Testimet e informatizuara për mësuesit që janë në kërkim të një vendi pune do nisin në datën 6 mars. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka shpallur kalendarin e plotë të testimeve për të gjitha profilet lëndore të mësuesisë. Në vijim po publikojmë kalendarin e zbardhur nga MASR, me datat, oraret dhe profilet përkatëse për zhvillimin e testimit të informatizuar.
Sipas rregullave të përcaktuara, kandidati duhet të paraqitet në ambientet e testimit 30 minuta para fillimit të testimit të informatizuar.
Ditën e testimit, duhet të jeni të pajisur me: “Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë) duhet dokumenti origjinal, kopje të Kartë ID ose Pasaportës, si dhe formularin e pranimit nga ana e DAR/ZA për fazën e dytë të konkurimit”. Kandidatët, të cilëve u mungojnë këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në testimin e informatizuar.
“Testimi i informatizuar do të zgjasë 60 minuta dhe do të zhvillohet me një raund të vetëm. Vlerësimi do të bëhet në mënyrë automatike direkt nga sistemi kompjuterik. Testi do të ketë pyetje të tilla që vlerësojnë njohuritë që mësuesit kanë në njohjen e dokumentacionit zyrtar, dokumentacioni kurrikular të arsimit parashkollor, aspektet e pedagogjisë dhe të metodologjisë së mësimdhënies, aspektet e etikës dhe të komunikimit, si dhe njohjen e rregullave të drejtshkrimit të gjuhës-shqipe, si dhe pyetjet specifike të lëndës që mësuesi zhvillon në shkollë”, shkruan Dita.
Me mbarimin e fazës së dytë të konkurimit (testimi i informatizuar), Qendra Ndërinstitucionale e Rrjetit Akademik Shqiptar do të zbardhë rezultatet finale të marra nga secili kandidat për çdo profil dhe lëndë mësimore ku është konkurruar.
Renditja përfundimtare për çdo lëndë bëhet sipas pikëve totale që nxirren nga shuma e pikëve të marra në vlerësimin e dosjes së aplikimit dhe pikëve të marra në testimin “Mësues për Shqipërinë 2018”. Renditja fillon me kandidatin me më shumë pikë dhe vijon në rendin zbritës.
Kandidati i cili në renditjen e përgjithshme sipas profilit, apo lëndës është renditur me numrin më të madh të pikëve, ka të drejtën të zgjedhë i pari vendin e lirë të punës ku do të lidhë kontratën. Ky kandidat me pikët më të larta, ftohet nga komisioni dhe zgjedh një nga vendet e lira me ngarkesë të plotë, të pjesshme, apo dhe të përhershme, sipas preferencave të shprehura edhe prej tij vetë.
Fillimisht me mësuesin e përzgjedhur do të lidhet kontrata 1-vjeçare e punës. Në përfundim të kësaj periudhe mësuesi do të vlerësohet nga drejtoria e shkollës, si dhe këshilli i prindërve. Për rastet kur vlerësimi i këshillit të prindërve, apo i komisionit të shërbimit psiko-social nuk është pozitiv për cilësinë e shërbimit arsimor të ofruar nga mësuesi gjatë periudhës një vjeçare të provës, arsimtari e humbet vendin e punës që fitoi nëpërmjet testimit dhe konkurrimit me dosje.

p.k/dita
