Nga Naun Kule
-Kur sipas daulles, viçat hedhin hapin; lëkurën për daulle vet e japin…! B.Breht
Deputeti flet. Djersitur dhe shkumosur nga pasioni oratorik, flet e flet, pakuptuar se ka humbur kontrollin mbi zërin dhe gjestet. Madje shpesh edhe mbi fjalët. Në ato çka thotë dhe kujt ua thotë… Tjetër nis dhe tjetër sos…Veçse çdo fjalë dhe fjali e tij është një premtim. Premtime pafund, pa kufi, pa kandar e hesap…! Dhe, dihet, premtime të tilla, bëhen pa llogari, pa financim…
-Po lekët, lekët, fondet, ku…ku? pyesin zgjedhësit.
…Brohoritë dhe duartrokitjet buçasin; mbushin sheshin. Deputeti përkëdhelet në sedër. — -Nga dheu do t’i nxjerrim!…Hajdutëve do t’ua marrim! Po, po! Oligarkëve të pasuruar me djersën tuaj. Me gjakun e djemëve tuaj emigrantë nëpër botë…Tani..? Eh,sot…u erdhi fundi. Erdhi dita t’i paguajnë të gjitha. Po, erdhi…! Ja, data…!Votoni numurin 87 ! Votoni partine tuaj…! …Shpëtimin tuaj nga të gjitha të këqijat e botës…!
Deputeti nxitet në delirin e heroit. Banderolat, flamujt, fotot e zmadhuara të varura gjithkund, i shkelin syrin njera tjetrës nga kornizat me llustër. Gjithçka me llustër…!?
…Gjithçka e shkëlqyeshme, e shkëlqyer, deri në mashtrim…!Se, zotimet, premtimet pafund, s’ka kandar që i mban a peshon. Bëhen veresie, pa hesapet se si e qysh do kthehen në fitore edhe për këta njerëz, që duartrokasin dhe besojnë… Ç’fatkeqësi…?!
Por… Deputeti vazhdon. Po ato fjalë, po ato premtime, po ato gënjeshtra të bukura me të cilat na ka joshur dhe përgjumur sot e kaq vjet.
Ka ca vite e mandate që mburret dhe majmet me votat tona. Në mandatin e parë ia bëmë hallall. Na premtoi qiell dhe tokë, shi e diell…! Ia dhamë votën dhe pritëm e pritëm por…Hiç…! As dukej ndër ne, as dëgjohej në kuvend. I zënë me punë më të mëdha…?! Mirëpo erdhi dhe ja, njësoj..? Kështu para tetë vjetësh, para katër…sot..!? Merr guximin dhe numëron e premton po ato. Shkoqur dhe troç, na gënjen, siç… Dhe ne jo vetëm i besojmë por (për turpin tonë…!?) edhe e duartrokasim…Mirëpo, sa më shumë gënjeshtra deputetësh, aq më shtrënguar dhe shtrenjtuar jetesa jonë. Kjo sepse gënjeshrat e deputetëve sot, sjellin gënjeshtrat e qeverisë…
Atëherë, kush e ka fajin? Dy palët? Ai gënjen, që të fitojë. Ne duartrokasim fitoren e tij, Brohorasim gënjeshtrat pa ditur se“…Gënjeshtrat lulëzojnë në dy momente; para zgjedhjeve dhe mbas gjahut…”(Bismark)
Në të vërtetë më shumë nga të gjithë, ne dimë se fitorja e deputetit tonë, është gënjeshtra e radhës për ne. Siç ishte ajo; e para e dyta…e treta… deri para katër viteve. Po për deputetin, a do jetë kjo, fitorja e radhës? S’e di. Deputeti rreh gjoksin, i sigurtë në fitore…!
Veçse duke dëgjuar premtimet e tij veresie, shoqëruar me brohorimat dhe duartrokitjet frenetike të mitingashëve, sjellë me autobuzë nga qyteti fqinj, sepse m’u kujtua ajo rrëfenja e pleqëve për atë që e qëllonte me pëllëmbë. Tjetri, në vend që t’ia kthente pëllëmbës me pëllëmbë, i thoshte: “Pa qëllo dhe njëherë pa të shohësh…!”
Tjetri, prap e qëllonte. Ky prap: – Pa qëllo dhe njëherë pa të …!
Ky soj deputeti gënjen prap e prap e prap, dhe ne, si leshko, besojmë prap e prap…!
Madje edhe e brohorasim?! Gjer kur kështu? Edhe për sa mandate do t’i themi gjoja të zgjedhurit tonë që erdhi sërish të bëjë zanatin, “Sill dhe një herë pa të shohësh…!?”
Kur do bëhemi zot të vetes dhe votës tonë, për t’ju thënë sikter këtyre mashtruesve profesionistë e banditëve politikë, gjoja deputetë e shtetarë që e lanë Shqipërinë prapa botës edhe pas tridhjetë vjetësh gjoja demokraci..!?
Pas kësaj “pjese teatrale” me titullin “Fushatë zgjedhore”, ikim duke nëpërdhëmbur me nervozizëm, porosinë e përshtatur të Demokritit të hershëm se: “…Shumë nga ata që kryejnë akte të turpëshme mbajnë fjalime frymëzuese… Dhe se një popull-delesh, s,mund të ketë tjetër veçse një qeveri-ujqërish…!”

Ej kush na thote se cila eshte ajo desputetja qe po fshin qurrkat aty ne foto?
Jo per gje por kemi arritur deri aty sa s’dime se cilat “koka madheshtore” kane zaptuar kuvendin gjoja per te na “perfaqesuar” ngaqe nderrohen sa hap e mbyll syte.
ose…genje dhe njehere, po s’te hengrem m..une .
eh, mor’ naum; duhej kontestuar pa hezitim “vepra” kriminale e s. berishes, futja ne org. islamike . prej saj rrodhi “kthimi i prones ish pronareve” .
ne me te vertete pranuam dhe sistemin e prones private, por…prone per te Gjithe dhe jo per hajdutet pashallare te Djeshem dhe hajdutet ologarke te Sotem .