Një grua ka humbur jetën nga shpërthimi i një granate ditën e djeshme. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Qelëz të rrethit të Pukës dhe rrethanat mbeten ende të paqarta. Policia bën me dije se viktima është Frane Pjetri, rreth 50 vjeçe. Rrethanat e ngjarjes ende nuk dihen, ndërkohë që forcat e policisë kanë shkuar në vendin ku ndodhi shpërthimi. Paraprakisht flitet për një ngjarje aksidentale, ku gruaja ka rënë në kontakt me mjetin luftarak dhe më pas ka humbur jetën. Nuk dihet nëse ajo ka qenë duke mbledhur materiale hekuri për skrap, siç bëjnë shumë banorë të kësaj zone për të mbijetuar, apo granata ishte e fshehur nga familjarët në ndonjë cep dhe aksidentalisht ka rënë në kontakt me të. Të dhënat janë të rezervuara për shkak të largësisë së vendngjarjes dhe do të jenë ekspertët që do zbardhin rrethanat dhe shkaqet. Gjithashtu do hetohet nëse është ndonjë krim i mundshëm. Raportohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të mbrëmjes. Në fshatin Qelëz kanë shkuar forca të shumta të policisë.
