Letër e hapur për Ben Blushin
Jam një dashamir i letërsisë shqiptare, po se po, por dhe asaj të huaj. Si dashamir pasionant, kam guxuar dhe të shkruaj: si në prozë dhe në poezi; por dhe reçenca për libra dhe autorë që më kanë pëlqyer. Natyrisht, ky “guxim krijues” imi, ka shpërthyer në vitet e demokracisë, sado që nga mosha jam pak më i madh dhe se babai juaj, Kiçoja. Pra, kam hyrë në valle vonë, fare vonë për arsye subjektive. Në regjimin e kaluar nuk kisha”licencë” për të shkruar dhe nuk e rrah dot gjoksin se isha trim dhe nuk e njihja frikën. Unë qeshë djegur nga qulli dhe i fryja kosit. Me grupin e dytë deputetëve me Riza Dani e Co… më qe pushkatuar xhaxhai im, Hilmi Hysi, në moshën 35 vjeç, sado që kish ndihmuar Enver Hoxhën në kohën e fashizmit. Për të mos u zgjatur, e kam kaluar Rubikonin në fushën e letërsisë me 9 libra me poezi dhe pesë në prozë.
Po ta shohësh letrën time, ta kam shkruar pak elbasançe, me atë thirrjen “Qasu tytje”. Ti je nip në Elbasan dhe e di mirë që kur elbasanasit të thonë “Qasu tytje”, të kanë thënë largohu. Dhe unë, sado myzeqar që jam, po të bëj thirrje: Ben Blushi, hiqu nga Elbasani! Se, ta dish ti dhe gjithë ata që lexojnë këtë letër, unë jam fierak nga Elbasani.
Elbasani më del në ëndërr me ata njerëz aq të mirë. Profesorët e mi, gati të gjithë kishin mbaruar në perëndim dhe u ndritnin jo vetëm këmishat që i ndërronin për ditë, por dhe si mësimdhënës ishin model. Kam kënduar për ta në shkrimet e mia që nuk kam se si e mohoj: nuk kanë atë “grintën” e rëndë tuajën. Në formë sentence tek libri “Kandidati”, paske shkruar: – “…në Basen gjeje shumë mish dhe nuk gjeje asnjë burrë të pastër dhe asnjë grua të bukur!!!”. Mua as më duhet në shkruan me imagjinatë apo i bie pragut që të dëgjojë dera; as në i mbreh qetë me Bashkiakun aktual. Mua më duhet ajo thënia e turpshme, ku je treguar aq narcizist sa më kall krupën. Ke sindromën e njeriut që matet me hijen e mëngjesit.
Sillesh dhe stërsillesh me një personalitet si Lef Nosi që elbasanllinjtë e duan. Nëse elbasanllinjtë nuk e donin, nuk do lejonin që atij t’i ngrihej ai bust. Ke një urrejtje patologjike kundër tij dhe kapesh veç prej një “verige”. Ka qenë kuisling, – thua dhe bën thirrje që ta marrin zvarrë. Ti nuk je i kënaqur që e pushkatuan, por dhe ta tërheqin zvarrë? E ke nga patriotizmi apo? Duket është fare pa shkak urrejtja jote për Lef Nosin dhe, ndoshta, të del në gjumë aty, pas librave të tij, në bibliotekë. Se kështu thotë Mitrushi që nuk zbraz fishekë kot dhe, që ta dish mirë, të ndjerin Mustafa Greblleshi unë e kam patur mik. Dhe, për të qenë i drejtpërdrejtë me ty, gjyshin tuaj të ndjerë, Dhimitrin, e kam dashur dhe, pavarësisht të thënave, në gjykimin tim, është një tregimtar i dashur. Ç’thuhet pastaj për të tjerat, do të thosha: S’ka iksan, pa noksan.
Mund të vazhdoja dhe më, po këto gjëra ti i di më mirë se kot nuk je deputet (dhe grefosesh: nuk vete kam dy javë!). Po mos shko, se duke mos vajtur i përfaqëson më mirë ata votues…
Nga Përparim Hysi
