Ka një mënyrë se si qelizat e një anëtari të familjes mund të ndihmojnë në shërimin e sëmundjeve të ndryshme. Kjo realizohet përmes ruajtjes së qelizave staminale. Vitet e fundit është rritur ndjeshëm roli i qelizave staminale në kurimin e sëmundjeve të ndryshme. Qelizat staminale të një pjesëtari të familjes, falë përputhshmërisë, mund t’i shërbejnë edhe pjesëtarëve të tjerë të saj, në rast se këto të fundit preken prej sëmundjeve të gjakut. Specialisti, Sokol Dedja, na shpjegoi rëndësinë e qelizave staminale, për se shërbejnë ato dhe çfarë të mirash mund të përfitojmë prej tyre, e zhvilluar në kuadër të aktiviteteve të projektit “Future Medicine”, një program i financuar KE, dhe “Ipa Adriatik 2007-2013”, që po zbatohet në vendin tonë nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim.
Konkretisht çfarë janë qelizat staminale, dhe si shfaqet përdorimi i tyre?
Qelizat staminale janë qeliza të marra nga indi dhe kordoni kërthizor i foshnjave të sapolindura. Këto qeliza janë tashmë një kurë e standardizuar. Ndonëse janë zbuluar vite më parë, suksesi i tyre u kurorëzua diku rreth viteve 1988, ku për herë të parë provuan se ishin të suksesshme në trajtimin e një forme anemie të gjakut. Në një rast të tillë qelizat staminale të mbledhura menjëherë pas lindjes së një foshnje, u përdorën për trajtimin e anemisë falciformë të vëllait të foshnjës. Pasi kaluan disa vite u provua dhe certifikua që ky lloj kurimi rezultoi i suksesshëm dhe pacienti gëzonte shëndet të plotë. Pas këtij suksesi, qelizat staminale u përdorën gjithnjë e më tepër edhe për shumë sëmundje të tjera. Megjithatë vlen të theksoj se janë duke u zhvilluar ende provat klinike për një pjesë të sëmundjeve, me shpresën që në të ardhmen do të kenë po të njëjtin sukses.
A mund të detajojmë se cilat janë sëmundjet konkrete që mund të trajtohen duke përdorur këto qeliza staminale?
Aktualisht ka një faqe interneti ndërkombëtare që regjistron dhe vlerëson të gjitha provat klinike që zhvillohen sot. Interesante është prova klinike që po zhvillohet në Amerikë, në lidhje me trajtimin me anë të qelizave staminale të autizmit. Gjithashtu, jemi shumë pranë suksesit të trajtimit me anë të qelizave staminale të diabetit apo trajtimi me anë të qelizave staminale të asaj që cilësohet si mjekësia rigjenerative, çka do të thotë që me anë të këtyre qelizave të arrijnë të rigjenerohen qeliza, inde dhe madje edhe organe të tëra, duke pasur mundësinë që të zëvendësojnë këto organe të sëmura.
Si bëhet mbledhja dhe ruajtja e këtyre qelizave?
Qelizat staminale kanë disa burime ruajtjeje, por banka që ndodhet në Shqipëri është e specializuar në ruajtjen e qelizave staminale prej gjakut dhe indit të kordonit. Menjëherë pas lindjes së fëmijës dhe pasi është siguruar që nëna dhe fëmija gëzojnë shëndet të plotë, personeli mjekësor, i cili ndjek nga afër lindjen, merr një sasi gjaku e cila gjendet në hapësirën midis placentës dhe kordonit kërthizor që lidh nënën me fëmijën. Përveç kësaj sasie gjaku (50-120 ml), e cila për hir të së vërtetës nuk është shumë e madhe, merret edhe një pjesë e kordonit kërthizor i cili përbën një burim shumë të pasur me qeliza staminale, por të një natyre tjetër.
Cili është burimi i parë i marrjes së këtyre qelizave?
Burimi i parë që është gjaku i kordonit kërthizor, është shumë i pasur me qeliza staminale hemapoietike të cilat edhe për nga emri konsiderohen edhe si burim shumë i rëndësishëm dhe bazë për formimin e sistemit të gjakut dhe sistemit imunitar në organizmin e çdo njeriu. Për shembull, nëse në të ardhmen do të jetë e nevojshme, këto qeliza staminale hemapoietike do të jenë bazë për trajtimin e sëmundjeve kryesisht të gjakut, siç janë anemitë, leucemi, forma të kancerit në gjak, si dhe sindroma apo çrregullime të sistemit imunitar në organizëm, të cilat mund të jenë të lindura ose të fituara gjatë jetës. Nga ana tjetër kordoni kërthizor është i pasur me qeliza staminale të quajtura mezenchymale prej të cilave mund të përfitohen në kushte laboratorike inde të trupit të njeriut, si: indi i lëkurës, indi i muskulit të zemrës, inde nervore etj, gjë kjo që i bën mjaft të vlefshëm sa i takon trajtimit të sëmundjeve të ndryshme të cilat kanë goditur, dëmtuar ose kanë plakur inde të caktuara në organizmin e njeriut.
Cilat janë arritjet e regjistruara në këto drejtime?
Sot është arritur krijimi i ishujve pankreatik, të cilët janë baza e krijimit të një organi të plotë pankreasi, inde të mëlçisë, inde të muskulit të zemrës, një nga gjërat që shpresohet të arrihet është edhe baza e trajtimit sa i takon infarktit, miokardit, prej të cilit muskuli dhe muret e zemrës pësojnë dëmtim dhe ngrirje. Përmes injektimit të këtyre qelizave staminale mezenchymale, mund të arrihet rifitimi i aftësive të muskulit dhe mureve të zemrës, si dhe rehabilitimi i plotë i këtij organi kaq të rëndësishëm. Këto janë burimet kryesore më efikase prej të cilave mblidhen sot qelizat staminale, duke përbërë kështu një avantazh të padiskutueshëm mbi të gjitha burimet e tjera të mbledhjes së këtyre qelizave, të cilat mund të jenë: palca kockore, dhëmbët apo pjesë të tjera të trupit të njeriut. Por duke qenë se këto qeliza janë prej gjakut dhe indit të kordonit kërthizor të një foshnjeje, janë qeliza shumë të reja, dhe të paprekura nga sëmundje. Si rrjedhojë, mundësia e shtimit dhe bashkimit nesër me një organizëm tjetër është e jashtëzakonshme.
Për sa kohë mund të ruhen këto qeliza?
Sa i takon ruajtjes së qelizave staminale ajo realizohet në banka të specializuara për një periudhë standarde nga 20-25 vjet. Është vërtetuar që edhe pas 25 vjetësh, pasi këto qeliza janë marrë dhe janë vendosur në kushte normale temperature dhe ambienti, kanë qenë po aq vitale sa ditën e parë, pra është diçka e provuar dhe e garantuar. Këto qeliza pasi përpunohen, ruhen në ngrirje të thellë -190 gradë. Sigurisht që ka. Pranë nesh paraqiten mesatarisht 10-15 raste në muaj që kërkojnë të ruajnë qelizat staminale. Ajo çka po shohim është se interesi është gjithmonë në rritje, shqiptarët gjithnjë e më tepër po ndërgjegjësohen për nevojat që kanë dhe për mundësinë e përdorjes së qelizave staminale si një mundësi e re për të garantuar jo vetëm shëndetin e fëmijës, por edhe të familjes së tyre në të ardhmen.
Per keto qeliza interesi shtohet cdo dite. E vlen te punojme per mbledhjen e perdorimin e tyre