Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Rusia do të përgjigjet me masa të njëjta, nëse Shtetet e Bashkuara zhvillojnë raketa bërthamore me rreze të shkurtër dhe të mesme, pas daljes nga traktati kryesor i kontrollit të armëve bërthamore.
Nëpërmes një deklarate presidenti rus tha: “Nëse Rusia merr informacion të besueshëm, se Shtetet e Bashkuara përfundojnë zhvillimin e këtyre sistemeve dhe fillojnë ti prodhojnë ato, Rusia nuk do të ketë mundësi tjetër, përveç se të angazhohet në një përpjekje në shkallë të plotë, për të zhvilluar raketa të ngjashme”.
Deklarata e presidentit Putin vjen pasi Shtetet e Bashkuara, më 2 gusht, u tërhoqën zyrtarisht nga Traktati i Forcave Bërthamore (INF), që u nënshkrua në vitin 1987, nga ish-presidenti i SHBA, Ronald Reagan, dhe lideri sovjetik i asokohe, Mikhail Gorbachev.
Rusia kishte pezulluar pjesëmarrjen e saj në traktat, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, më 1 shkurt të këtij viti, njoftoi se Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të tërhiqen nga traktati.
Në fakt, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja e kanë akuzuar Rusinë për shkelje të paktit. Por Moska i ka mohuar pretendimet dhe akuzoi Shtetet e Bashkuara se dëshirojnë të braktisin paktin, në mënyrë që të mund të fillojë një garë e re për armët.
Putin tha se është thelbësore që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, të rifillojnë bisedimet për kontrollin e armëve, për të parandaluar atë që ai e përshkroi si një garë të “pandërprerë” të armëve.
Putin u shpreh: “Për të shmangur kaosin pa rregulla, kufizime ose ligje, ne duhet të peshojmë edhe një herë të gjitha pasojat e rrezikshme, dhe të fillojmë një dialog serioz dhe domethënës”, tha Putin.
Presidenti Trump më 2 gusht u tha gazetarëve se do të donte të krijonte një marrëveshje të re me Rusinë, që do të zvogëlonte të gjitha armët bërthamore. Ai tha se marrëveshja ndoshta do të përfshijë edhe Kinën.
Pekini është përgjigjur duke thënë se “nuk do të pranonte ta bënte Traktatin shumëpalësh, në asnjë mënyrë” raporton Dita, duke iu referuar mediave ndërkombëtare.
e.ll./dita
