Qarkorja e Llallës: Më pak arreste me burg, shtoni hetimet me iniciativën tonë

Elton Tafaruci

Prokuroria e Përgjithshme kërkon nga trupa e prokurorëve që të zbatojnë parimin e proporcionalitetit në kërkesat drejtuar gjykatës për aplikimin e masave të sigurisë “arrest në burg”.

Në përfundim të analizave vjetore, si edhe duke reflektuar shqetësimin e Ministrisë së Drejtësisë për mbipopullimin e ambjenteve të paraburgimit, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka miratuar një Qarkore, në të cilën kërkohet nga prokurorët që të jenë të kujdesshëm në aplikimin e masave ekstreme të sigurisë.

Po ashtu, në qarkore, Prokurori i Përgjithshëm kërkon edhe rritjen e numrit të hetimeve kryesisht, me iniciativë të prokurorit, si edhe të shtohet numri i rasteve të gjykimit të drejtëpërdrejtë.

Numri i lartë i personave në ambjentet e paraburgimit vijon të krijojë një situatë shqetësuese, e cila i është përcjellë Prokurorisë edhe nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Nga të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve rezulton se në sistemin e burgjeve, për periudhën Janar – Dhjetor 2015, janë trajtuar 2962 të paraburgosur.

Po ashtu, referuar statistikave të vitit 2015, Prokuroria e Përgjithshme konstaton se është e nevojshme rritja e numrit të hetimeve kryesisht. Në Qarkore theksohet se “.. Pavarësisht diskrecionit që ligji i njeh prokurorit, numri i rasteve të filluara kryesisht nga prokurorët është sërish i ulët”. Nisur nga numri i ulët i referimeve të dorëzuara në Prokurori nga agjencitë e tjera ligjzbatuese, Prokuroria e Përgjithshme kërkon rritjen e numrit të hetimeve, sidomos për çështjet e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës”.

Gjithashtu, në Qarkore, Prokuroria e Përgjithshme kërkon impenjimin e trupës së prokurorëve për të aplikuar më shpesh gjykimin e drejtëpërdrejtë. Ky lloj gjykimi i posaçëm është i lidhur me situatat, ku nuk ka nevojë për hetime të tjera dhe fajësia e të pandehurit është e qartë që në aktet paraprake.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *