Ndërkohë që Bashkimi Evropian po përgatit një seri të re sanksionesh kundër Rusisë, në një intervistë të transmetuar të dielën nga agjencia ruse e lajmeve “Ria Novosti”, Vladimir Putin tha se “mbështetja e Perëndimit ndaj veprimeve të Ukrainës është kundër vlerave të tij demokratike”. Ai gjithashtu siguroi se është “e pamundur” të dijë se “kur do të përfundojë kjo krizë në Ukrainë”.
Përveç kësaj, Presidenti rus tha se “Rusia nuk mund të vazhdojë përkrah njerëzve që qëllojnë popullin e tyre”, një aludim i qartë për Qeverinë e Kievit dhe operacionet e saj për të spastruar rebelët në lindje. Putin beson se zgjidhja e konfliktit “është krijimi i një shteti të ri”. “Duhet të fillojmë menjëherë diskutimet substanciale (…) për çështje që kanë të bëjnë me organizimin politik të shoqërisë dhe krijimin e një shteti në Ukrainën jug-lindore, që mbron interesat legjitime të njerëzve që jetojnë atje”.
Vetëm pak ditë më parë para një audience studentësh, Vladimir Putin ka pohuar që, edhe pse nuk dëshiron një konflikt, Rusia është një nga “fuqitë nukleare më të mëdha”. “Partnerët e Rusisë duhet të kuptojnë se është më mirë që të mos merren me ne”, pohoi Putin para kësaj audience, ku ai e krahasoi “sulmin” e Kievit në Dontesk dhe Lugansk me vendin nazist të Leningradit ku gjatë 900 ditëve vdiqën 1 milion civilë.
Ai i kërkoi gjithashtu Kievit që të deklarojë armëpushimin, të nisë një plan paqeje, të rindërtojë infrastrukturën në zonën e konfliktit dhe të përgatitet për dimrin. Në këtë kontekst, Rusia dërgoi sërish 280 kamionë që transportojnë ndihma humanitare për civilët që jetojnë në zonën e konfliktit në Ukrainën lindore dhe autokolona ndodhet tashmë në kufi në zonën ruse të Rostov në pritje për të kaluar, raportoi dje televizioni shtetëror.
“Produkte, duke përfshirë ushqim, ujë të pijshëm dhe ilaçe janë transferuar me trena dhe ngarkuar në kamionë”, thanë zyrtarët. Momenti kur do të kalohet kufiri dhe rruga që do të ndiqet do të mbahen sekret. Përveç kësaj, 10 ushtarë rusë të kapur nga ushtria e Ukrainës në territorin e saj i janë dorëzuar njësisë së saj, raportoi dje Gjenerali rus Alexei Ragosin. “Negociatat nuk ishin të lehta”, komentoi ushtaraku në deklaratat për agjencinë e lajmeve “Itar-Tass”.
“Edhe Rusia dorëzoi më shumë se 60 ushtarë ukrainas që kishin kaluar kufirin pas luftimeve në zonën e Donbass”, shtoi ai. Moska dhe Kievi kishin njoftuar më parë shkëmbimin. Ukraina prezantoi të arrestuarit para mediave si dëshmi që Rusia po dërgon trupa për të mbështetur separatistët në territorin e saj.
Paralelisht, NATO do të mbajë këtë javë në Uells një takim të krerëve të shtetit ku do të mbizotërojë çështja e “agresionit” rus kundër Ukrainës. 9500 agjentët britanikë do të garantojnë sigurinë e 10 mijë pjesëmarrësve në këtë konferencë që mbahet dy herë në vit, duke përfshirë edhe 60 krerë shtetesh dhe ministra, të cilët do të mbrohen nga gardhet e sigurisë 20 kilometërsh në hotelin Celtic Manor në Newport.
