Programi YES, i financuar nga Departamenti i Shtetit dhe i koordinuar në Shqipëri nga Këshillat Amerikanë i jep mundësi adoleshentëve për të jetuar dhe studiuar një vit atje. Ky program jep bursa për nxënës të shkollave të mesme të moshës 15-17 vjeç, të cilët kalojnë një vit akademik në Amerikë.
Drejtoresha e Këshillave Amerikanë, Linda Meniku na shpjegon se “YES – Youth Exchange and Study është një program pa pagesë që siguron bursa studimi për nxënësit e shkollave të mesme nga vendet YES për të kaluar deri në një vit akademik (2016-2017) në Shtetet e Bashkuara, duke jetuar me familje amerikane dhe duke ndjekur një shkollë të mesme amerikane. Fokusi i programit është zhvillimi i komunikimit ndërmjet qytetarëve nga Shtetet e Bashkuara dhe vendeve partnere, me qëllim ngritjen e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë. Nxënësit jetojnë në një familje pritëse, ndjekin një shkollë të mesme, angazhohen në aktivitete për të mësuar mbi shoqërinë dhe vlerat amerikane, sigurojnë aftësi drejtimi dhe ndihmojnë në edukimin e amerikanëve mbi vendin dhe kulturën e tyre”.
Ne kemi folur me një djalë i cili ka përjetuar këtë eksperiencë dhe ka shumë për të na treguar për qëndrimin e tij në Amerikë.
Ai quhet Igli Velçani, është nga Tirana, ka qenë pjesë e programit YES në vitet 2013-2014. Ka jetuar 10 muaj me një familje të huaj.
“E gjitha filloi një ditë Tetori para 3 vjetësh. Isha nxënës në klasën e 11 në gjimnazin “Besnik Sykja”. Pushimi po afronte dhe zysha jonë kujdestare na lajmëroj se 5 minutat e fundit do hynte një zonjë në klasë, e cila ishte drejtoresha e këshillave amerikanë këtu në Shqipëri (zonja Linda Meniku) dhe do na lajmëronte për një rast shumë te mirë bursash për te ikur në Amerikë dhe për të studiuar një vit akademik atje.
Unë si çdo nxënës i shkollave të mesme, pranova të shkoi vetëm për faktin se desha të humbisja orët e të pija ndonjë kafe me shokët. Aty ku dua të dal është se e mora me shaka në fillim, dhe nuk mendoja seriozisht se mund të isha fitues mes 2000 personash që dhanë provimin në Tirane edhe Fier.
Edhe pasi kalova fazën e parë e cila ishte një provim i thjesht në anglisht, prape isha pesimist vetëm për faktin e numrit të madh qe kishin dhënë provimin. Vetëm pasi kalova fazën e dyte e cila ishte një ese me temë sociale, fillova ta marr pak me seriozisht dhe të angazhohem. Fillova dhe bisedimet me prindërit në rast se do isha fitues, ata do më mbështesnin plotësisht. Më në fund kishin kaluar të paktën 5 muaj dhe unë e kisha hequr plotësisht nga mendja se kisha aplikuar për këtë bursë. Isha duke u marr me kompjuterin, veç se kur bie telefoni dhe ishe zonja Linda në linje. Me tha se te mora në telefon për të thënë se do të plotësohet ëndrra dhe se je një nga fituesit për të ikur në Amerikë. Kishin kaluar të paktën 20 sekonda dhe unë akoma nuk e kisha ngulitur tamam në tru se isha fitues. Jashtëzakonisht I gëzuar shkova përqafova mamin dhe I thash lajmin e mirë– tregon Igli i emocionuar.
Për të nuk ka qenë e thjesht në fillim. Javët e para kanë qenë konfuze, më pas, gjithçka është stabilizuar.
“Unë jetoja në një qytezë të vogël të quajtur Ëinfield, në shtetin e Missourit. Ishte një qytezë në të cilin të gjithë njiheshin me njëri- tjetrin. Gjëja më e veçant ishte rëndësia që i jepnin sportit dhe se si fitonin një eksperience që zgjaste gjithë jetën përmes sportit. Të them të vërtetën shumëllojshmëria e ushqimeve më ka pëlqyer më shumë nga të gjitha. Kishe të zgjidhje nga shumë shtete dhe kultura të ndryshme. Kjo shpjegon dhe kilet e tepërta që mora pasi u ktheva në shtëpi (qesh).
Sot Igli është student për Inxhinieri Mekanike në Universitetin e Tiranës, dëtë të cilën ka patur qejf ta vazhdojë që kur ishte në klasë të 10. Por eksperienca amerikane e ka ndihmuar për shumë gjera.
“ Më ka përmirësuar anglishten në maksimum si fillim, gjatë qëndrimit tim atje kam njohur dhe kam bërë miq persona nga e gjithë bota dhe nga shtete të cilat nuk e dija që ekzistonin. Kam marr aq shumë informacione dhe dije sa kur ndonjëherë jo se e bëj qëllimisht, por duket sikur mburrem. Unë thjesht dua ta ndaj atë dije dhe me të tjerët se është e kot ta mbash për vete. Në një mënyrë të caktuar më ka pjekur dhe më ka bërë rrugën drejt adoleshencës më të lehtë si dhe më ka forcuar bazat për të dalë në jetë si një person i pavarur.. Me ka bërë mëndje hapur dhe më ka mësuar mos të kritikoj një person nga pamja e jashtme”.
Por shkolla nuk ishte i vetmi angazhim i Iglit. Ai ka arritur që të bëj të famshme shkollën, si asnjëherë tjetër, për shkak të rezultateve të arritura në sport.
“ Semestrin e parë gjithashtu zgjodha te luaj edhe futboll. Në këtë sport pata goxha arritje të mëdha sepse ekipi kishte 6 vjet që nuk ishte arritur të kishte 4 fitore të akumuluara. Jo se niveli ishte shumë i lart, por besoj u mundova të beja më të mirën time dhe të çoja ekipin në 8 fitore në një vit dhe theva rekordin personal të shkollës për më shumë gola të shënuara në një vit të cilat ishin 31.
Kam arritur të dalë dhe në gazetat lokale për këtë arritje si edhe të marr përgëzime personale nga vete kryebashkiakia. Në semestër të dytë vendosa të zgjedh veç lënde të thjeshta dhe lëndë të cilat nuk kisha dëgjuar ndonjëherë, si për shembull: qeveria amerikane. Kështu që ora e studimit u reduktua në gjysmë ore për ditë. Në semestër të dytë fillova të luaj basketboll, sportin tim të preferuar. Në basketboll javën e parë bëmë test fizik që të përcaktonim kush ishte i aftë për të luajtur dhe kush jo, më vonë u bënë provat e lira që të bëhesh te përzgjedhja e ekipit. U përzgjodha në ekip, por nuk u përzgjodha për formacionin startues dhe në fillim u ndjeva keq sepse desha patjetër të lija impakt në këtë ekip.
Ndeshje për ndeshje unë përmirësohesha në këtë sport, por edhe ekipi gjithashtu. Kjo dha rezultate shumë pozitive dhe të jashtëzakonshme pasi ishim shkollë dhe ekip nga një qytezë e vogël dhe jo shumë njerëz prisnin rezultate te tilla nga ne. Në fund të sezonit ekipi arriti të kualifikohej për 2 finale kupash dhe për një gjysmëfinale kupe në shtet, edhe te mendosh që të paktën 100 shkolla ishin në këto kompeticione.
Jave për javë ishim teme kryesore e gazetave lokale si edhe disa shtetërore për këto arritje të pa kapura ndonjëherë në historinë e shkollës. Në fund të sezonit u shpërndan edhe çmimet personale për lojtaret, unë isha shumë i gëzuar sepse fitova 2 të tilla. Njëra nga ato ishte si lojtari më I përmirësuar gjatë vitit dhe e dyta ishte si lojtari që jep 110 për qind në fushën e lojës. Janë disa çmime dhe eksperienca të cilat do t’i kujtoj deri sa te vdes. Janë histori dhe kujtime të cilat mund të tregosh fëmijëve.
Igli ia rekomandon bashkëmoshatarëve të tij një eksperiencë të tillë.
“Duhet qartësuar që në fillim që këtë program ose këtë burse e fitojnë persona që janë të pavarur dhe mund të veprojnë dhe të mendojnë pa ndihmën e prindërve. Dhe më kryesorja të jenë personalitete që mund të ambientohen kollaj në diçka të re. Besoj se një udhëtim i tillë do ndryshonte rrënjësisht një person, do e bënte më mendjehapur dhe do e bënte të përgjegjshëm . Do ktheheshin me mendjen të bënin diçka mirë për komunitetin dhe për të dhënë pa kërkuar diçka si shpërblim. Do kthehesh këtu me një ëndërr që do këtë dëshirë ta bëj realitet dhe jo thjesht të vazhdoj jetën si pjesë e një rutinë. Personalisht mendoi se ky udhëtim do forconte karakterin e gjithsecilit që fiton një bursë të tillë. Por duhet përkushtim dhe dëshirë për t’i arritur këto sepse asgjë nuk është aq e lehtë”- tregon Velçani për Dita-n.
Rruga që ndiqet
Ky program mbështetet financiarisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit
Faza e parë e konkurrimit zhvillohet në dy qytete, në Tiranë në 4 Nëntor pranë Universitetit Marin Barleti dhe në Fier në 6 Nëntor, pranë shkollës së mesme “Flatrat e Dijes”.
Të gjithë nxënësit duhet të regjistrohen personalisht ditën e testimit; nxënësit nuk mund të regjistrohen online, me anë të e-mail-it ose në telefon. Testi i parë do të bëhet në të njëjtën ditë dhe orë që do të përcaktohet në momentin e regjistrimit. Për të gjithë ata që kualifikohen, testi i dytë do të bëhet të nesërmen. Një listë me pjesëmarrësit e raundit të dytë do të bëhet publike në mbrëmjen e ditës së parë të testimit.
Aplikanti duhet të plotësojë këto kushte:
– Datëlindja nga 1 janar 1999 – 15 korrik 2001
– Nxënës në shkollë të mesme, klasa 10 ose klasa 11
– Nxënës me rezultate të mira
-Të kenë nota të mira
– Njohuri të mira të gjuhës angleze
– Të jetë shtetas shqiptarë
-Nxënësit me aftësi të kufizuar duhet të jenë të lindur nga 15 shkurt 1998-15 korrik 2001
– Fotografi të kohëve të fundit 3 x 4 cm;
– Pasaportë, Certifikatë lindjeje; ose kartë identiteti
– një stilolaps
