Pushteti vendor dështon në mbledhjen e të ardhurave

anazapta

Performanca e dobët në thellimin e deficitit buxhetor nuk i përket vetëm pushtetit qëndror por dhe atij lokal. Referuar të dhënave të  Ministrisë së Financave për treguesit fiskal sipas buxhetit të konsoliduar për 8-mujorin, vihet re se të ardhurat nga pushteti vendor janë 7.1 miliardë lekë, nga 8.2 miliardë që ishte planifikimi në fillim të vitit. Ndërkohë, shpenzimet kapin vlerën e 19.3 miliardë lekëve, kur ishin planifikuar 18.2  miliardë. Aktualisht, taksat e pushtetit vendor, të ardhurat e të cilave shkojnë në buxhetin e shtetit, janë ato mbi pasurinë, mbi biznesin e vogël dhe taksa lokale. Kjo mungesë e mbledhjes së të ardhurave tregon mos administrimin në mënyrë efikase, çka është reflektuar në treguesit e të ardhurave që ato arrijnë të mbledhin. Ecuria e dobët e mbledhjes së të ardhurave nga pushteti vendor gjatë gjithë viteve të fundit, vjen si rrjedhojë jo vetëm e një manaxhimi jo të mirë, por dhe nga niveli i ulët i kapaciteteve njerëzore që kanë shumë nga këto njësi. Jo në pak raste është theksuar edhe idea e mbledhjes së taksave vendore nga administrata qëndrore fiskale, ndërsa  njësitë vendore të përfitonin një përqindje të këtyre të të ardhurave. Ndërkohë, në programin e ri të qeverisë, është parashikuar përqendrimi në një strukturë të vetme të mbledhjes së tatimeve dhe taksave, çka pritet t’ia heqë këtë kompetencë njësive të qeverisjes vendore dhe të sjellë një efikasitet të mbledhjes së këtyre të ardhurave të nevojshme për të ulur deficitin buxhetor.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *