E nderuara redaksi e gazetës DITA dhe kryeredaktori Thano. Gjatë kësaj jave në Lezhë, më rastisi të isha i pranishëm në një takim të kryeministrit Rama. Vura re që një miku im kërkonte të merrte fjalën, por takimi u mbyll. E pashë të shqetësuar dhe e ftova për një kafe, por e refuzoi. Në këmbë më tha që ne nuk i duam të keqen Partisë Socialiste dhe koalicionit të majtë, se gjithmonë ua kemi dhënë votën, por unë i kam shkruar letra dhe e-mail-e Ramës dhe disa ministrave, e nuk marrë asnjë përgjigje prej disa muajsh.
Le që të kërkosh takim tek ndonjë ministër apo vartësit e tyre për ndonjë hall, është plotësisht e pamundur. Të paktën të kthejnë përgjigjen e letrave për të cilin ka dhe ligj që i detyron të përgjigjet brenda 40 ditësh.
Tjetra është se ne e dimë se Viktor Tusha për mandatin katërvjeçar që po mbaron ka pasur detyrime të shërbejë elektoratin e djathtë, pasi është votuar prej tij, duke pasur dhe administratën e atij krahu, po tani që do të zgjidhet nga koalicioni i majtë si do të bëjë? Do të vazhdojë të punojë me atë personel administrativ? Kam komunikuar në zyrat e Bashkisë, por ndonjëri prej tyre edhe më ka paragjykuar sa kam hyrë në zyrë duke më thënë se je komunist! Nuk e prisja një shprehje të tillë nga nëpunësi i shtetit.
Kam pasur dhe rast tjetër kur kam kërkuar ndonjë dispozitë ligjore dhe më kanë rekomanduar që t’i gjej në internet, a thua se gjithë populli e ka këtë mundësi.
Ja pra për këto doja t’i bëja pyetje kryeministrit të vendit tim, por nuk qe e thënë.
Letër e nënshkruar
Pjetër Bubaj
