Pushime shqiptare “pa norma”

Edona Llukacaj

Nga Edona Llukaçaj

Zgjedhja e emrave te personazheve në letërsi ëahtë një prej atyre teknikave që autorët kanë përdorur masivisht për të bërë më të qartë mesazhin e tyre. Zgjedhja e emrave apo emërtimi i bizneseve në jetën reale nuk mund të jetë ndryshe dhe po ashtu hedh dritë në aspiratat dhe botëkuptimin e individëve në  komunitet.

Aspirata e pareshtur e shqiptarëve për të ikur apo integruar pasqyrohet qartë në emrat gjithnjë e më të pakët shqiptarë të fëmijëve tanë. Ndërsa emërtime të tipit “Akulloreshitës ambulant Jameson” apo “Shërbime funerale Universale” (të cilët, me sa duket varrosin edhe marsianët) thjesht të lënë pa fjalë, teksa, sigurisht, arrijnë të evidentohen në treg dhe përmbushin qëllimin e marketingut.

Padyshim, emri i biznesit që i “vuri vulën” kësaj  vere të nxehtë shqiptare në mbarim është “Pa norma”. Emërtimi i cili, me siguri, ka pasur për qëllim të shpreh lirshmërinë dhe komoditetin që pushuesit do të gjenin në resortin tashmë të shkatërruar, duket se ka parathënë se si mund të përshkruhej me dy fjale ngjarja në gusht. Por mungesa e etikës nuk është vetëm karakteristikë e sjelljes të cilitdo që u shfaq në videon që mori dhenë. Fatkeqësisht, pa norma e pa standarde mund të cilësohen shumë shpesh mjaft shërbime ne vend, cfarë prodhoi edhe fenomenin e vetëshpallur, i cili nuk mund të luftohet veç me aksione anti-informalitet në mes të sezonit.

Përtej shifrave të vetëkënaqësisë, që argumentojnë ‘dyndjen’, besnikët e pushimeve në Shqipëri, qofshin këta nga brenda apo jashtë kufijve, e dinë mirë se mungesa e normave nuk është një ndodhi e izoluar tragji-komike, e aq më pak një fenomen në zhdukje. Ata vijnë ose rrinë për të shpenzuar kursimet e tyre këtu, të vetedijshëm se e njëjta kafe, në të njëjtën tavolinë, tek po i njëjti bar mund të ndryshojë çmim, duke u disafishuar brenda pak orëve, në varësi të perceptimit të kamarierit veshëmprehtë në zbulimin e prejardhjes apo vendbanimit të klientit. Ndërsa si shpërblim për besnikërinë, në orët e vona, një pseudo-orkestër i përshëndet përzemërsisht me “Xhamadanin” ose një “valle mbarëkombëtare”.

Keto kategori nuk heqin dorë nga Shqipëria, edhe kur për ndonjë emergjencë përfundojnë në spital. E ndonëse për pak shërbim me norma e standarde ata zgjedhin ndonjë me emër të madh, atyre u duhet të përballen edhe me arrogancën e fajësimit se janë të sëmurë, çfarë ia kufizon aftesinë (ndoshta thjesht të munguar) infermieres për të gjetur venën.

Sigurisht besnikët e Shqipërisë nuk ikin pa paguar, paçka se kafeja iu faturua sa një gjysëm litri verë. Ata paguajnë pa fjalë edhe shërbimin shëndetësor të reklamuar si më i miri në vend. (Të dytin në rradhë s’duan ta mendojnë kur shohin hematomat e shumta të shpimeve të dështuara).  E paguajnë dhe pse fatura është, pa frikë, më e lartë se të ardhurat mesatare mujore të një shqiptari.

Ata të dashuruarit me Shqipërinë do rrinë apo do vijnë prapë vitin tjetër. Miliona eurot i mungojnë, por këtu e kanë shpirtin. Do vijnë apo do rrinë përtej pushtetarëve, paçka se e kanë  a jo një pasaportë të një vendi të BE-së. Nuk presin buqeta me lule, por edhe shërbim “pa norma” nuk meritojnë.

Botuar në Dita Online. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

Share This Article
2 Comments
  • Ata pak “besnikë” do të vinë edhe disa vite për “pushime” plot ankth dhe halle, deri sa tu mbushet përfundimisht kaplloqja e zbrazët, se është gomarllëk të bësh shpenzime të tepërta, ndërkohë që zona të tjera turistike mediterane ofrojnë shpesh mundësi dhe kushte mjaft të favorshme dhe kualitative për çlodhje dhe argëtim sa më të këndshëm.

    Do të vijnë dhe dy-tre herë, deri sa të binden se balta është më e ëmbël se mjalta, jo ke absurdistani pa ligje dhe norma, por ke bota e civilizuar, dmth. atje ku i ka shpënë fati i jetës, atje ku tashmë kanë krijuar familjet, atje ku punojnë, dhe atje ku shkollohen dhe studiojnë fëmijët e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *