Pranvera Kola
Javës së ardhshme nisin testimet për mijëra arsimtarë në të gjithë vendin, të cilët synojnë që nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë” të sigurojnë një kontratë pune në shkollat e arsimit parauniversitar, në profilin për të cilin janë diplomuar. Në testim do të hyjnë vetëm mësuesit që kanë kaluar me sukses fazën e parë të konkurimit, që ishte aplikimi me dosje, për të cilën kanë marrë edhe pikët përkatëse.
Për shkak të numrit të madh të kandidatëve që janë në garë për vendet e lira të punës në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnaze, testimet do të zgjasin për afro dy muaj (24 qershor-18 gusht). Në garë për vendet e lira të punës do të përfshihen mësuesit e arsimit parashkollor, arsimit fillor, matematikës, kimisë, fizikës, gjeografisë, edukimit fizik, historisë, gjeografisë, muzikës, gjuhëve të huaja, shkencave sociale, biologjisë, arsim special, artit pamor, gjuhës shqipe dhe letërsisë, si dhe informatikës.
Kalendari i testimeve për të gjitha profilet
Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka zbardhur tashmë edhe kalendarin me datat se kur do të zhvillojnë testimin mësuesit e secilit profil. Të parët që do të japin provimin e informatizuar në ambientet e kësaj qendre, janë mësuesit e lëndës së matematikës. Për këtë profil është parashikuar që provimet të zhvillohen përkatësisht në datat 24 deri në 26 qershor. Për të vijuar më pas me testimet e mësuesve të arsimit fillor. Ky profil ka edhe numrin më të lartë të kandidatëve që kanë aplikuar në portal për të garuar për vendet e lira të punës në shkollat 9-vjecare. Konkretisht testimet për këtë profil do të zhvillohen për nëntë ditë me radhë, në datat 29 qershor, e deri në datën 9 korrik.
Në vijim të shkrimit do të gjeni të plotë kalendarin me datat e testimeve për të gjitha profilet e tjera lëndore të mësuesisë që do të zhvillohen në ditët e tjera. Cikli i provimeve do të mbyllet me mësuesit e edukimit fizik, përkatësisht në datat 17 dhe 18 gusht. Gjatë ditëve në vijim QSHA do të shpallë listat e detajuar të kandidatëve që plotësojnë kushtet për të dhënë këtë provim, ku për secilin prej tyre do të përcaktoje datën dhe orarin konkret se kur duhet të paraqitet për të dhënë provimin.
“Ju bëjmë me dije se në lidhje me orarin e pjesëmarrjes në testim, oraret do të jenë të përcaktuara për çdo kandidat dhe nuk do të ketë ndryshime orari përtej planifikimit të publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni”, bëjnë me dije ekspertët e Qendrës së Shërbvimeve të Arsimit.
Gabimet që duhet të shmangni ditën e testimit
Janë një sërë rregullash që duhet të zbatohen në ditën e provimit, të cilat kanë të bëjnë jo vetëm me orarin e paraqitjes, por edhe mjeteve që duhet të keni me vete, si dhe zhvillimit të testimit. Konkretisht, gjatë paraqitjes për pjesëmarrje në testim, kandidati duhet të ketë parasysh dhe të zbatojë këto rregulla: “Të paraqitet pranë QSHA-së i pajisur me mjetet mbrojtëse, maskë dhe doreza plastike, të zbatojë ruajtjen e distancës fizike 1,5-2 metër me kandidatët e tjerë, të ketë me vete vetëm dokumentet e kërkuara dhe mjetin e identifikimit, të ketë me vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të testimit, të mos ketë me vete celularë, çanta dhe sende të tjera personale, të panevojshme në zhvillimin e testimit. Në kuadër të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19 dhe në vijim të masave parandaluese të përhapjes së tij, nëpërmjet urdhrave të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, testimet do të zhvillohen duke zbatuar me përpikëri rregullat higjienës dhe distancimit fizik.
Struktura e testit të punësimit
Ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit, sqarojnë se sikundër ndodh me profilet e mjekësisë, edhe për mësuesit që janë në garë nëpërmjet portalit, provimi do të jetë i informatizuar dhe do të zgjasë një orë. Testi është i përbërë në dy pjesë: pjesa që mbulon standardet e përgjithshme të mësuesit dhe pjesa tjetër që lidhet me standardet lëndore.
“Pjesa e parë përmban pyetjet në njohjen e dokumenteve zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, njohjen e programeve lëndore përkatëse, metodologjinë e mësimdhënies dhe të të nxënit, në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Ndërsa pjesa e dytë përmban përmbajtjen shkencore të lëndës sipas programit orientues përkatës”, vënë në dukje ekspertët e arsimit.
Vlerësimi i mësuesve bëhet automatikisht nga sistemi kompjuterik, duke mundësuar njohjen me rezultatin menjëherë në përfundim të provimit. Sipas skemës së përcaktuar më herët, “Teza e testimit të informatizuar përmban 50 pyetje, përgjigjet e sakta të të cilave vlerësohen me 100 për qind, që konvertohen maksimalisht në 80 pikë. QSHA-ja bën konvertimin e vlerësimit të testimit të informatizuar dhe ua dërgon drejtorive rajonale të arsimit, si dhe Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar”. Ndërkohë që më herët janë zbardhur edhe pikët që secili kandidat ka siguruar në fazën e parë të konkurimit me dosje.
Punësimi i mësuesve të rinj
Vlerësimi i kandidatëve, të cilët aplikojnë për t’u punësuar në vendet e lira që krijohen në profilin e tyre në qytetet ku kanë aplikuar, bëhet në dy faza, së pari nga vlerësimi i pikëve të dosjes, dhe pikëve që secili kandidat siguron në testimin e informatizuar. Rezultati i këtyre dy treguesve përbën edhe pikët finale të mësuesit. Ata që kanë siguruar nivelin më të lartë pikëve do të jenë të parët që do të ftohen të zgjedhin vendet e punës, sipas kuotave të lira të raportuara për çdo njësi vendore të arsimit në vend.
“Renditja përfundimtare për çdo lëndë bëhet sipas pikëve totale që nxirren nga shuma e pikëve të marra në vlerësimin e dosjes së aplikimit dhe pikëve të marra në testimin “Mësues për Shqipërinë 2020. Renditja fillon me kandidatin me më shumë pikë dhe vijon në rendin zbritës. Kandidati i cili në renditjen e përgjithshme sipas profilit, apo lëndës është renditur me numrin më të madh të pikëve, ka të drejtën të zgjedhë i pari vendin e lirë të punës ku do të lidhë kontratën. Ky kandidat me pikët më të larta, ftohet nga komisioni dhe zgjedh një nga vendet e lira me ngarkesë të plotë, të pjesshme, apo dhe të përhershme, sipas preferencave të shprehura edhe prej tij vetë”, sqarohet në udhëzimin e miratuar më herët nga MASR.
Po sipas këtij udhëzimi, kandidatët nuk mund të refuzojnë më shumë se tri vende pune të lira, në tri njoftime të njëpasnjëshme të komisionit. Në rast se kjo ndodh mësuesi hiqet nga lista e renditjes, duke i lënë vendin e përzgjedhjes një tjetër kandidati. Udhëzimi i dikasterit të arsimit dikton më tej se për një vend të lirë pune me ngarkesë të plotë mësimore dhe të përhershme, komisioni është i detyruar që në përzgjedhje të ftojë të parët kandidatët për mësues që janë të punësuar në një vend pune me ngarkesë të pjesshme, apo të përkohshme.
Fillimisht me mësuesin e përzgjedhur do të lidhet kontrata 1-vjeçare e punës. Në përfundim të kësaj periudhe mësuesi do të vlerësohet nga drejtoria e shkollës, si dhe këshilli i prindërve. Për rastet kur vlerësimi i këshillit të prindërve, apo i komisionit të shërbimit psiko-social nuk është pozitiv për cilësinë e shërbimit arsimor të ofruar nga mësuesi gjatë periudhës një vjeçare të provës, arsimtari e humbet vendin e punës që fitoi nëpërmjet testimit dhe konkurrimit me dosje.
Në ditën e testimit kandidatit i kërkohet:
- Të paraqitet pranë QSHA 30 minuta përpara orarit të publikuar.
- Të paraqitet pranë QSHA-së i pajisur me mjetet mbrojtëse, maskë dhe doreza plastike, si dhe të zbatojë ruajtjen e distancës fizike 1,5 -2 metër me kandidatët e tjerë.
- Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal).
- Kopje të Kartës ID ose Pasaportës.
- Formularin e pjesëmarrjes në testimin e informatizuar, të lëshuar nga komisioni i
vlerësimit të dosjeve në DRAP. - Kandidatët, të cilët nuk paraqesin këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në
testimin e informatizuar.
