“Pyesni Spiropalin për shkeljet në tender”

Saimir Lleshi

Ish-nëndrejtoresha e Doganave, Blerta Kraja fajësoi Elisa Spiropalin për hetimin e prokurorisë, për korrupsionin në dogana.

Bëhet fjalë për riparimin e një skaneri të kushtueshëm, në dhjetor të 2014. Kontrolli i Lartë i Shtetit zbuloi shkelje të konsiderueshme, për tenderin në fjalë dhe prokuroria mori në pyetje ish-nëndrejtoreshën Blerta Kraja.

Në një interviste për Shqip, Blerta Kraja sqaroi pozicionin e saj për tenderin e riparimit të skanerit të kontejnerëve “Nuctech”, në portin e Durrësit. Ajo nuk pranon asnjë përgjegjësi për tenderin;

Është kompetencë e titullarit të autoritetit kontraktor organizimi dhe realizimi i gjithë procedurës. Unë s’kam qenë drejtore e përgjithshme e Doganave, e megjithatë nuk e di kush është kujdesur që të më rëndojë dhe dëmtojë padrejtësisht”, tha ajo.

Duket qartë që Kraja bën përgjegjëse ish-drejtoreshën e Doganave për shkeljet në tender. Elisa Spiropali nuk është thirrur në prokurori, por nga ajo që thotë ish vartësja e saj, kjo është thjesht çështje kohe.

Një pjesë nga intervista:

Së fundi, ju kam parë emrin në raportin e KLSH-së për të zhdëmtuar pagesat e inxhinierëve kinezë, që riparuan skanerin e kontejnerëve “Nuctech” në Portin e Durrësit…

Po. Fatkeqësisht ka disa kohë, që skaneri i kontejnerëve më del në ëndërr. Situata është absurde, se nënshkrimi im nuk është i mjaftueshëm ligjërisht për të përmbyllur një procedurë prokurimi, pasi është kompetencë e titullarit të autoritetit kontraktor organizimi dhe realizimi i gjithë procedurës.

Unë s’kam qenë drejtore e përgjithshme e Doganave, e megjithatë nuk e di kush është kujdesur që të më rëndojë dhe dëmtojë padrejtësisht. Gjithsesi, ka shumë persona që e dinë, se që në vitin 2008, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave i është dhuruar një skaner urë (i lëvizshëm) me rreze X, i prodhuar dhe i instaluar nga shoqëria “Nuctech”.

Ky dhurim është bërë në kuadër të një marrëveshje ndërkombëtare, mes qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, e më pas dy palët kontraktore, të autorizuara nga qeveritë respektive, përkatësisht: “Nuctech Company” dhe Doganat kanë nënshkruar një kontratë të detajuar, ku pala “Nuctech” merr përsipër ta instalojë sistemin e skanimit dhe ta mirëmbajë për një vit gjatë garancisë, si dhe nga ana tjetër, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave merr përsipër të garantojë të drejtën e pronësisë intelektuale dhe sekretet tregtare, teknologjitë e fshehta “knoë hoë” dhe të mos i bëjë publike pa miratimin me shkrim të kësaj shoqërie.

Pas periudhës së garancisë, mirëmbajtja, shërbimet, etj., do të negocioheshin në mënyrë miqësore mes palëve. Rezultoi se që nga viti 2012, dikush e ka nxjerrë jashtë përdorimit këtë skaner, që është shumë i kushtueshëm, ose për interesa të kalimit të kontejnerëve pa kontroll, ose për t’i hapur rrugë kontratës koncensionare, ose të dyja bashkë.

Gjithsesi përfaqësuesit e kësaj shoqërie në fillim të vitit 2014 kanë ardhur në takim te ministri i Financave dhe nga ana e tij, me të drejtë u është kërkuar që ta investigojnë në vend nëse ky skaner riparohet apo ka dalë përgjithmonë jashtë përdorimit.

Nga ana e inxhinierëve kinezë është paraqitur një akt konstatimi me listën e punimeve dhe çmimet përkatëse. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për të luftuar kontrabandën që mund të kryhej me kontejnerë, e riparoi këtë skaner me të ardhurat e krijuara nga sanksionet doganore. Skaneri punoi rregullisht nga dhjetori 2014 e në vijim. Bizneset janë skanuar aty pa pagesë, se është pajisje në pronësi të Doganës. /Dita/

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *