Puna në Call Center dëmton të rinjtë nga dëgjimi

Ornela

Entela Resuli

Zhurmat, me dhe pa dëshirën tonë, na janë bërë pjesë e pa ndarë e përditshmërisë.

Nëse ke kaluar disa orë të ditës jashtë, momenti kur futesh në shtëpi dhe mbyll derën, të duket sikur ke lenë pas një botë kaotike për sa i përket zhurmave.

Në të gjithë Shqipërinë niveli i zhurmave është jashtë normave të Bashkimit Europian, por Tirana kryeson si qyteti më i zhurmshëm, nga monitorimi i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, ku niveli i ndotjes akustike shkon deri në 80-90 decibel gjatë ditës dhe 60-70 gjatë natës; ndërkohë që normat e Bashkimit Evropian janë 55 decibel gjatë ditës dhe 45 decibel gjatë natës.

Sipas studimeve, zhurmat ndikojnë në sjelljen tonë. Na bëjnë nervoz dhe të humbasim përqendrimin.

Por ka disa profesione që na e dëmtojnë dëgjimin më tepër dhe personat që punojnë në Call Canter, në ndërtim,  ata që punojnë në industritë e renda,  punëtorët e fabrikave të prodhimit të këpucëve, janë ndër pacientët më të shpeshtë te mjeku ORL.

Në datën 3 mars ishte Dita Botërore e Dëgjimit dhe në kuadër të kësaj dite kemi folur me mjeken Otorinolaringologe  pranë Poliklinikës Qendrore, Dr. Anjeza Kuçi.

Doktoreshë Anjeza na tregon më tepër rreth problemeve të pacienteve me dëgjimin dhe sa ndikon profesioni në këtë dëmtim.

 

-Dr Anjeza, sa e dëmton profesioni dëgjimin. E kem fjalën këtu para ata që punojnë në vende të zhurmshme apo që mbajnë kufjet në vesh?

Profesionet, që shoqërohen me zhurmë gjatë procesit të punës, dëmtojnë nervin e dëgjimit. Kjo varet jo vetëm nga intensiteti apo niveli i zhurmës por edhe koha e ekspozimit. Niveli i zhurmës ku fillon dëmtimi i nervit të dëgjimit mund të krahasohet me zhurmën, që prodhon tharësja e flokëve mbi 75 db.

Sa më e madhe koha e ekspozimit ndaj zhurmave të tilla aq më i madh dëmtimi. Shqetësimi ynë është se dëmtimi kronik i nervit të dëgjimit jep dëmtime të parikthyeshme në dëgjim, të cilat kur i diagnostikojmë është e vështirë të na rikthehen prandaj problemet nga ana e pacienteve nuk duhen zvarritur me muaj apo me  vite. Për sa i përket pacienteve, që dëgjojnë me kufje muzike me dëshirën e tyre, volumin e muzikës duhet ta çojnë deri në gjysmën e volumit që prodhon aparati apo edhe smart phone, për të mos patur dëmtime kronike të mëvonshme.

-A i rekomandoni kufjet dhe pse ?

Kufjet nuk i rekomandojmë, se ndonjëherë për të arritur kënaqësi gjatë dëgjimit të muzikës pa kuptuar e ngremë volumin e zërit më shumë se gjysma dhe sidomos kufjet që futen brenda në vesh sepse përveç dëmtimit të nervit të dëgjimit japin edhe infeksione të kanalit të jashtëm të dëgjimit , nga mospastrimi i pjesëve të kufjeve që futen në vesh

-Po ne vetë, sa e dëmtojmë veshin? Sa ndikojnë zhurmat, higjiena e duarve, pastrimi me mjete jo të përshtatshme?

Sigurisht edhe ne e dëmtojmë veshin, nga përdorimi i mjeteve si batonetat e pambukut për ta pastruar që sigurisht nuk duhen përdorur, nga kruarja e kanalit me duar dhe thonj të papastër që grumbullojnë baktere. Ndonjëherë pacientët e ngacmojnë kanalin e dëgjimit me mjete rrethanore si çelësa makinash, kunja dhëmbësh, bishta stilolapsash, që mund të japin dëmtime si akute dhe trauma të menjëhershme si laceracione apo çarje të kanalit të jashtëm të dëgjimit e deri te daullja e veshit, prandaj të eliminojmë këto mjete të rrezikshme për veshin

-Po për ata që punojnë në Call Canter, a janë edhe ata pacient dhe pse kanë problem me dëgjimin?

Për pacientet e rinj që punojnë në call center duhet pasur kujdes në orët e zgjatura të punës që japin lodhje të nervit të dëgjimit nga një përqendrim i gjatë para kompjuterit dhe duke folur gjatë gjithë kohës. Bisedat e përditshme normale nuk e dëmtojnë dëgjimin, por lodhja dhe qëndrimi në ambiente me zhurma, kur në një sallë punojnë shumë vetë mund të japë dëmtime kronike. Në oraret e pushimit duhet të dalin patjetër jashtë, të reduktojnë oraret e zgjatura nëse fillon lodhja, dhimbja e kokës dhe një zhurmë bezdisëse në vesh si dhe të bëjnë konsultë te mjeku ORL nëse zhurma shtohet shumë dhe mund të shoqërohet edhe me marrje mëndsh.

-Çfarë duhet të bëjnë ata që punojnë në ambiente të tilla, Call Canter që të mbrojnë veshët e tyre?

Po na vijnë përditë pacientë të rinj, që pas një pune disa vjeçare në call center dhe shqetësimeve si zhurme në vesh e shoqëruar kjo edhe me audiogramën që tregon matjen cilësore dhe sasiore të dëgjimit dhe në këto raste mund të pasqyrohet me dëmtime të nervit në tonet e larta, kanë kërkuar epikriza nga ne për të ndërruar punë apo për të kaluar në një  sektor pa zhurma.

-A ka nga ata që kanë patur probleme të rënda deri sa janë detyruar ta lënë këtë punë?

E përmenda më lart që, në oraret e pushimit duhet të dalin patjetër jashtë, të reduktojnë oraret e zgjatura nëse fillon lodhja, dhimbja e kokës dhe një zhurme bezdisëse në vesh dhe të bëjnë konsultë te mjeku ORL, nëse zhurma shtohet shumë dhe mund të shoqërohet edhe me marrje mëndsh.

-Përveç Call Centerit, cilat janë profesionet e tjera që e dëmtojnë veshin?

Profesione të tjera janë punëtorët e ndërtimit, punëtorët e industrive të rënda, si ata të minierave apo nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, punëtorët e fabrikave të prodhimit të këpucëve, tezgjahët, rrobaqepësitë me një numër të madh makinash qepëse, oficerët apo qitësit që nuk duhet asnjëherë të harrojnë kufjet sepse zhurma e shkrepjes së armës është më e forta mbi 140 db dhe mund të jetë fatale dhe e parikthyeshme për veshin etj.

-Sipas asaj që ju konstatoni në punën tuaj, cilat janë problemet më të shpeshta të pacientëve me veshin?

Problemet e veshit të pacientët, varen nga stina, nga mosha, profesioni etj. Tek fëmijët problemet më të shpeshta sidomos në stinën e virozave, janë infeksionet e veshit të mesëm, pra të daulles se veshit, kanalit që lidh hundën me veshin dhe shoqërohen me dhimbje, temperaturë, ulje të dëgjimit, rrjedhje veshi, bllokim hundësh, infeksione të bajameve, prezenca e mishit të huaj në hundë etj. Në rastin e më të rriturve, problemet janë përveç infektive edhe të lidhura me profesionin dhe sëmundjet e tjera shoqëruese si hipertensioni, diabeti, problemet e tiroides, spondiloarthrosat e pjesës cervikale të shtyllës kurrizore, ku gjejmë sinusitet, otitet, por edhe sëmundjen Menier apo të veshit të brendshëm, marramendjet, zhurmat në vesh, dëmtimet e nervit të dëgjimit nga mosha.

-Janë më shumë fëmijët apo të rriturit ata që kanë probleme?

Edhe kjo varet nga faktorë të ndryshëm, por ne mjekët ORL kemi paciente nga neonate e deri në brezninë e tretë, deri mbi 90 vjeç.

-Për çfarë ankohen më tepër?

Ndër ankesat kryesore është rënia e dëgjimit e cila mund të vijë që nga bllokimi i kanalit të jashtëm nga hiperprodhueshmëria e dyllit, nga infeksionet akute dhe kronike e deri te sindromi vertiginoz në sëmundjet e veshit të brendshëm që shoqërohen me probleme të dëgjimit dhe ekuilibrit. Zhurma në vesh njëkohësisht shoqëron probleme infektive në rastin e infeksioneve të veshit apo sinuseve, pas viroza, por mund të jetë edhe një shenjë e dëmtimin të nervit të dëgjimit. Dhimbja, që shoqëron infeksionin, por mund të jetë edhe reumatizmale apo edhe migrenoze, apo edhe dhimbje koke nga sinusitis apo infeksionet e sinuseve paranasale.

-Çfarë janë dhe nga se shkaktohen infeksionet e veshit të mesëm?

Infeksionet e veshit të mesëm apo te daulles së veshit mund të jenë pasoje e virozave të zgjatura me bllokimin e hundësh, mbi një jave, me sekrecione të vazhdueshme, dhimbje fyti, vështirësi në gëlltitje pasi infeksioni kalon në vesh nga kanali që lidh hundën me veshin dhe nga fyti.

Te fëmijët e vegjël deri në 5 vjeç kjo ndodh më shpejt dhe më shpesh sepse strukturat anatomike si tubi i Eustakit nuk janë ende të formuara mirë. Arsye tjetër janë rinitet alergjike te personat alergjike me bllokim të vazhdueshme në frymëmarrje nga hunda, mishi i huaj në hundë te fëmijët e vegjël apo bajamet e pas hundës apo nazofaringsit. Te të rrituri mund të jenë sinusitet akute dhe kronike, polipet nazale, deviacioni i perdes së hundës i lindur apo traumatik nga goditjet etj

-Cilat janë pasojat e mosmjekimit të infeksionit në veshit të mesëm?

Nëse infeksionet e veshit të mesëm nuk mjekohen që në moshën pediatrike bashkë me shkakun e tyre ato bëjnë që kur të rritet infeksioni të kronicizohet, daullja e veshit të mbetet e hapur dhe fëmija mbi 14 vjeç apo i rritur t’i nënshtrohet operacioneve të veshit si timpanplastika apo rindërtimi i daulles së veshit. Ju duhet shpjeguar prindërve se një vesh që rrjedh apo kullon nuk është një vesh normal, por një vesh i sëmurë dhe një vesh i thatë është një vesh i shëndetshëm. Duhet mjekuar infeksioni dhe shkaqet si mishi i huaj në hundë, bajamet e zmadhuara, rinitet alergjike etj. Veshi funksionon mire me një hundë që merr fryme lirisht prandaj duhen këshilluar spray nazale për mirëfunksionimin e hundës.

-Me ardhjen e verës a shtohen më shumë ata që vijnë dhe vizitohen për problemet në vesh, pse?

Gjatë stinës së verës shtohen infeksionet e kanalit të jashtëm të dëgjimit apo veshi i notarit. Kjo vjen nga frekuentimi i pishinave jo sterile, ujërave të lumenjve por ndonjëherë edhe nga ujerat e pastra te personat me infeksione kronike të lëkurës se kanalit si ekzemat, dermatitet e kontaktit, reaksionet alergjike nga detergjentet si shampot e flokëve apo të trupi që hyjnë në vesh etj. Rekomandojmë përdorimin e tapave të silikonit, që mbyllin kanalin e jashtëm sa here hyjmë në ambiente me ujë për ata pacientë, që në stinën e verës bëjnë infeksione kronike të kanalit, por edhe për të tjerët sa herë futen në dush dhe kanë problem me ujin. Të thahet veshi me gradacionin e ulet të tharëses sa herë ndiejmë që kemi ujë në vesh pas dushit.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *