Nëse Greqia synon të marrë ndihmën financiare prej 31.5 miliardë eurosh, duhet që deri në 2016-n të kursejë 18,5 miliardë euro
Qindra dhe mijëra punëtorë grekë kanë lanë punën të martën për të marrë pjesë në një grevë kombëtare dyditore. Ata protestuan kundër masave të kursimit të qeverisë.
Largimi masiv nga vendet e punës shkaktoi pezullimin e transportit publik. Metrotë, tramvajet dhe autobusët e linjave kombëtare qëndruan të bllokuara në stacionet e tyre, duke shkaktuar kështu kaos brenda kryeqytetit grek. Edhe fluturimet u ndërprenë pas një greve triorëshe që zhvilluan kontrollorët e trafikut ajror. Shërbimi i trageteve në ishujt grekë u ndërpre gjithashtu.
Gjithashtu, që nga ora 6 e mëngjesit të ditës së martë u pezullua puna në shumë shërbime të administratës shtetërore. Ministritë, shkollat, universitetet, bankat dhe gjykatat qëndruan të mbyllura dhe do të vazhdojnë kështu deri paraditen e së enjtes.
Dy sindikatat e punës në Greqi, ajo e nënpunësve të sektorit shtetëror ADEDY dhe ajo e sektorit privat GSEE ishin nismëtaret e grevës, e cila u ndërmor si kundërpërgjigje ndaj programit të ri të kursimit që qeveria ka në plan të vërë në zbatim së shpejti. Pjesëmarrësit në grevë kundërshtojnë fuqishëm miratimin e projektligjit të masave të ashpra ekonomike dhe reformave administrative që kërkohen nga Greqia prej kreditorëve të huaj.
Deri në 2016-n duhet të kursehen 18,5 miliardë euro. Shkurtimet janë parashikuar para së gjithash të zbatohen mbi pagat e të punësuarve, pensionet, si dhe shkurtime vendesh në shërbimet publike. Në shkëmbim ajo do të marrë një ndihmë financiare prej 31.5 miliardë eurosh.
Greva që do të zgjasë 48 orë, duke filluar prej paradites të së martës, si kërkesë kryesore ka anulimin e të gjitha masave që shkurtojnë pagat e punonjësve, që i nxjerrin ata në rrugë dhe ulin pensionet.
Në grevë janë përfshirë administrata publike, postat, bankat, gazetarët, inxhinierët, transporti publik, mësuesit, pedagogët në universitete, anijet mbeten pa lëvizur nga portet, kontrollorët e trafikut ajror. Ndërsa spitalet, klinikat dhe ambulancat do të punojnë për raste emergjente.
Nga ana e saj, qeveria këtë projektligj e ka paraqitur në parlament. Miratimi në parlament i këtyre masave janë pikërisht edhe kushtet paraprake të vëna nga institucionet financiare ndërkombëtare, që Greqia e rrezikuar nga falimentimi të marrë ndihmat e tjera financiare.
Kryeministri grek Antonio Samaras, duke folur para grupeve parlamentare u bëri thirrje deputetëve të tri partive në pushtet të votojnë paketën e masave. “Problemi kryesor që ka Greqia, është ajo që mund të ndodhë me të nëse nuk votohet ky projektligj”, tha Kryeministri duke nënkuptuar se qeveria do të rrëzohej dhe vendi do të rrezikonte daljen nga eurozona. “Është një makth që ne duhet ta eliminojmë”, u shpreh ai. Nga ana tjetër Samaras argumentoi se votimi i masave do të krijojë kushtet për rimëkëmbjen e ekonomisë reale dhe siguroi se këto masa do të jenë të fundit që do të peshojnë mbi xhepat e popullit grek.