Pranvera Kola
Mësuesit e matematikës janë të parët që do t’i nënshtrohen testimit të informatizuar për punësimet e reja në shkollat e arsimit parauniversitar për vitin e ri shkollor 2020-2021. Duke nisur nga dita e nesërme, për tre ditë me radhë, mësuesit e matematikës që janë pjesë e listës së shpallur tashmë nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit duhet të paraqiten për të kryer testimin me alternativa, vetëm në datën dhe orarin e përcaktuar specifikisht për secilin kandidat. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar listën me 331 kandidatët që janë në garë për vendet e lira të punës në shkollat e arsimit të detyruar 9-vjecar, si dhe gjimnaze, ku për secilin prej tyre QSHA ka përcaktuar datën dhe orën konkrete se kur duhet të paraqiten për të zhvilluar provimin.
Pesë janë rregullat që duhet të zbatohen nga mësuesit në ditën e testimit. Në kuadër të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19 dhe në vijim të masave parandaluese të përhapjes së tij, gjatë paraqitjes për pjesëmarrje në testim, kandidati duhet të ketë parasysh dhe të zbatojë këto rregulla: Të paraqitet pranë QSHA-së i pajisur me mjetet mbrojtëse, maskë dhe doreza plastike, të zbatojë ruajtjen e distancës fizike 1,5-2 metër me kandidatët e tjerë, të ketë me vete vetëm dokumentet e kërkuara dhe mjetin e identifikimit, të ketë me vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të testimit, si dhe të mos ketë me vete celularë, çanta dhe sende të tjera personale, të panevojshme në zhvillimin e testimit.
Sikundër është deklaruar edhe më herët, testi do të jetë i strukturuar në dy pjesë. Pjesa e parë përmban pyetjet në njohjen e dokumenteve zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, njohjen e programeve lëndore përkatëse, metodologjinë e mësimdhënies dhe të të nxënit, në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Ndërsa pjesa e dytë përmban përmbajtjen shkencore të lëndës sipas programit orientues përkatës”, vënë në dukje ekspertët e arsimit.
Sipas skemës së përcaktuar, teza e testimit të informatizuar përmban 50 pyetje, përgjigjet e sakta të të cilave vlerësohen maksimalisht me 80 pikë, ndërsa 20 pikë mësuesit i sigurojnë nga vlerësimi i dosjes. Rezultati i këtyre dy treguesve përbën edhe pikët finale të çdo mësuesi në garë. Në këto kushte, kandidatët që kanë siguruar nivelin më të lartë pikëve do të jenë të parët që do të ftohen të zgjedhin vendet e punës, sipas kuotave të lira të raportuara për çdo njësi vendore të arsimit në vend. Kandidatët nuk mund të refuzojnë më shumë se tri vende pune të lira, në tri njoftime të njëpasnjëshme të komisionit. Në rast se kjo ndodh mësuesi hiqet nga lista e renditjes, duke i lënë vendin e përzgjedhjes një tjetër kandidati që ndodhet në vijim të listës.
Pas mësuesve të matematikës, testimet do të vijojnë deri në datën 18 gusht, ku sipas datave të përcaktuara tashmë do të kandidatët e profileve të tjera të mësuesisë, përkatësisht arsimit fillor, atij parashkollor, matematikës, kimisë, fizikës, gjeografisë, edukimit fizik, historisë, gjeografisë, muzikës, gjuhëve të huaja, shkencave sociale, biologjisë, arsim special, artit pamor, gjuhës shqipe dhe letërsisë, si dhe informatikës.
o.j/dita
