Që mos fërkojnë ata barkun nesër

redaktor

Opinion i nënshkruar

Redjan Shabani, Shkodër

 

Hakërrimi i analistëve shqiptarë kundër politikave të qeverisë Cipras që po e çojnë vendin drejt falimentit ka qenë i menjëhershëm. Në sintoni me burokratët evropianë edhe analistët tanë e kanë konsideruar të gabuar thirrjen e referendumit për të parë mendimin e popullit ne lidhje me marrëveshjen që ofrojnë kreditorët.

Mendoj se kryeministri Cipras dhe ministri i financave Varufakis kanë qenë të qartë në pozicionin e tyre, pra kundër marrëveshjes së parashtruar deri tani. Gjithashtu kanë lënë të kuptohet se në rast se vota do anojë nga kreditorët atëherë do të jenë të nevojshme zgjedhjet e parakohshme që do të kenë objektiv zgjedhjen e një qeverie me mandat vënien në jetë të marrëveshjes.

Lëvizja Siriza ka ardhur në pushtet duke shprehur hapur qëndrimin kundër diktatit të Troikës së përbërë nga Banka Evropiane, Komisioni Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, prandaj mund edhe të mos thërriste referendum duke grisur ç’do lloj propozimi të ardhur nga Troika me argumentin se zgjedhësit tashmë na kanë mandatuar neve.

Kam bindjen se nëse në vendin e Greqisë do të ishte ndonjë vend tjetër me të cilin nuk jemi shumë të lidhur me emocione negative, as ne si popull dhe as analistët tanë si materializim i opinionit publik, nuk do të provonim këtë kënaqësi duke parë fqinjët që po i merr lumi.

Por, nëse nuk na intereson fati i grekëve, duhet të na interesojë e ardhmja që i parashtrohet një vendi, qeveria e të cilit merr borxhe pa i thënë zgjedhësve se do të jenë ata që do i kenë në kurriz të gjitha pasojat e mos shlyerjes. Këta që sot na duken si miqtë tanë më të mirë në rrugën e ringritjes së ekonomisë dhe integrimit në Bashkimit Evropian, nëse një ditë do të katandisemi si Greqia, do të bëhen armiqtë tanë më egër dhe atë ditë edhe fqinjët tanë grekë do të fërkojnë barkun ashtu si po bëjmë neve sot.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *