Punonjësit e hidrocentralit të Ulzës kanë zhvilluar një protestë për të kundërshtuar privatizimin e tij. Në mbështetje të punonjësve të këtij hidrocentrali ishin edhe Federata e Industrisë dhe Energjitikës, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Qemal Minxhozi si dhe banorë të zonës. Në këtë protestë u kërkua ndalja e menjëhershme e privatizimit të këtij hidrocentrali, pasi me punën në të jetojnë më shumë se 800 banorë të rrethit të Matit e më gjerë.
Në fjalën e tij, kreu i Federatës së Industrisë dhe Energjetikës, Taf Koleci, shprehu vendosmërinë e mbështetjes së punonjësve të këtij HEC-i për ndaljen e privatizimit në mënyrë që 800 familje që ushqehen nga ky hidrocentral të mos mbesin në mëshirë të fatit.
Vetë punonjësit i kanë bërë thirrje qeverisë shqiptare që ta ndërpresin sa më parë procesin e privatizimit, pasi prej dekadash jeta e tyre është varur pikërisht nga ky hidrocentral.
“Ky vend këtu është la me gjak. Ndre Elezi, Ndrec Gjergji, Etem Uka, Gjon Nika me 7-8 vetë të tjerë, vdiqën për të ndërtuar këtë hidrocentral. Nuk mund të shitet kështu”, është shprehur njëri prej punëtorëve.
Ndërkohë që një tjetër përmendi faktin se kishte kontribuar për PD-në duke qenë anëtar i saj, por tani rrezikonte të mbeste pa punë: “I bëj thirrje zotit Berisha. Unë jam ndër anëtarët e parë të PD-së, që kam kontribuar. Kujtova se do fitojmë dhe do shpëtojmë. Por ja ku jemi sot. I bëj thirrje t’i vejë gishtin kokës se ky Hidrocentral do mbrohet me gjak”.
Edhe më e ashpër ka qenë një tjetër punonjëse prej vitesh e këtij hidrocentrali.
“Unë për vete jam në punë. Në qoftë se dal nga puna, ja po i them edhe Policisë së Shtetit, le të më vrasi që tani, sepse unë dua të rris fëmijët. Kam fëmijë në shkollë, paguaj bursë, paguaj rrobat, paguaj për të ngrënë e për të pirë dhe nuk ja dal dot. Ju lutem vini dorë për këtë popull”, ka thënë me ton të ashpër kjo punonjëse.
Në mbështetje të protestës së punëtorëve dhe në mbrojtje të të drejtave të tyre ka dalë edhe deputeti i Partisë Socialiste, Qemal Minxhozi, i cili është shprehur:
“Nuk mund të mbushet arka e shtetit e boshatisur me djersën dhe kontributin tuaj. Qeveria të gjejë burime të tjera për t’i bërë ballë krizës. Vlera që qeveria do të marrë nga shitja e Ulzës, Shkopetit dhe dy Bistricat, është e barabartë me punën e këtyre hidrocentraleve për 5 vjet”.
Nga ana e tyre përfaqësuesit e Federatës së Industrisë dhe Energjetikës, si dhe punonjësit e hidrocentralit Ulëz, kanë paralajmëruar se do të përshkallëzojnë protestën, në rast të mos reagimit nga ana e qeverisë.
Kush do te pershkallezoje protesten Taf Koleci hahaha po te jete per ate dhe shefin e tij Kol Nikollaj i palos kollaj te gjithe punedhenesit ja dine ilacin Kol Nikolles …