Qarkullonin të dehur, arrestohen 5 shoferë, 3 nën hetim për kundërshtim, harta e ndalimeve

Ornela

Pavarësisht urdhrave të rreptë të ndalim-qarkullimit që ka nisur prej dy ditësh, shoferët vijojnë të jenë të pabindur.

Policia e Shtetit ka arrestuar pas kontrolleve në postblloqet e ngritura në Tiranë dhe rrethe 5 shoferë të dehur në alkool, një tjetër për kundërshtim të forcave në postbllok dhe 3 u morën nën akuzë në gjendje të lirë po për kundërshtim të urdhrave të ndalim-qarkullimit.

Këto penalitete u morën nga ora 06:00 e të premtes, deri në 06:00 të ditës së sotme. I pari u kap në Tiranë N.M., 32 vjeç, i cili qarkullonte të “Rruga e Kavajës” me veturën e tij tip “Opel” dhe nga kontrolli i kryer rezultoi në gjendje të dehur me 1,11 mg/l alkool në gjak. Në Vlorë, policia prangosi M.Rr., 31 vjeç, në rrugën “Osman Haxhiu”, teksa drejtonte makinën “Fiat Punto” në gjendje të dehur.

Edhe në Fier u kap E.H., 31 vjeç, pasi te vendi “Vija e ngjalës”, drejtonte mjetin në gjendje të dehur, kurse në Lushnjë u ndalua L.V., 41 vjeç, i cili udhëtonte drejt Rrogozhinës i dehur në timon. Shoferi i fundit i dehur u kap nga patrullat e Elbasanit, A.M., 53 vjeç, që udhëtonte drejt Librazhdit me makinën “Fiat Punto” dhe me 0,68 mg/l alkool në gjak. Në Shkodër u arrestua Gj.D., 45 vjeç, pasi ka kundërshtuar postbllokun në shërbim duke thyer masat e ndalim-qarkullimit si dhe sulmuar efektivët, teksa lëvizte me mjetin “Benz”, afër sheshit të Parrucës.

Burime zyrtare njoftuan se shërbimet kanë marrë nën hetim edhe 3 qytetarë të tjerë për akuzën”mosbindja e urdhrit të policisë”, por në gjendje të lirë. Në njoftimin zyrtar, PSH paralajmëroi edhe një herë drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët që “të mos shkelin urdhrat e vendosur për kufizim të lëvizjes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, pasi ndryshe do të ndëshkohen”.

a.q/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *