Gjatë konferencës së përvitshme përballë 1250 gazetarëve Putin fajësoi faktorët e jashtëm si shkaktarë të krizës, në veçanti rënien e çmimit të naftës, por gjithashtu pranoi se Rusia ka pjesën e saj të përgjegjësisë, që nuk diversifikoi ekonominë, e cila varet shumë prej hidrokarbureve
Presidenti rus, Vladimir Putin, u premtoi sot qytetarëve të tij se ekonomia ruse do të dalë nga kriza aktuale brenda dy vjetëve, në rastin më të keq. “Sa kohë? Do të na duhet 2 vjet për të dalë nga kriza, në rastin më të keq”, tha Putin gjatë konferencës së përvitshme përballë 1250 gazetarëve rusë dhe të huaj. Në reagimin e tij të parë përballë rënies që ka pësuar rubla gjatë ditëve të fundit, Putin pohoi se Qeveria dhe Banka Qendrore kanë marrë masat e duhura për të stabilizuar monedhën.
Presidenti rus fajësoi për krizën aktuale monetare faktorët e jashtëm, si rënia e çmimit të naftës, por pranoi që Rusia nuk ka bërë hapat e nevojshme për të diversifikuar ekonominë e saj. Përsa i përket sanksioneve kundër Rusisë për krizën në Ukrainë, Putin theksoi se me masat e ndërmarra vendet perëndimore duan të ngrenë një Mur të ri të Berlinit, këtë herë virtual, masa këto që ai i konsideron shkaktare të rreth 25-35 % të problemeve ekonomike.
Lideri i Kremlinit argumentoi se vendet perëndimore “mendojnë se janë një perandori dhe se të gjithë të tjerët janë vasalë, të cilët duhet të copëtohen”. “Mos ndoshta nuk është një mur, zgjerimi i NATO-s në lindje, gjë për të cilën na premtuan se nuk do të ndodhte që pas rënies së Murit të Berlinit?”, pyeti lideri i Kremlinit.
“Ndonjëherë mendoj se ndoshta do ta lënë ariun rus të qetë, të hajë manaferra dhe mjaltë. Nuk do ta bëjnë sepse gjithnjë do të përpiqen ta lidhin. Dhe kur ta lidhin me zinxhirë, do t’i shkulin dhëmbët dhe thonjtë që janë forca jonë”, tha kreu i rusëve. Mes të tjerash Putini shtoi se Shtetet e Bashkuara paraqesin një kërcënim për Rusinë. Ai pohoi gjithashtu se Rusia ka vetëm dy baza ushtarake në botë ndërsa “SHBA ka baza në të gjithë planetin”. Ai akuzoi SHBA-në se po instalon sisteme antiraketë në Rumani. “Dhe thonë pastaj se jemi ne ata që bëjmë një politikë agresive”, tha Putin.
Kjo konferencë ishte e shumëpritur nga rusët, të shqetësuar për rritjen e çmimeve dhe rënien e fuqisë blerëse. Rubla ka regjistruar që nga fillimi i 2014-ës një prej 40 % të vlerës së saj.
Putin po përballet me një situatë paradoksale. Nga një anë, aneksimi i Krimesë e ka bërë më popullor se kurrë, me një nivel besimi që arrin 80 % dhe i ka dhënë një protagonizëm të pashmangshëm ndërkombëtar.
Nga ana tjetër, Rusia është e izoluar për shkak të sanksioneve perëndimore, që kanë dobësuar rublën dhe vuan pasojat e rënies së çmimit të naftës. Bëhet fjalë për krizën më delikate që po përballet Putin që prej ardhjes së tij në pushtet në vitin 1999.

Armiku jashtem e ka fajin.Perse mor kokhurdh nuk afrohet Polonia,Ukraina,Bullgaria e te gjith ish vendet komuniste me Rusine por me perendimin?Sepse sllav dhe ortodoks te sinqerte nuk ka.Para 500 vitesh politike ekspansioniste me fqinjet,sot po ashtu.Nuk ju mjafton Rusia pa
fund dhe pa ane qe doni edhe tokat e Gjeorgjise,Moldavise dhe Ukraines?
O SHOKU E KE MARRE VENDIMIN, BEJ AUTOKRITIKE SA TE DUASH