Putin i telefonon Asadit për konferencën e paqes

anazapta

Për herë të parë që nga viti 2011, presidenti rus dhe ai sirian biseduan në telefon mbi zhvillimet e fundit të krizës siriane.Vladimir Putin i telefonoi Asadit për të diskutuar mbi konferencën e shumëpërfolur të paqes Gjeneva 2, si dhe mbi shqetësimin e shkatërrimit të rezervave kimike të Sirisë

Presidenti i Rusisë i telefonoi atij të Sirisë për të folur mbi përgatitjet për negociatat e paqes midis regjimit sirian dhe grupeve opozitare dhe për të ndarë shqetësimet e Rusisë për aksionet persekutuese të ekstremistëve mbi minoritetet fetare në Siri, shkruan shtypi i Kremlinit sot.

Presidenti rus deklaroi se ai shpreson që pjesa më e madhe e grupeve të opozitës siriane të kenë një “qasje konstruktive” dhe të marrin pjesë në konferencën e paqes që do të zhvillohet në Gjenevë. Ai gjithashtu vlerësoi pozitivisht gatishmërinë e Asad për të dërguar një delegacion në konferencën e paqes Gjenevë-2.

Putin u shpreh “i kënaqur” me bashkëpunimin e Sirisë me Shtetet e Bashkuara dhe Organizatën Ndërkombëtare të Mbikëqyrjes të Armëve Kimike.

Presidentët diskutuan mbi procedurat e vendosjes së arsenalit kimik sirian nën kontrollin e ndërkombëtarëve dhe shkatërrimin përfundimtar tij. Emri i Shqipërisë, që është lakuar në mediat ruse dhe ato ndërkombëtare si destinacioni më i mundshëm për demontimin e rezervave kimike, nuk duhet t’i ketë shpëtuar bisedës së tyre. Shtypi rus ka shkruar ditët e shkuara se Rusia ishte treguar e gatshme për të asistuar në transportin e tyre deri në territorin shqiptar si dhe për të financuar programin e asgjësimit me 2 milionë dollarë.

Putini, gjithashtu i shprehu shqetësimin homolugut të tij sirian për “persekutimin e qëllimtë të kristianëve dhe minoriteteve të tjera fetare” nga grupet ekstremiste në Siri. Ai shtoi se shpreson që qeveria të bëjë gjithçka të mundur për të lehtësuar vuajtjet e popullsisë civile për të rivendosur paqen”.

Nga ana e tij, Asad falenderoi qeverinë ruse e cila i është gjendur pranë popullsisë siriane dhe ka ndërmjetësuar me perëndimorët në të mirë të saj. Të dy presidentët konfirmuan qëllimin për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin bilateral të shteteve të tyre.

Gjeneva 2 për Paqen, e propozuar nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, nuk ka ende të caktuar një datë zyrtare të nisjes së punimeve, megjithëse ishin bërë përpjekje për 23 nëntorin. Mediat shtetërore siriane kanë raportuar se data është shtyrë për në 12 dhjetor, por kjo nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.

Ndërsa Rusia për muaj të tërë ka nxitur komunitetin ndërkombëtar që të nisë negociatat dhe regjimi i Bashar al Asad ka përsëritur vazhdimisht gatishmërinë për të marrë pjesë në bisedime pa vendosur kushte të tjera, fuqitë perëndimore janë ende në përpjekje e sipër për të sjellë grupet opozitare në tryezë.

Së fundi, lideri i Koalicionit Kombëtar të Revolucionit Sirian dhe Forcave të Opozitës, Ahmad Jarba, tha për “Sunday Telegraph” se grupet do të bien dakord për të marrë pjesë në bisedime, me kusht që Perëndimi të sigurojë ndihma humanitare, të cilat do të kalojnë nëpërmjet korridoreve të opozitës në Siri. Më parë, Jarba kishte refuzuar mundësinë për të marrë pjesë në Gjeneva 2, duke vënë si kusht largimin e diktatorit Bashar al Asad./D.Gjuzi

Share This Article
2 Comments
  • Mire e ke qe flet me Asadin se keshtu ta bo puna .Por pse nuk mendon pak per popujte e vegjel qe te jene te qete .Ju si superfuqia e armeve kimike pse nuk i hidhni syte atje ku duhet per ti shkaterruar por doni te fusni ne bela nje popull qe historikish ka vuajtur e vuan politikat e te Medhenjve.
    Ka plot shkretetira bota ku mund ti shkaterroni ato qe ju i kini prodhuar .Rrisqet e botes i marin persiper ata qe jane dhe me te fuqishem e jo Shqiperia qe nuk ka peshen as te nje qimeje tuajet. Populli Rus e ka dashur dhe e do popullin shqiptare .Tregohuni dhe ju nje here dashamires se me shume kini per te fituar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *