Letër e nënshkruar
Ilia Berberi
Reforma në drejtësi po pritet me interes, pse jo dhe me padurim nga të gjithë shqiptarët, sepse pa një drejtësi ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit, nuk mund të ketë një shoqëri të emancipuar dhe të denje në bashkësinë europiane, ku dhe kemi drejtuar busullën tonë.
Nga (ç)drejtësia e deritanishme, shumë njerëz janë sfilitur, fyer e nëpërkëmbur dyerve të gjykatave, e thënë “vençe”, kanë “lënë leshtë” dhe kanë dalë me gisht në gojë, në të kundërt togat e zeza kanë zhvatur pjesën e luanit, kuptohet nën bekimin e pushtetarëve të cilët kanë qenë violinë e parë dhe sot të dy palët notojnë në pasuri e luks.
“Ekskluziviteti” i të emëruarit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga qeveria e djeshme, nënkupton “kapjen” e këtij sistemi, “prodhimin” e plepistëve me kurse 6 mujore (për 6 muaj s’bëhesh dot as berber), kanë pasur si qëllim “fortifikimin” e mega-vjedhjeve apo krimeve të tyre.
Bie në sy përpjekja që po bëhet për të axhustuar ( ujdisur) këtë reformë apo për ta shtyrë në kalendat greke. Djalli e ka frikë temjanin. Por shqiptarët kurrë nuk do të gjejnë paqe pa u ndëshkuar krimet e 26 të vrarëve të Gërdecit (Hiroshimës), vrasjet e 21 Janarit, firmosja e 350 km2 det që për të njëjtin veprim djaloshi shqiptar Avni Rustemi, i bëri “lulen” në ballë Esat Toptanit, apo vjedhja në Rrugën e Kombit së cilës i janë ngrënë paratë dhe sot ajo ka mbetur e gjymtuar.
Prandaj, reforma do marrë bekimin e popullit, kur të shohë që shkaktarët e vuajtjeve të tij të marrin dënimin e merituar, thënë ndryshe “të pashaportizohen” mbrapa hekurave dhe pasuria e tyre e vënë nga qytetarët t’ju konfiskohet. Me shprese se ligji, si u vonua, nuk do të harrojë. Vetëm kështu nuk do të themi se u mbars mali e polli një mi. Përshëndetje Dita! Ilia Berberi, Pogradec.
