Në editorialin e vet te Tema, Mero Baze komentonte sot për çeljen e fushatës elektorale të PD-së në Tiranë, duke shtuar në fund, me shaka, mes risive të pakta të këtij takimi, ishte edhe fakti që pjesëmarrësit kishin brohoritur “Ka-qi, Ka-qi”, për të përshëndetur Kastriot Islamin.
Mbase është brohoritur vërtet kështu, mbase është vetëm fjala për një thumb të Bazes. Megjithatë, përdorimi prej autorit i formës Kaqi, në vend të Kaçi (si shkurtim i Kastriot) tërheq vëmendjen menjëherë, dhe jo vetëm për leximin alternativ që mund t’i bëhet sintagmës Ka-qi.
Në fakt, rrëshqitja e ç-së në q ndeshet në të folmet e Kosovës. Dhe nëse lexuesit e Bazes e kapin këtë aluzion, atëherë do ta interpretojnë thumbin e autorit edhe si vënie në dukje të një elementi jo tiranas, në thelb “mercenar”, në mbledhjen në fjalë; si edhe do të kujtohen për faktin e trishtuar që një pjesë e madhe e qytetarëve shqiptarë të Kosovës mbështetin politikisht Berishën.
Natyrisht, sa kohë që këta burra e gra nuk vijnë të votojnë në Tiranë për heroin e tyre, simpatitë e tyre politike nuk i bëjnë dëm kujt; ose ngrenë po aq peshë, sa edhe adhurimi për Enver Hoxhën në Ferizaj –për të sjellë një krahasim.
Për t’i identifikuar këta mysafirë (hipotetikë) në një veprimtari politike lokale të PD-së, Baze ka përdorur një shibboleth, dhe pikërisht shqiptimin jostandard të ç-së prej shumë shqiptarëve nga Kosova; dhe përzierja e fonemës ç me q-në, në disa të folme të gegërishtes verilindore.
Kemi pasur rastin të analizojmë, në këtë blog, atë lloj publicistike që përdor veçoritë krahinore në të folurën e një personazhi, për ta karakterizuar këtë si negativ.
Përtej atij shkrimi, madje përtej edhe këtij të Bazes sot, duket sikur prirja për të pikasur bindjet dhe besnikëritë politike të dikujt, sipas dialektit ose “defekteve” në shqiptim, tashmë ka zënë rrënjë në mendësinë kolektive.
Ideja është se përkrahësit e Berishës do të dallohen, ngaqë thonë qfarë, jo çfarë; përveq, jo përveç, e kështu me radhë; një shmangie kjo që tingëllon veçanërisht e papranueshme për pjesën më të madhe të folësve të shqipes, në Shqipëri.
Po aq e papranueshme, që të mos keqkuptohemi, sa edhe shqiptimi idhi që do t’ia bënin fjalës ylli në Gjirokastër – në të dy rastet, shmangia çon në përzierjen e dy fonemave (ç/q në rastin e parë; y/i në rastin e dytë); ose në pështjellim të sistemit fonematik, jo thjesht të nyjëtimit të kësaj apo të asaj foneme (siç do të ishte, bie fjala, hundorësia).
Prapë se prapë, shqiptari është mësuar me shmangie të tilla, të cilat i dëgjon nga të gjitha anët, veçanërisht në mjedise të hapura qytetare, si ato të Tiranës, ku përzihen dialekte e të folme shqipe të gjithfarshme.
Prandaj unë besoj se ky përdorim specifik, i shmangies ç/q, për të veçuar kosovarët, si kolektiv shqipfolës i pranishëm në diskursin publik jo vetëm për shkak të prejardhjes krahinore por edhe, me metonimi, të bindjeve politike (pro-Berishë) nuk është thjesht produkt i refuzimit që i bëhet tjetrit, në bazë të dallesave në të folur.
Në një debat online të para ca ditëve, ku diskutohej katapultimi i botuesit Koço Kokëdhima në krye të listave elektorale të PS-së, pashë se disa pjesëmarrës Koços në fjalë ia shkruanin emrin Koqo.
Meqë ca prej këtyre e di me siguri se nuk janë nga Kosova, atëherë mund të supozoj, me po aq siguri, se grafia Koqo është ironike, dhe i thotë lexuesit: shih, unë po e shkruaj ashtu siç do ta thoshte/shkruante një kosovar, që ti ta kesh parasysh se kosovarët kanë një qëndrim të tyrin shumë specifik për këtë punë…
Natyrisht, edhe këtu përshoqërimi i Koqo me fjalën koqe luan rolin e vet në ndërtimin dhe përcjelljen e efektit ironik.
Debate të tilla online, me pjesëmarrje masive anonimësh, mes të cilëve shumë edhe nga Kosova, më bëjnë të mendoj se shndërrimi i q-së kosovare në shibboleth ka ndodhur pikërisht në rrafshin e shqipes së shkruar bisedore, ose të asaj shqipeje që lexon rëndom në forumet dhe komentet online.
Gjithsekush prej nesh ruan, në të folur, gjurmët e të folmes nga vjen; ose gjurmë të folmesh që i ka marrë prej të tjerëve. (Në qoftë se unë kaloj shumë kohë në shoqëri të A, dhe pastaj takohem me B, gjasat janë që B ta dallojë që unë kam ndenjur shpesh me A thjesht duke nuhatur disa nuanca dhe shmangie në të folurit tim, që përndryshe janë karakteristikë e A-së.)
Për shembull, megjithë formimin e mirë që kam në shqipe, unë e ngatërroj ndonjëherë, kur flas, rasën e zhdrejtë të përemrit vetor dhe them “për ti kam ardhur” (në vend të për ty kam ardhur); ose bëj një gabim të kundërt (hiperkorrekt) dhe them “nga ty e kam marrë vesh” (në vend të nga ti e kam marrë vesh).
Megjithatë, si rregull, kur shkruaj unë s’i bëj gabime të tilla dhe ua pikas të tjerëve kur i bëjnë; sepse fonetikën e shqipes e kam mësuar vërtet në shtëpi dhe në rrugë, por si ta shkruaj shqipen e kam mësuar në shkollë.
Vërtet, ka nga ata mes nesh që shkruajnë një shqipe alternative – për shembull, në të folmen e Tiranës, e cila përdoret si zhargon i regjistrit të thjeshtë ose edhe bisedor; ose në gegnishten veriperëndimore, për t’u pozicionuar politikisht ndaj standardit.
Por, në këto raste, zgjedhja e shqipes alternative, me trajta dialektore, është e vetëdijshme; ose bëhet nga shkrues që janë në gjendje të shkruajnë në standard, por që preferojnë, për çfarëdo arsyeje, që të mos e bëjnë.
Përkundrazi, në të njëjtat mjedise, pjesëmarrësit në debat pas gjase nga Kosova, priren të shkruajnë q në vend të ç-së jo për të treguar se janë nga Kosova ose për ndonjë arsye tjetër diskursive, por ngaqë nuk e zotërojnë shqipen e shkruar standarde.
Arsyeja për këtë hipotezë timen është se ngatërrimi i ç-së me q-në fut në krizë sistemin fonologjik të gjuhës (ndërsa të thuash e kom lexu në vend të e kam lexuar nuk e prek atë sistem); prandaj çdokush që e zotëron sistemin, qoftë edhe në nivelin e arsimit të detyruar, do ta kishte shmangur.
Për ta kuptuar shtrirjen e dukurisë, po mjaftohem të shtoj se togfjalëshi “qfarë është” del 5.5 milion herë në Google; ndërsa “qka është” 604,000 herë; të dhëna që konfirmojnë dyshimin tim se kjo q zëvendësuese e ç-së shqetëson jo në shqiptim, por kur përdoret në shqipen e shkruar, qoftë edhe të regjistrit bisedor.
Dhe shqetëson jo sepse është shndërruar në shibboleth të kosovarit të pashkolluar, por ngaqë – duke sjellë pështjellim në sistemin e bashkëtingëlloreve të shqipes – përjetohet si kërcënim ndaj identitetit qytetar ekzistues, së paku në Shqipëri.
Sikurse shqetëson edhe ngaqë, për pjesën tjetër të shqipfolësve, shihet si një mangësi, si një handikap që tradhton një lloj specifik analfabetizmi.
Që dukuria është jashtë kontrolli, në Kosovë, këtë e provon fakti që ngatërresën ç/q e gjen deri edhe në faqe institucionale të universiteteve, si kjo këtu, e Fakultetit të Shkencave Sportive të Universitetit të Prishtinës.
Më në fund, kombinimi i arsimit të mangët me militantizmin politik mund të jetë tepër shpërthyes – që këtej edhe ironia e Mero Bazes, në shkrimin që citova në krye.
E keqja e Internetit është se fjalëve të shkruara u dalin krahë që i largojnë, fluturim, nga subjekti që i ka shkruar. Kushdo mund ta zëvendësojë ç-në me q, në një koment anonim, dhe të lexohet si të ishte nga Kosova – përtej efektit thjesht parodik, si ai me emrin Koqo.
Rrethanat janë kristalizuar të tilla, që fjalë si qka, qfarë dhe qështje të shënjojnë jo thjesht prejardhjen krahinore të shkruesit, por edhe ta lidhin, dashur pa dashur, vrazhdësinë dhe padijen online me të qenët shqiptar i Kosovës; dhe t’i paraqitin këta shqiptarë të Kosovës si militantë politikë të pagdhendur, të cilët përkrahin, për arsye vetëm krahinore dhe tribale, një kauzë politike tashmë të komprometuar, si ajo e Berishës; komprometim të cilin kundërshtarët duan ndonjëherë ta paraqitin edhe si pasojë të tribalizmit tipik të këtij politikani; dhe përçarjes që kanë sjellë politikat e tij mes shqiptarëve.
Dhe ky stereotipizim negativ vërtet duhet të shqetësojë, sidomos sa kohë që afrimi i Shqipërisë me Kosovën duhet të jetë në rendin e ditës të çdo force politike, në të dy anët e kufirit, për të përfituar nga koniunktura jashtëzakonisht e favorshme për shqiptarët sot në Ballkan.
Reperkusionet e dukurisë janë të shumta dhe nuk mund të mbulohen me një shkrim të vetëm; prandaj këtu dua vetëm ta mbyll duke vërejtur se përfshirja e shqiptarëve të Kosovës, e të gjithë shqiptarëve të Kosovës, pavarësisht prej bindjeve politike, statusit shoqëror dhe formimit arsimor, në komunikimin mbarëkombëtar do të kërkonte – si kusht minimal – zotërimin e shqipes standard; madje edhe atëherë kur, për bindje politike ose kulturore specifike, disa prej tyre dëshirojnë ta refuzojnë atë standard dhe të praktikojnë forma alternative.
Dyndja në diskursin publik, qoftë edhe të nivelit fare të ulët, e q-ve në vend të ç-ve tradhton një pamundësi për të kontrolluar të folmen (dhe të shkruarën), për shkak të mangësive arsimore në gjuhën amtare. Është kjo pamundësi që, kur shoqërohet me indiferencë, ose, më keq akoma, kur nxitet për arsye politike ose kulturore separatiste, do të perceptohet prej të tjerëve si refuzim i qytetarisë shqiptare. *Peizazhe të Fjalës

Akoma mereni me ate M.T cobani,njeri i pafytyre.
Respekte Zotëri!
Kemi aq shumë nevojë per të tilla shkrime!aq shumë…….
Megjithatë, me sa di unë, ka edhe një të folme tjetër ne Shqipëri që, për arsye të shpjeguara nga Zoti Beci, dallohet për të njëjtin “gabim fonetik” dmth të ç/q, që është e folmja e anës lindore të qytetit të Shkodrës. Shmangie të tilla i dëgjon rëndom ne parlamentin shqiptar, sidomos nga kryeparlamentarja shqiptare. Dhe jo vetëm në kundërveniet ç/q, por edhe ne të tilla, si xh/gj, ll/dh etj.
Lexoj me shumë kënaqësi çdo shkrim tuajin. Të gjithë kemi nevojë t’i lexojmë e gazetat tona duhet t’i lënë me shumë vend shkrimeve të tilla.
Ju përgëzoj jo vetëm per këtë sintezë të sotmen por për të gjithë të tjerat të botuara në faqet e shtypit shqiptar.
Sa here ka fushat per zgjedhje te parlamentin e ka te sigurt nje rrahje.
Z.Vehbiu si gjithmone gjuhetar i zoti,por edhe realist ne problemet Kombetare!
Problemi ne te shprehurin e shqipes nga Kosovaret,eshte nje problem qe duhet riparuar radikalisht,ne rast se flasim per nje Komb,ne rast te kundert ashtu sic duan ta ironizojne emrin KOCO ne KOQO atehere kemi te bejme me Nacionalizmin ekstrem,nje dukuri per Koqevaret ne vendet perendimore,te cilet urejne edhe femijen e djepit te besimit Ortodoks!
Kjo me kujton librat e Bertol Brehtit ne lidhje me Nacional-Socializmin Gjerman te Hitlerit!
Përgëzime për artikullin tuaj,Dua të shtroj pyetjen,se a është veprimtaria e derisotshme e Saliut vetëm e tipit tribal,pra me mendësitë gjenetike të lidhura me vendlindjen e tij,apo ka edhe shtytje të ndërgjegjëshme,të orkestruara bukur dhe të fshehura me ,,,luftën politike…!?
@skandro
Edhe e vë në dyshim se veprimtaria e derisotme e SRB-it eshte e orkestruar bukur dhe e fshehur me…luften politike?! Po ky do te ishte naivitet, miopi
Ai eshte MISIONAR i klaneve me te rrezikshme antishqiptare, qe, per fat te keq, ka korrur “suksese” te paimagjinueshme me “voten” e ne “fermen” e shqiptareve.
Asnje monark, me njohurite qe kam, nuk eshte sjelle dhe nuk vazhdon te sillet keshtu me popullin e vet dhe, ky e ka tejkaluar qindrafish premtimin e tij te paszgjedhjeve politike te 1997-es qe “do t’ua ngrij buzeqeshjen ne buze”, pra popullit te vet. Kur thua misionar, a nuk mund te merret si Pika e para dhe e fundit e platformes se tij, te bere publike dhe te zbatuar ne praktike?
Prof. Rexhep Qosja e ka zberthyer mire e disa here se kush eshte e tek SRB-i. Edhe mjaft te tjere. Me vjen keq, shpesh here per opoziten qe e sheh te etapizuar MISIONIN E SRB-it nga Gerdeci e ketej dhe nuk ka vizionin per te pare dhe per t’ia thene perhere e me qarte, me trimerisht, me troç me te argumentuar se cfare i ka bere ketij populli dhe KOMBI ky MISIONAR i antishqiptarizmit. Brockullitjet e tij histerike dhe produkti qe ka krijuar kane “krijuar frike”, sic pashe sot te “Dita” per Dr. Kamberin. Sot gjykohet MISIONARI SRB-i, jo me pak do te gjykohet edhe inteligjenca reale e ketij vendi, suslleku i tyre. Kur do te flasin ata me tere forcen e tyre? Kur ky MISIONAR ANTISHQIPTAR te grabise edhe mandatin tjeter dhe te fuse vendin nen nje sirizem gjakderdhjeje? Se nqs i shohin rruge tjeter, le ta thone. Vendi ka 22 vjet qe shkon te kutia e votimit dhe i vidhet vota, hapur. Qeveris nje BANDE. Bota ka ngritur alarmin, po e atrofizuar ne strukturat e saj nuk ndihmon (perjashtuar keshillat pa hesap) per ta shporrur kete DIKTATOR TE PASKRUPULLT E SHUME TE RREZIKSHEM PER SOT E TE ARDHMEN. C’alternative mbetet? A nuk e deshiron serish SRB-i pikerisht kete perballje? Natyrisht. Ky eshte dhe fundi i misionit te tij.