Kriza prek artizanët në Shqipëri dhe Kosovë

redaktor

Organizata dhe individë nga Shqipëria e Kosova me iniciativa të përbashkëta si nxitje për të gjallëruar tregun e prodhimeve me dorë me bazë drurin, bakrin, lëkurën, alabastrën, leshin, filigramin, qëndisjet etj.

Artizanët në Shqipëri dhe në Kosovë janë duke u ndeshur me një sërë vështirësish serioze. Kriza ekonomike që ka mbërthyer dhe sektorë të tjerë, globalizimi dhe kokurrenca e industrisë që i nxjerr produktet e tyre me kosto shumë më të lartë, këputja e traditës familjare për trashëgiminë e profesionit të punës me dorë në rradhët e brezave të rinj, janë disa nga faktorët që e kanë rrudhur sektorin artizanal.

Duke u nisur nga fakti se në këtë aspekt nuk bëhet fjalë thjesht për një drejtim të caktuar biznesi, por dhe për konservim të traditës, kulturës e historisë së shqiptarëve ndër vite, orgnzizatat e zejtarëve nga të dy anët e kufirit janë duke lëvizur në nisma të përbashkëta. Synimi është që kjo sinergji të shkojë më shumë në favor të organizimit të panaireve të produkteve kryesisht me dorë me bazë drurin, bakrin dhe metaleve të tjera, lëkurën, alabastrën, leshin, materialet e detit, filigramin, qëndisjet etj. Duke bërë jo vetëm prezantimin e produkteve të larmishme, por dhe duke performuar para vizitorëve mjeshtrinë e realizmit “live” të tyre, si një vlerë e shtuar.

Ditët e fundit artizanë nga Shqipëria dhe Kosova, nga Kruja, Shkodra, Prizreni, Prishtina, Gjakova, Tirana, Gjirokastra, Peja etj., ishin bashkë në një nga destinacionet më të frekuentuara të këtij sezoni turistik, në Sarandë. Qyteti bregdetar 280 km larg Tiranës, në skajin më jugor të Shqipërisë, gjatë muajve korrik dhe gusht e dyfishon numrin e banorëve, nga qëndrimi i përkohshëm i turistëve vendas dhe të huaj.

Njëri prej organizatorëve kryesorë të “Panairit Saranda 2013″, Shkëlqim Hajno, drejtues i Agjencisë Joniane për Mjedisin, Median dhe Informacionin, AJMMI, thotë për DW se aktivitete të tilla janë shumë efektive pasi ato e kanë të sigurtë “audiencën”, që mbetet shumë e interesuar ndaj punimeve me dorë.

“Në sytë e vizitorëve u krijua një mozaik realitetesh, që perceptohet si një mozaik etnokulturor për trevat shqiptare. Ishte një shfaqje e ndjenjës së hollë të artistëve artizanë, të cilët prezantuan produkte nga më të larmishmet, ndonjëherë dhe të pabesueshme për mënyrën e realizmit apo të përdorimit të materialeve bazë. Ky ishte një rast shumë i mirë i kontakteve të drejtëpërdrejtë të artizanëve, jo vetëm në shkëmbimin e përvojave por dhe në ndarjen e problematikës, që thuajse është e njëjtë si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë.”

Tashëgimia e profesionit brez pas brezi

Zejqane Celina, kryetare e shoqatës së zejtareve dhe afaristeve të Prizrenit thotë se në këtë Panair më shumë se 70 përqind e pjesmarrësve ishin femra. “Ne punojmë që profesioni të kalojë brez pas brezi, si një traditë familjare, ku femrat luajnë një rol shumë të madh. Ndaj dhe kemi një seksion rinor në shoqatë që nxit dhe afron këtë gjeneratë që të merret me punimet e dorës”.

Ajo tregon për DW se punimet e ruazave që prezantuan tërhoqën shumë vëmendjen e vizitorëve, sidomos të huajve. “Në dukje janë të gjëra të thjeshta, por janë të realizuara me shije. Stendat e shoqatës sonë janë hapur më herët dhe në aktivitete të ngjashme në Pogradec, Shkodër, Tiranë etj”.

Florent Bytyçi nga Kosova mendon se vit pas viti interesimi i të rinjve për t’u marrë me zejtari ka rënë. Sipas tij kohët kanë ndryshuar dhe fëmijët e të rinjtë qëndrojnë më larg traditës familjare. “Jo të gjithë të rinjtë janë të aftë dhe të dëshiruar të merren me zejtari, por ne afrojmë ata që kanë aftësi të lindur, apo tregojnë më shumë interes. Cilido prind dëshiron që t’ja lerë fëmijës së vet zanatin, artin e punimit me dorë. Unë e njoh shumë mirë tregun e zejtarisë dhe duke bërë një krahasim, më duket se në Kosovë ka më shumë interes tek të rinjtë, ndërsa në Shqipëri më pak”.

Albani nga Saranda ka nisur prodhimet artistike të dorës që në moshën 15 vjeç. Fillimisht si një ndjenjë hobie, sot pas 8 viteve ai është në gjendje të realizojë lloj lloj artikujsh me bazë prodhimet e detit, kryesisht guackat. “Më pëlqen dhe e kam pasion, por me këtë punë krijoj dhe të ardhura që mbaj veten. Vazhdimisht mendoj për produkte të reja. Ndoshta shumë shpejt do t’ju servir njerëzve suvenire me bazë midhjen, që konsiderohet si mbretëreshë në qytetin tim” – thotë ai për DW.

Harmonizim i traditës me modernen

Për pjesmarrësit në Panair zejtaria kërkon mbështetje nga autoritetet vendore dhe qendrore, një lloj stimulimi nëpërmjet zbutjes së detyrimeve fiskale dhe promovimit më të madh. “Nuk duhet lënë gjithçka në gjendje të lirë, por këta njerëz, duhet të kenë lehtësi dhe të respektohen për punën që kryejnë” – shprehet Florent Bytyçi.

Nga ana tjetër ai gjen rast që t’u drejtohet kolegëve të tij nga të gjitha trevat shqiptare që të mos jenë statikë në shijet e tyre. “Një harmonizim i traditës me modernen afron edhe më shumë njerëz nëpër stendat e zejtarisë. Kjo na vendos në pozita të kërkimit gjithmonë të modeleve të reja. Sepse edhe brenda tyre mund të vendosim historinë dhe kulturën tonë shumë shekullore.”/Arben Muka/DW

Share This Article
1 Comment
  • ARTIZANATI ESHTE KRIJKUAR PER TE ULUR ZEMERIMIN E POPULLIT TE VERIUT DHE PER TI TJA RUJT ALPET ; BJESHKET E NEMUNA ; MALSINE E MADHE ;DUKAGJININ E LUMEJT E LURES MINERALET HOLLANDA KANADAJA ZVICERA AUSTRIA ETJ ;POR KY LLOJ PROFESIONI ESHTE NJE LLOJ SI PUNA E SKLLAVEVE

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *