Deputeti flet. Djersitur nga vapa dhe shkumosur nga pasioni oratorik, flet e flet pa kuptuar se ka humbur kontrollin mbi zërin dhe gjestet. Madje shpesh edhe mbi fjalët. Tjetër nis dhe tjetër sos… Veçse çdo fjalë dhe fjali e tij është një premtim. Premtime pafund, pa kufi e kandar. Dhe, dihet, premtime të tilla, bëhen pa asnjë hesap, pa llogari a financim…
Deputeti ka ca vite e mandate që mburret dhe majmet me votat tona. Në mandatin e parë ia bëmë hallall. Na premtoi qiell e tokë, shi dhe diell. Ia dhamë votën dhe pritëm e pritëm por…Hiç! As dukej ndër ne, as dëgjohej në kuvend. I zënë me punë më të mëdha…?! Mirëpo erdhi sërish dhe ja, njësoj.
Merr guximin dhe numëron e premton po ato. Shkoqur dhe troç, na gënjen. Dhe ne i besojmë e i hamë gënjeshtrat e tij siç…Dhe i duartrokasim…! Mirëpo, sa më shumë gënjeshtra të tilla, aq më shtrënguar dhe shtrenjtuar jetesa jonë. Kjo sepse gënjeshrat e deputetëve sot, pjellin gënjeshtrat e qeverisë nesër…
Atëherë, kush e ka fajin? Dy palët? Ai gënjen që të fitojë. Ne duartrokasim fitoren e tij. Paçka që e dimë se fitorja e tij, është gënjeshtra e radhës. Siç ishte ajo para tetëmbëdhjetë, tetë a katër viteve. Po për deputetin, a do jetë kjo, fitorja e radhës? S’e di. Deputeti rreh gjoksin, i sigurtë në besimin tek ne…!?
Veçse duke dëgjuar premtimet e tij veresie, shoqëruar me brohorimat dhe duartrokitjet frenetike të mitingashëve, të sjellë me autobuzë nga qytetet fqinj, sepse m’u kujtua ajo rrëfenja e pleqëve për atë i cili, qëlloi shokun me pëllëmbë. Tjetri, në vend që t’ia kthente pëllëmbës me pëllëmbë, i thoshte:
“Pa qëllo dhe njëherë pa të shohësh, ç’të të bëjë unë…! Ai prap e qëlloi. Ky prap:- Qëllo dhe njëherë pa të shohësh… Ai prap dhe ky prap:”Qëllo dhe njëherë pa të…
Ky soj deputeti gënjen prap e prap e prap, dhe ne, si leshko, besojmë prap e prap… e…? Madje edhe e brohorasim?! Gjer kur kështu? Edhe sa mandate do t’i themi gjoja të zgjedhurit tonë që erdhi sërish të bëjë zanatin, “Sill dhe një herë pa të shohësh…!?” Kur do bëhemi zotër të vetes dhe votës tonë, për t’ju thënë sikter këtyre sojsëzve, deputetë e qeveritarë, që e lanë Shqipërinë prapa botës edhe pas njëzetë vjetësh demokraci?
Letër e nënshkruar: Naun Kule

Naun ! Ky lloi sojsez deputeti iku, vajti per lesh, vajti te gjeje k/ministrin dhe Josefinen.
I hoqem Naun , i hoqem, se na ishin bere si burri i nenes.
Pas kesaj do te fryje nje ere e re.