Presidenti Vladimir Putin u shpreh kundër ndërhyrjes së huaj në politikën ruse. Në fjalimin vjetor në Moskë, ai foli me terma të fortë patriotikë për nevojën e kombit rus për të ruajtur identitetin kombëtar, duke theksuar nevojën e shtimit të numrit të lindjeve
President rus Vladimir Putin mbajti dje në Moskë fjalimin vjetor ku theksoi rëndësinë që kombi rus të ruajë identitetin kombëtar. Duke iu referuar ndjenjave patriotike të popullit rus, Vladimir Putin theksoi se Rusia nuk kishte asnjë monument të denjë për të vdekurit e saj në Luftën e Parë Botërore, një ngjarje që u eklipsua kryesisht nga Revolucioni i Tetorit në vitin 1917.
Ky është fjalimi i parë i tij i kësaj natyre, pasi u rizgjodh në mars të 2012-s në një mandat të tretë qeverisjeje. Kthimi i tij në detyrë u shoqërua me protesta për manipulimin e votimit dhe korrupsionin shtetëror. Qëndrimet mospajtuese sollën edhe arrestimin e aktivistëve të opozitës dhe aktivizimin e ligjeve kufizuese. Ndërsa këto ditë krerët e opozitës gjenden të bllokuar në mosmarrëveshje me autoritetet moskovite për marshimin e protestës që është planifikuar të zhvillohet ditën e shtunë.
Putin, i cili vitin e kaluar akuzoi Shtetet e Bashkuara se kishin inkurajuar protestat opozitare dhe se qeveritë e huaja kishin shpenzuar para që të ndikonin zgjedhjet në Rusi, përsëriti se politikanët rusë të cilët marrin para nga qeveritë e huaja, duhet të përjashtohen nga politika. Por këtë herë nuk dha emra në akuzat e tij për ndërhyrjen e huaj në politikën e brendshme ruse. “Çdo ndërhyrje e jashtme në punët tona, është e papranueshme. Një politikan që paguhet jashtë kufijve të Federatës Ruse, nuk mund të jetë një politikan i vendit të tij “, tha presidenti mes duartrokitjeve.
Në korrik, Putin nënshkroi një ligj që detyronte grupimet joqeveritare të financuara nga jashtë dhe të përfshira në veprimtari politike që të regjistroheshin si “agjentë të huaj” në Rusi. Kritikët e dënuan këtë veprim si një përpjekje për të penguar OJQ-të që të hidhnin dritë mbi manipulimin e votave dhe abuzimet e tjera. Gjithsesi, ‘dialogu i civilizuar’ ishte i mundur vetëm me ato forca politike të cilat shtruan në tavolinë propozimet e tyre dhe i mbrojtën ato brenda kuadrit ligjor në fjalë.
Duke iu referuar ekonomisë, presidenti rus kritikoi kompanitë që e zhvillojnë biznesin e tyre në mospërputhje me juridiksionin rus: “Sipas të dhënave në dispozicion, nëntë nga dhjetë transaksione që kryejnë bizneset, nuk janë të rregullta sipas ligjeve tona”. Ai shtoi se ndihet nevoja për të ndërmarrë masa të tjera ndaluese për mashtrimet në shpenzimet publike: “Prokurimet e shtetit duhet të jenë më transparente dhe auditimi i shpenzimeve buxhetore duhet të forcohet”.
Putin citoi shkrimtarin ish-disident të Bashkimit Sovjetik, Aleksandër Solzhenicin, me fjalët: “Patriotizmi është detyra e parë dhe secili të shërbejë në vendin e vet. Rusët duhet të kujtojnë se kanë 1 mijë vjet histori e kjo duhet ta forcojë kombin së brendshmi. Rusia duhet të mbetet një shtet sovran e me ndikim dhe gjithashtu duhet të ruajë identitetin e vet kombëtar”.
Sipas presidentit rus, programet për trajtimin afatgjatë të pakësimit të numrit të popullsisë në Rusi, prej pesë muajsh po punojnë që ky numër të fillojë të rritet në mënyrë të natyrshme, pra lindjet të tejkalojnë vdekjet.
Aleksei Navalnj, i cili udhëhoqi protestat kundër korrupsionit dhe manipulimit të votave një vit më parë, u shpreh me përbuzje për deklaratat e presidentit. “Më sëmur kur gënjen në lidhje me suksesin në stabilizimin e demografisë. Bijtë e sovjetikëve janë shtuar pa ndihmën e asnjë Putini”, shkruan Navalnj në adresën e tij në internet. Aleksei bashkë me të tjerët janë zotuar për të shkuar përpara me marshimin e tyre ditën e shtunë, pavarësisht dështimit për të rënë dakord me autoritetet.
Somario: Putin përsëriti se politikanët rusë që marrin para nga qeveritë e huaja duhet të përjashtohen nga politika. “Pazarllëqet në politikën tonë të brendshme janë të papranueshme”, tha ai.