Profesor Puto, mbetet tejet i kthjellët dhe i vendosur në gjërat që thotë. Nuk e fal për asnjë arsye Ahmet Zogun, ashtu si festimet e Berishës i duken aspak të ndershme, për sa i përket nderimit të Pavarësisë. Në këtë intervistë, në prag të Pavarësisë, ky studiues i urtë dhe i balancuar bën një homazh të madh për vendin tonë, falë mendimit të pjekur…
Ka një ndërhyrje të vrazhdë në histori, e cila është shumë e dukshme në këtë vit, që përkon me 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Zoti Berisha është dukshëm protagonisti i kësaj ndërhyrje të pashembullt. Si e shikoni ju këtë fenomen në këndvështrimin tuaj?
“Po. Ka një ndërhyrje të vërtetë në fushën e historisë, e cila lidhet më shumë me ndërhyrjen e politikës në histori. Në kushtet e tanishme demokratike, kjo duhej të konsiderohej si e palejueshme, por kjo po na ndodh realisht. Dhe, iniciatori i vërtetë i kësaj ndërhyrje, është kryeministri i vendit Sali Berisha. Ai pretendon publikisht ta ribëjë historinë. E, me sa duket, mendon se mund ta bëj ashtu si bëri edhe në fushat e tjera: krejt pa pyetur njëri. Ai ka një mendim për vetveten, që e barazon veten direkt me kultin e Enver Hoxhës, sipas të cilit vetëm Ai është i zoti të vendosë pikat mbi “i”. Madje, këtë mendim, së fundi e ka edhe për historinë kombëtare. Por, mund të ketë lexuar nga fusha e historisë, apo duket edhe se ka dëgjuar, por historia nuk është asfare pjesë e formimit të tij të përgjithshëm. Ajo, që ai kumton, s’ka asfare sens historik, madje është krejt antihistorike. Shikoni, p.sh. se si i fillon fushatat e interpretimit të historisë. Disa javë më parë bëri një rivlerësim të Luftës Nacional-Çlirimtare nga një mohim i plotë i ‘Luftës Civile’ tek një nga faqet më të ndritura të historisë që e rreshtoi Shqipërinë në anën e Koalicionit Antifashist. Por, sipas tij, luftën nuk e bënë shqiptarët por e organizuan misionarët amerikano-britanikë të zbritur nga lart. Këtë përçartje të paimagjinueshme madje ua drejtoi edhe veteranëve, duke u thënë: Thoni të vërtetën, Brigada e Parë Sulmuese u organizua nga oficerët anglezë në Vithkuq. Disa e kanë parë si rishikim të perceptimit të tij, kurse unë e shoh si mohim të Luftës Nacional–Çlirimtare. Po ta njihte më mirë historinë do të kujtohej se kjo është një tezë e vjetër greke. Në Luftën e Vlorës, grekët thoshin se ajo nuk ishte epope e rezistencës shqiptare, por thjesht organizuar prej vetë italianëve për të mos lejuar pretendimet greke mbi Shqipërinë jugore. E njëjta gjë me ta ndodhi edhe për Luftën Nacional-Çlirimtare. Kryeministri grek Caldaris, në Konferencën e Paqes në Paris më 1946, deklaroi se në Shqipëri nuk ka pasur lëvizje të vërtetë rezistence. Kanë qenë vetëm disa aksione të izoluara të nxitura nga jashtë. Shqiptarët, vërtetë arritën të ngrinin një ushtri të vërtetë partizane, por këtë e bënë oficerët anglezë. Në kohë të tjera, këto gjykime shkonin deri aty, saqë pretendonin se të rinjtë ose populli shqiptar nuk kishte vetëdije apo aftësinë e duhur të organizohej. Populli shqiptar ishte vetëm për mish për top dhe mund të organizohej vetëm nga të tjerët. Ndaj, më së shumti, ky interpretim, ngjason me tezën e vjetër greke…”.
Cila është teza greke dhe e huaj në përgjithësi për rezistencën shqiptare?
“Teza greke nuk u la asnjëherë, edhe pse në Konferencën e Paqes më 1946, Shqipëria erdhi me përvojën e madhe të Luftës Nacional-Çlirimtare. Kryeministri Caldaris, e përsëris, do deklaronte në këtë Konferencë se nuk ka pasur asfare rezistencë dhe se shqiptarët nuk e kanë ndërgjegjen e duhur kombëtare për t’u organizuar. Sipas tij, përgjithësisht ka pasur disa banda, disa çeta, apo disa elementë të veçantë të nxitur nga jashtë dhe këto, që thjesht kanë bërë disa sulme të drejtuar kryesisht kundër minoritetit grek. Pra, nuk ka pasur rezistencë shqiptare. Këto janë thjesht shtrembërime, nuk mund të quhen risi. Është i njëjti mendim por në një variant tjetër, që qarkullon sot me pushtetarët tanë”.
E plotë në:
http://revistajava.al/kryesore/20121126/pavaresia-berisha-kerkon-ta-shfuqizoje-krejt-vloren
Shoku Puto para se te na flase sot,te kerkoje falje para shqiptareve per palavrat qe ka perrallisur per 50 vjet.