Letër e nënshkruar,
Ndrec Dodaj
Flitet se qeveria, për mos realizim të ardhurash nga doganat dhe tatimet, po sheh mundësinë dhe reduktimin e investimeve, dhe mirë bën. Por është paradoksale kur sheh që pushtetarëve kryesorë u rriten pagat dhe në vend që të shkurtohen organika, ato shtohen.
U bë një reformë që duhet përshëndetur në qeverisjen vendore, ku me qindra dhe mijëra këshilltarë shpërbleheshin dhe se me ligj mund të shkonin një herë në 6 muaj në mbledhje, por nuk u çua në fund. Sot akoma në 3-4 bashki zgjidhet Këshilli i Qarkut pasi në qarqe si Lezha, Kukësi, Gjirokastra, ka pak bashki, por që ligji i privilegjon që të zgjedhin këshillat e qarqeve anëtarët e të cilit marrin një shpërblim si anëtar të këshillit të bashkisë dhe një shpërblim si anëtar qarku.
Është jo vetëm anormale, por edhe ligjore s’duhet të jetë, që një kryetar bashkie me një rrogë shumë të mirë, vetëm se shkon 2-3 herë në muaj në një mbledhje të këshillit të qarkut, të marrë nj shpërblim shumë më të mirë se një pension minimal. Apo një anëtar i këshillit të bashkisë Tiranë merr sa një pension maksimal të një mësuesi që ka punuar për mbi 40 vjet punë.
Këto paradokse ndodhin pasi ligji 8652 i vitit 2000, jo duhet rishikuar, por duhet të ndryshojë tërësisht. Duke përfunduar këto radhë, të shpresojmë tek thënia e kryeministrit Edi Rama për rishikimin e funksionimit të qarkut dhe prefekturës, pasi në qendër të një qyteti funksionojnë bashkia, qarku dhe prefektura, kur i gjithë qarku ka tre bashki. Të paktën të reduktohen.
Nga një mësues pensionist…
