Afro gjysma e punësimit në sektorin privat jobujqësor në Shqipëri është informal.
Sipas Bankës Botërore, për sektorin e ndërtimit punësimi në të zezë arrin në rreth tre të katërtat e totalit. Këto të dhëna tregojnë se informaliteti në tregun e punës në Shqipëri ngelet në përmasa alarmante.
Banka Botërore vëren se është e nevojshme të forcohet kapaciteti i familjeve shqiptare për gjenerimin e të ardhurave nga tregu i punës.
Kjo kërkon harmonizimin e ofertës për punë me nevojat e tregut për krijimin e vendeve formale të punës, zhvillimin e aftësive të nevojshme për rritjen e produktivitetit, për të tërhequr investime dhe për të zgjeruar aksesin në mundësitë e punësimit me pagesa më të mira.
Raporti sugjeron se mes pengesave kryesore për pasjen e një tregu pune funksional janë mungesa e stimujve dhe pengesat për punësim ndërmjet grave, të rinjve, pakicave dhe grupeve të cenueshme.
Forcimi i cilësisë së kapitalit njerëzor do të çonte në rritjen e përqindjes së punës që kërkon aftësi, duke nxitur kështu produktivitetin nëpërmjet punësimit të një krahu pune më të shëndetshëm dhe me më shumë aftësi. /DITA/
