Prokuroria në Rusi po ushtron kontroll masiv ndaj OJQ-ve. Të prekura janë edhe fondacionet gjermane. Berlini e ka kritikuar sjelljen e autoriteteve ruse.
Vladimir Putin e ka seriozisht. Çdo ndërhyrje direkte, ose indirekte në punët tona të brendshme (…) është e papranueshme“, tha presidenti rus në një takim të shërbimit të fshehtë të brendshëm rus, FSB, në mes të shkurtit 2013. Mesazhi vlente për organizatat joqeveritare.
Ata, që angazhohen politikisht dhe marrin para nga jashtë, duhet të regjistrohen që nga nëntori 2012 si “agjentë të huaj“. Por ligji i ri injorohet. Përfaqësues të shumë organizatave joqeveritare, ndër to mbrojtës të njohur të të drejtave të njeriut, si grupi i Helsinkit në Moskë, apo “Memorial“, nuk duan të quhen “agjentë”. Sipas një sondazhi të vjeshtës 2012 nga qendra moskovite për hulumtimin e opinionit, Levada, dy të tretat e rusëve kanë përceptim negativ për termin “agjent i huaj”.
Kërkohen “agjentët e huaj”
Që prej fillimit të marsit në Rusi zhvillohet një fushatë kundër OJQ-ve. Qindra prej tyre janë vizituar nga përfaqësues të prokurorisë, të autoriteteve tatimore, Ministrisë së Brendshme, apo të shërbimit sekret. Shpesh ndodh si të martën (26.03.2013) në qendrën e të drejtave të njeriut “Memorial“ në Moskë: Një përfaqësues i zyrës së tatimeve u shfaq atje para orës 10:00. Disa orë më vonë erdhën punonjësit e prokurorisë, që donin të shihnn dokumentet, njofton një korrespondent i DW.
Por gjithnjë e më shumë OJQ protestojnë kundër kontrolleve të organeve të shtetit. Këshilli koordinues i forumit evropiano-rus për shoqërinë civile u shpreh në një deklaratë për një “fushatë kundër organizatave të shoqërisë civile“ dhe kërkoi nga qeveria, që ta argumentojë qëndrimin e saj ndaj OJQ-ve. Ministria ruse e Drejtësisë deklaroi, se me kontrollet duhet të identifikohen “agjentët e huaj” në bazë të ligjit të ri për OJQ-të.
Kritikë e ashpër nga Berlini
Eshtë kërkimi i “agjentëve të huaj”, që i çoi prokurorët rusë për herë të parë edhe në përfaqësitë e fondacioneve politike gjermane, tha për DW Peter Schulze, ish-drejtues i fondacionit Friedrich-Ebert (FES), i afërt me partinë socialdemokrate (SPD). “Kjo nuk drejtohet aq shumë kundër fondacioneve politike të Gjermanisë“, mendon ai. Hetuesit rusë janë më tepër të interesuar për kontaktet e fondacioneve gjermane me OJQ-të ruse dhe “nëse ato janë ndihmuar me mjete financiare“. Tek FES në Moskë, sipas njoftimeve të medieve, autoritetet ruse kanë kontrolluar me orë të tëra dokumenta.
Edhe fondacioni Konrad-Adenauer (KAS), i afërt me partinë kristiandemokrate (CDU), ka qenë i prekur. Të martën (26.03.2013) përfaqësia e KAS në Shën Peterburg u vizitua për herë të dytë nga prokuroria. Ndërsa gjatë herës së parë ishte dorëzuar vetëm një katalog me pyetje, tani janë konfiskuar kompjuterë. Kryetari i KAS Hans-Gert Pëttering kritikoi ashpër sjelljen e autoriteteve ruse. Ajo është “shqetësuese dhe kurrësesi e pranueshme.“
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, thirri në ministrinë e Jashtme të dërguarin rus Oleg Krasnitzki. Diplomatit rus i është komunikuar shqetësimi i qeverisë gjermane për veprimet e përqëndruara të autoriteteve ruse kundër shumë OJQ-ve, ndër to edhe të fondacioneve gjermane, bëri të ditur Ministria e Jashtme. Gjendja mes Moskës dhe Berlinit është e irrituar vetëm dy javë para vizitës së presidentit rus në Gjermani. Vladimir Putin vjen për hapjen e panairit të Hanoverit më 7 prill, ku do të takojë edhe kancelaren gjermane. “Mendoj se gjatë vizitës së Putinit do të bisedohen këto çështje“, tha për DW kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlament, Ruprecht Polenz.
Kremlini shumë i pasigurtë
Ende është e paqartë, se çfarë konsekuencash do të kenë kontrollet për OJQ-të në Rusi. Sipas ligjit ata, që hezitojnë që të regjistrohen te autoritetet si “agjentë të huaj“, i kërcënon një gjobë prej deri në 10.000 euro, ose heqja e licencës. Ish-drejtuesi i fondacionit Friedrich-Ebert, Peter Schulze, këshillon OJQ-të, që në këtë rast të regjistrohen. Në qoftë se puna e tyre pengohet, duhet të protestohet, thotë ai.
Schulze sheh arsye politike për ashpërsimin e ligjit të OJQ-ve në Rusi. “Duan të mbrohen paraprakisht“. Kremlini pas protestave kundër rezultateve të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të vitit 2012 është “jashtëzakonisht i pasigurtë“. Udhëheqja ruse beson se protestat janë të drejtuara nga jashtë shtetit, tha Schulze. OJQ-të e kanë kundërshtuar këtë./dw