar unë?!

Mihallaqi:- Po edhe unë kam ardhur në dijeni….

Kryetari:- Tjetër pyetje, çfarë ke?

Mihallaqi:- Edhe një herë për çështjen e hetuesisë në vartësi të Drejtorisë së Parë, është shkelje kjo? Këto janë bërë në kuadrin e veprimtarisë armiqësore të kryesuar nga Mehmet Shehu, një nga anëtarët e së cilës(organizatës)  ka qenë edhe Kadri Hazbiu. Për sa i përket vënies së pushtetit prapë, e kemi diskutuar edhe më parë. Pra, vënia e agjenturës në pushtet, dhe e kemi hequr…

Kadriu:- S’është e vërtetë, ti llafe mund të thuash.

Mihallaqi:- Është hedhur poshtë ngjarja e agjenturës në pushtet edhe në këto….

Kryetari:- Mirë Mihallaq Ziçishti, ke tjetër pyetje?

Mihallaqi:- Kjo djegia e dosjeve pas shkurtimit të organikave, është lënë kështu, të bëhet që kush të mundë?

Kadriu:- Dhashë shpjegime edhe këtu, edhe në proces dhashë shpjegime……. (Vijon nesër)

 

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

 

SOM 1

“Autori i teorisë armiqësore të rrëshqitjes ishte tradhtari Mehmet Shehu. Atë e vazhduan puçistët Beqir Balluku, Hito çako e Petrit Dume. Dhe më pas, u duk sikur u shkatërrua kjo tezë. Pra, këtë teori që e nisi tradhtari Mehmet Shehu, e vazhon në të njëjtën kohë si pasuesi i tij edhe i pandehuri Kadri Hazbiu. Kjo del plotësisht nga dokumentet dhe deponimet e armikes Fiqret Shehu. Fiqreti denoncon se i ka gjetur në shtëpinë e saj me Mehmetin, Beqir Ballukun, Petrit Dumen, Hito Çakon dhe Kadri Hazbiun… Prandaj, shoku kryetar, unë arrij në konkluzionin  që kjo është një veprimtari armiqësore e mprehtë, therëse dhe jashtëzakonisht e rrezikshme për mbrojtjen e vendit tonë, e cila është vazhduar me konsekuencë dhe nga i pandehuri Kadri Hazbiu”

 

SOM 2

“Më falni i nderuar kryetar. Dokumentet duhet të flasin. Prokurori ka mendimin e tij. Unë Kadri Hazbiu s’kam qenë kurrë në kampin e Beqir Ballukut, Hito Çakos, Petrit Dumes dhe puçistëve të tjerë në teorinë e rrëshqitjes. Edhe nuk mjafton të kapemi vetëm në një shprehje, që thotë Feçor Shehu, që tha kështu… Kam dhënë shpjegime për këtë se si ishte çështja e aktakuzës. Ju keni arritur deri aty sa merrni për bazë shpifjet e një provokatorie, Fiqret Shehut, që është një armike e betuar. Ajo shpif në mënyrë kategorike  për diçka që unë s’kam qenë dhe s’jam marrë në atë kohë, me fortifikimin.  Për sa u përket këtyre dokumenteve, unë them të shikohen integralisht e të mos fajësohem kot”

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Dëshmia e Rexhep Kollit, ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme. Si u organizuan nga Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu prapaskenat e Konferencës së Tiranës dhe kush ishin funksionarët e implikuar në këtë veprimtari.

-Si u sakrifikua Teme Sejko nga Kadri Hazbiu e Feçor Shehu, dënimi dhe eliminimi fizik i tij për ruajtjen e ‘grupit armiqësor të vënë në shërbim të zbulimeve të huaja’, drejtuar nga Mehmet Shehu.

-Rasti i Alush Leshanakut, porositë e Mehmet Shehut dhe ekzekutimi i tij.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *