Punonjësi i hekurudhës, magazinë Hi-Tech për kultivimin e drogës

redaktor

Megjithëse punonte në Drejtorinë e Hekurudhave në Durrës, duket se punonjësi i këtij institucioni ka qenë i pakënaqur me fitimet, ndërsa ka kërkuar të përfitojë më shumë. Për këtë qëllim kishte ngritur një magazinë moderne me pajisje bashkëkohore “Hi-TECH” për të kultivuar sasi droge, marijuanë apo hashash.

Policia vendore njoftoi se shkatërroi këtë laborator kultivimi të hashashit, sekuestroi një sasi të saj, por nuk arriti të kapte pronarin e magazinës moderne, Artur Mahmutajn, 35 vjeç, i cili u shpall në kërkim.

Mahmutaj mbillte lëndët narkotike në sasi të vogla për të mos rënë në sy dhe me teknologjinë më të fundit.

Blutë e qytetit të Durrësit njoftuan dje se e zbuluan ndërtesën në lagjen numër 15, ndërsa ishte e papërfunduar, e që do të shërbente më tej për të kultivuar bimë narkotike në sasi të mëdha. Magazina rezulton në pronësi të 35-vjeçarit Mahmutaj, i cili është shpallur në kërkim nga policia. I dyshuari rezulton se është me detyrën përgjegjës i Njësisë së Mallrave në Drejtorinë e Hekurudhave Durrës, ndërsa ka nisur edhe procedura e lirimit të tij nga detyra.
Mjetet brenda magazinës ishin të sofistikuara për të bërë të mundur mbjelljen në një kohë të shkurtër të kanabisit.

Pra lëndës narkotike nuk i duheshin 3-6 muaj për t’u kultivuar por më pak kohë, vetëm disa javë. Bima nuk rritej në gjatësi, duke mos rënë në sy dhe mund ta korrje shumë më herët, pa u zbuluar.

Policia mundi të bllokojë në kohë nisjen e këtij aktiviteti të paligjshëm falë informacioneve të siguruara në rrugë operative. Nga kontrolli i ushtruar në magazinë u gjetën dhe sekuestruan 3 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, e cila mendohet se ka qenë sasia e parë e prodhuar me këtë metodë moderne kultivimi.

Policia tha se mjetet e bllokuara brenda magazinës, kryesisht pajisje për ngrohje, vaditje dhe ushqyerje të bimës, ishin blerë jashtë vendit dhe ishin tepër të sofistikuara.

Pajisje të tilla u bllokuan tre ditë më parë në Korça nga policia, teksa arrestoi edhe poseduesin e tyre.

Dosja me materialet për ngjarjen pas sekuestrimit të magazinës dhe pajisjeve brenda saj i kaloi Prokurorisë së Rrethit, me akuzën “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *