Pylli i torturave të CIA-s në Poloni

anazapta

 

 Varshava akuzohet nga Këshilli i Evropës për dhunimin e të drejtave të njeriut sepse ka autorizuar ndërtimin e një burgu të shërbimeve sekrete amerikane kundër terroristëve në qytezën Stare Kiejkuti. KE-ja ka nisur procedurat ligjore kundër Polonisë për torturimin e dhjetëra persona të dyshuar si terroristë të lidhur me Al Kaedën dhe me fondamentalizmin islamik

Vetëm 3 orë larg Varshavës, Stare Kiejkuti është një qytezë e Polonisë e vendosur në një mjedis idilik. Pyjet e dendura në periferi janë një peisazh i këndshëm për turistët e paktë që e vizitojnë, por ato përmbajnë edhe hapësira të padukshme për sytë e publikut. Në njërën prej tyre CIA ndërtoi një burg sekret midis viteve 2002-2003, i cili përdorej për të marrë në pyetje dhe torturuar persona të dyshuar për terrorizëm. Operacionet sekrete të shërbimeve të inteligjencës amerikane në Poloni u autorizuan nga qeveria polake e vitit 2002 e që tani mohon se ka qenë ndonjëherë në dijeni të ekzistencës së tij.

Afër qytetit ndodhet aeroporti “Szymany”, ku uleshin duke paguar taksa shumë më të larta se ato të zakonshmet të kërkuara nga kompanitë e fluturimit, aeroplanë që transportonin të burgosurit e CIA-s. Gjatë këtyre ditëve raportime të shumta pohojnë se shërbimet sekrete amerikane kanë bashkëpunuar me më shumë se 50 qeveri të ndryshme për të marrë në pyetje persona të akuzuar për terrorizëm, duke përdorur struktura të sigurisë të cilat bien ndesh me Konventën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, si edhe me ligjet në fuqi të vendeve të përfshira.

Miratimi i Polonisë

Kur një burg sekret i Tailandës i përdorur nga CIA u mbyll për shkak të presioneve, SHBA-ja iu drejtua Polonisë besnike, e cila në atë kohë ishte hedhur në krahun e atyre që e favorizonin luftën në Irak. Burgu i ri i shërbimeve sekrete amerikane u hap në qytezën polake në atë që quhet “Zona B”. Vetëm agjentët e CIA-s dhe ‘miqtë’ e tyre lejoheshin të hynin në burgun që kishte marrë emrin e koduar “Quartz”.

Sipas raportit të Këshillit të Evropës në aeroportin “Szymany” janë ulur të paktën shtatë aeroplanë nga 5 dhjetori i vitit 2002 deri më 22 shtatorin të vitit 2003. Numri i të burgosurve të sjellë aty mendohet se shkon midis 8 dhe 12 personave të dyshuar për terrorizëm, të gjithë të nënshtruar ndaj hetimeve të rënda që përfundonin në torturë. Programi i këtyre fluturimeve është falsifikuar në mënyrë sistematike, me qëllimin zhdukjen e çdo gjurme të operacioneve që CIA, nën urdhrin e administratës Bush, i ndërmerrte në fshehtësinë më të madhe.

Kur në vitin 2005 “Washington Post” zbuloi ekzistencën Stare Kiejkutys, gazeta hoqi dorë nga publikimi i lajmit me kërkesën e prerë të qeverisë amerikane. E përditshmja gjermane “Süddeutsche Zeitung” nënvizon faktin se presidentit polak, Aleksander Kvasniveski, i ishte mbajtur e fshehur e gjithë çështja. Gjatë një vizite të tij në vitin 2003, Xhorxh W. Bush e falenderoi presidentin për mbështetjen në operacionet që shërbimet sekrete polake i kishin dhënë CIA-s. “Mesa duket Kvasniveski nuk ishte në dijeni të faktit që SHBA-ja operonte në një burg të ndërtuar në vendin e tij”, thekson gazeta gjermane.

Polonia nën shok

Pas kësaj, presidenti i Polonisë urdhëroi mbylljen e burgut të Stare Kiejkuti, ndërsa CIA e nisi aeroplanin e fundit me të burgosurit e saj në fund të vitit 2003. Çështja do të kishte mbetur në hije, po të mos ishte për një dokument të Kryqit të Kuq, në të cilin hidhej dritë për atë që kishte ndodhur në qytezën polake. Dy islamikë të akuzuar si terroristë Abd al Rahim al Nashiri dhe Abu Zubaydah, të torturuar në burgun “Quartz” e kanë paditur qeverinë polake. Që nga viti 2008 e deri më sot çështja ishte mbyllur nga magjistratura e vendit evropianolindor, por ajo është hapur sërish falë denoncimit të Këshillit të Evropës.

Çështja po trondit Varshavën. Atje liderët politikë të së shkuarës dhe ata aktualët i hedhin përgjegjësinë njëri-tjetrit mbi autorizimin e burgut sekret dhe për faktin e mbajtjes së veprimtarisë së tij të fshehtë gjathë gjithë këtyre viteve. Lesek Miller, në atë kohë kryeministër, i përgënjeshtron referimet se qeveria e kishte autorizuar burgun në fjalë edhe pse ekzistojnë dokumente të ndryshme me firmën e tij, të cilat vërtetojnë të kundërtën.

 

Përgatiti: Dorina Gjuzi

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *