Një shkrim botuar dje në një të përditshme thoshte se prokurori i ri ishte një dëshirë e ambasadorëve dhe arriti të “vinte poshtë” kandidaturat e tjera vetëm sepse “e kishte mirë me të dyja palët”.
Nëse z.Llalla është zgjedhur me këtë kriter, pritshmëritë që të kemi më në fund një prokurori trime dhe aktive, janë afër zeros.
Megjithatë këto janë hamendje. Testi i vërtetë për Prokurorin e ri, vjen pas kësaj.
Janë rikthyer javët e fundit arrestimet- shou që bëhen përpara kamerave (si ky i fundit në Rinas) që të shohë publiku që po luftohet “rëndshëm” krimi dhe korrupsioni. Nuk e dimë nëse z.Llalla është i kënaqur me këtë nivel të luftës kundër korrupsionit (nëse po, e kuptojmë dhe i mbyllim të gjitha pritshmëritë në sirtar edhe për 5 vjet)
Por nëse Prokuroria nën drejtimin e ri, dëshiron vërtet të luftojë, – janë disa procese dhe disa dosje hetimore ku z.Llalla mund ta tregojë veten.
Disa prej tyre, i kemi renditur në shkrimin tonë të sotëm.
Është e sigurtë që për disa prej këtyre hetimeve, ata që do t’i lexojnë do thonë: “Eh, po të kishte halla t..pe! Nuk hetohen kurrë këto këtu në Shqipëri.. Nuk bën vaki të ndëshkohen këta këtu” etj etj.
Dhe është e kuptueshme pse do thonë kështu. Është skepticizmi që ka arritur majat i një publiku që po mësohet të ulë kokën dhe zërin përballë krimit ordiner dhe politik që frymëzojnë njëri tjetrin në mënyrën më të çmendur dhe më të papërgjegjshme.
Është e vërtetë që nuk i ka në dorë të gjitha ti rregullojë një njeri i vetëm. Por është e vërtetë edhe që secili mund të bëjë diçka për tju kundërvënë kësaj. Një kryeprokuror i mirë do bënte atë që dhjetëra përpjekje të tjera nuk e arrijnë dot.
E bëni dot z.Llalla? Të mos merreni me cironkat, por me peshkaqenët? E mundni dot këtë mosbesimin? E riktheni dot shpresën tek njerëzit e thjeshtë të këtij vendi? Bëni dot që kur të bjerë fjala për ndëshkim pushtetarësh të mos thonë më atë shprehjen “Eeh, po të kishte halla…”?
*****
Pritshmëria nr.1: Si do veprojë me 3 vrasjet e 21 janarit që janë në gjyq?
Vrasjet e 21 janarit poshtë dritares së zyrës dhe nën vështrimin dhe urdhërat e kryeministrit Sali Berisha, jo më kot po i përmenden dendur Llallës – ende pa u ambjentuar me zyrën e re. Le të përpiqemi të rendisim shkurt dhe në mënyrë racionale çfarë po ndodh me 21 janarin dhe cili është roli i Prokurorisë.
Vrasjet e Faik Myrtajt, Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës janë duke u gjykuar në Gjykatë dhe prokuroria është duke mbrojtur versionin e saj bazuar në provat e veta dhe në një ekspertizë të FBI-së amerikane, nga e cila del se i ndjeri Faik Myrtaj është vrarë nga arma e vetë komandantit të Gardës Ndrea Prendi, kurse i ndjeri Ziver Veizi është vrarë nga arma e Agim Llupos, gardistit në frëngjinë poshtë zyrës së Berishës që u pa edhe në pamjet televizive, të cilat rrëzuan skenarin e “vrasjeve nga afër nga vetë opozita” që përhapi Berisha, dora vetë, që në orët e mbrëmjes me ndihmën e ministrave Olldashi e Imami dhe një mjeku të Spitalit Ushtarak që mban ende bluzën e bardhë të veshur. Vrasja e viktimës së tretë, të ndjerit Hekuran Deda, dyshohet se ka ardhur gjithashtu nga arma e Agim Llupos. Këto vrasje janë në proces gjyqësor, një proces që po tentohet të shkatërrohet me të njëjtat metoda që pushteti ka shkatërruar provat filmike dhe gjithë provat e tjera të ekzekutimeve pa gjyq të 21 janarit.
Cili është roli i Prokurorisë në këtë pikë? Si do sillet ajo përballë kësaj përpjekjeje të pushtetit të Berishës për t’i shpëtuar përgjegjësive? Kjo është një pritshmëri ndaj kryeprokurorit të ri Adriatik Llalla për këtë pjesë që është në gjyq.
Pritshmëria nr.2: Si do veprojë me vrasjen e Aleks Nikës, ende pezull?
Por ka edhe një pjesë të 21 janarit që nuk është ende në gjyq. Është dosja për vrasjen e Aleks Nikës dhe 3 të plagosurve të 21 janarit. Për ta është pezulluar hetimi sepse për shkak të dëmtimit të plumbit që ka shkaktuar vdekjen është e pamundur të identifikohet arma nga është qëlluar. Dyshimet janë sërish për komandantin e Gardës Ndrea Prendi ose atë që ka përdorur armën e tij, cilido qoftë. Si do veprojë Prokuroria me këtë vrasje të katërt dhe tre të plagosurit? Një provë e re, sipas ligjit e ristarton menjëherë këtë hetim. Do ta kërkojë Prokuroria e Llallës këtë provë? Apo do ta lejë ajo Aleks Nikën dhe familjen e tij pa drejtësi? A do këmëngulë ajo t’i shkojë kësaj pjese të dosjes deri në fund? Ina Rama nuk e bëri. Kjo është një tjetër pritshmëri për Adriatik Llallën.
Pritshmëria nr.3: Si do veprojë me Gërdecin, a do ta çojë në Gjykatën e Lartë?
Dosja e krimit të Gërdecit ku gjetën vdekjen 26 njerëz mes të cilëve shumë gra e fëmijë, është një tjetër dosje me disa degëzime, ku pritshmëritë e publikut qytetar ndaj kryeprokurorit të ri Llalla janë të forta. Ina Rama u kujdes çuditërisht të mbyllte disa ditë para se të ikte një nga dosjet e lidhura me Gërdecin, atë të trafikut të fishekëve (shih numrin e djeshëm të gazetës DITA). Gjithashtu është mbyllur hetimi për vdekjen e dyshimtë të Kosta Trebickës.
Por dosja kryesore e Gërdecit me 28 të pandehur është në Apel. Prokuroria kërkoi në shkallën e parë 4 burgime të përjetshme, Gjykata dha të tjera dënime. Vetë të akuzuarit e kanë dërguar në Apel sepse pretendojnë pafajësinë për 26 të vdekurit. Çfarë qëndrimi do mbajë Prokuroria në Apel? Dhe nëse Apeli jep të njëjtin vendim me Faktin, a do ta çojë Adriatik Llalla në gjykatën e Lartë, Gërdecin?
Kjo është një tjetër pritshmëri e publikut ndaj Llallës.
Siç është pritshmëri e lidhur me të njëjtin krim të rëndë, qëndrimi ndaj Fatmir Mediut, gjykimi i të cilit për Gërdecin, nëse kryeprokurori dëshiron, mund të rinisë me një vendim inisiative. Për të mos folur pastaj për implikime që në hetimet e prokurorisë së drejtuar nga Ina Rama nuk u prekën fare si implikimi i provuar me përgjime i djalit të kryeministrit në Gërdec, dëshmia e Luan Hoxhës në ambasadën amerikane për këtë implikim të Shkëlzen Berishës, etj. Do ta ketë fuqinë kryeprokurori i ri t’ia dalë mbanë në këtë histori? Shumë njerëz që po lexojnë mund të buzëqeshin nën buzë me këtë pyetje, por nëse kryeprokurori ka vërtet vullnet, ka me vete ligjin dhe pritshmërinë e publikut.
Pritshmëria nr.4: Si do veprojë me dosjen e vrasjes së Adem Tahirajt?
Hetimi për vrasjen e kryekomisar Adem Tahiraj, është një nga dosjet që Adriatik Llalla do ta gjejë në tryezë, thuajse gati për t’u dërguar në gjyq. Mendohet që kjo dosje do shkojë në Gjykatë javën tjetër. Adem Tahiraj u vra nga shtetasi Ilir Xhakja në 13 shtator të këtij viti rreth orës 18:00, në vendin e quajtur Katund Sukth. I akuzuari për vrasjen ka 18 vjet që sfidon drejtësinë dhe shtetin dhe opozita ka akuzuar që kjo sfidë që pjell krime të tilla monstruoze është inkurajuar nga fakti që bëhet fjalë për një nga ata që mbushin shportën elektorale të PD-së së kryeministrit Berisha.
Si do sillet zoti Llalla me këtë dosje? Do t’i japë fund kësaj sfide ndaj shtetit që inkurajohet nga lidhjet politike? Kjo është tjetër pritshmëri e publikut ndaj punës së kryeprokurorit të ri.
Pritshmëria nr.5: Si do veprojë me Dritan Dajtin? (dhe kabllogramet amerikane)
Një tjetër dosje e rëndë, mjaft e rëndë, është ajo e Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen e 4 policëve në Durrës. Kjo çështje është në proces gjyqësor. Por rrethanat e këtij gjyqi kanë ardhur në një pikë që krijojnë pritshmëri reale ndaj Prokurorisë së Përgjithshme. Si qëndron kjo çështje shkurtimisht… Dajti ka arritur të bëjë dy gjykatës të japin dorëheqje nga gjykimi njëri pas tjetrit. Nëse procesi arrin në pikën që edhe gjykatësi i tretë (ai aktuali) jep dorëheqjen, ky proces, sipas ligjit nis nga pika ZERO.
Nëse edhe gjyqtari i tretë largohet, dhe procesi kthehet në pikën zero, Dajti pritet të kërkojë gjykim të shkurtuar. Nëse Prokuroria pranon, do të thotë që Dajti i shpëton burgimit të përjetshëm. Si do sillet Prokuroria me këtë proces? Do bjerë dakord? Do t’ii qëndrojë në një proces të dytë hipotetik versionit të tanishëm ku e akuzon Dajtin për të 4 vrasjet, apo do modifikojë qëndrimin për të ardhur në atë që Dajti pretendon: që ka vrarë vetëm 2 vetë dhe që të tjerët janë viktima mes vetë policëve?
Dosja Dajti është një pritshmëri tjetër ndaj Adriatik Llallës, jo thjesht për këtë fakt, por edhe pse Dajti përmendet në kabllogramet e Ambasadës Amerikane zbuluar nga Uikiliks verën e shkuar për lidhje të dyshuara me Agron Kuliçaj, ish-truprojë e Berishës, sot njeriu kryesor në policinë shqiptare. Kabllogramet amerikane shkruanin se Kuliçaj mbante të informuar Dajtin dhe se aksioni për kapjen e tij u krye kinse kur Kuliçaj ishte larguar me pushime. Si do veprojë zoti Llalla me këtë rast të ndërlikuar dhe me kaq mbështetje të hipotetizuar nga burime serioze?
Pritshmëria nr.6: Ina Rama i shpëtoi lëkurën Rulit, Llalla do ta bëjë?
Ina Rama ka pushuar pa ndonjë sqarim bindës disa muaj më parë dosjen e hetimit për ministrin Genc Ruli. Ky hetim lidhej me koncesionarin ACR, të cilit ministri në fjalë i shtyu afatet pa pyetur Kuvendin, duke u bërë vetë Kuvend dhe ligj. “Është shkelur ligji, por dëmi nuk ka sjellë pasoja” – ishte në mënyrë të përmbledhur argumentimi i Ina Ramës për të mbyllur këtë dosje të sikletshme për ministrin e Berishës. Në minierat e veriut, njerëzit ndërkohë vdesin si minj, dhe është një segment që pjell vazhdimisht krim dhe terr informativ. A do merret kryeprokurori i ri me ministrin dhe me situatën në këtë segment të ekonomisë, për të cilin nuk mungojnë raportet me të dhëna alarmante edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit?
Po të njëjtat veprime të paargumentuara bindshëm ka bërë zonja Rama me dosjen e Ylli Pangos dhe me dosjen e 14 shtatorit, tashmë të pushuara.
Pritshmëria Nr.7: Do gjejë “provë të ligjshme” për Metën?
Prokuroria ka mundësi rihapje nëse dëshiron edhe për gjyqin e famshëm ndaj Ilir Metës. Vendimi për Metën është dhënë duke shpallur regjistrimin filmik si të paligjshëm (i njëjti arsyetim me bazë precedentin Meta u përdor për të pushuar hetimin Prifti-Beqiraj).
Nuk është shpallur ndonjë pafajësi dhe nëse Prokuroria dëshiron, dosje të tilla mund t’i rihapë menjëherë sapo siguron një provë tjetër që të konsiderohet “e ligjshme” për të njëjtën akuzë. Do ta bëjë zoti Llalla këtë përpjekje për prova të ligjshme për të rigjykuar një situatë që e pa gjithë Shqipëria me sy dhe e dëgjoi me veshë? Kjo është një tjetër pritshmëri ndaj zotit Llalla.
E njëjta logjikë e mësipërme vlen edhe për dosjen tjetër hetimore atë të akuzimeve me miliona në rrugën Durrës-Kukës. Lulzim Basha, dhe bashkëpunëtorët e tij Teliti e Toma, nuk janë gjykuar për procedurë, duke realizuar marifete të njohura afatesh juridike. Nëse Prokuroria dëshiron, mjafton një provë e vetme për të njëjtën akuzë dhe me një vendim inisiative, mund të çojë në gjyq Lulzim Bashën dhe dy personat e tjerë të akuzuar për ato vjedhje të provuara nga KLSH dhe të shmangura me dashje nga sistemi hetimor-gjykues. Do ta bëjë zoti Llalla?
Dita
Z. Thano
Kam frike se duhet ti myllni ne sirtar edhe per 5 vjet, saktesoj ketu, jo per 4 vjet gjithe keto prithmeri. Asnje gje e tille nuk ka per te ndodhur. Keryeprokurori i ri ka qene ne nje vend tjeter dhe nuk ka bere asnje gje, por thjesht ka mbyllur vrimat e politikaneve. Jo me larg se dje ka filluar deputeti balla te analizoje deklaraten e Argites se Saliut dhe nuk e di nese zoti Dhalla apo Llalla e ka pasur ndonjehere guximin ta analizoje ndonjehere ate. Apo dhe te politikaneve te tjere te cilet me 1 milion leke te vjetra ne muaj na jane bere milionere sikur nuk hane dhe pine por vetem shtojne leket.
Gjithsesi shpresa vdes e fundit dhe shancet jane por mbase duhet te presim caze gjate. Po te keni parasysh i vetmi premtim qe ka bere deri me tani z. Dhalla ka qene qe i njef kush jane prokuroret e korruptuar dhe do i luftoje ata. HAHAHAHAHAHAHAHAHA.
“““`