Përfundimisht kjo qeveri e sotme nuk i mbajti premtimet ndaj biznesit edhe në këtë prag fushate zgjedhjesh të përgjithshme. Me gojën e Ministrisë së Financave, qeveria premtoi gjatë gjithë vitit të kaluar dhe në këto muaj të parë të këtij viti për shlyerjen e detyrimeve që ajo ka ndaj sipërmarrjes private. Këto borxhe nuk janë pak, por i kalojne të 200 milionë eurot. Janë para që biznesi, sidomos ai i ndërtimit i priste si beduini ujin në shkretëtirë dhe që të padhëna shumëfishojne efektin shkatërrues në ekonominë tonë. Nuk janë vetëm 70 milionë eurot e mbartura nga vite më parë, por punimet e kryera të biznesit në vepra të infrastrukturës publike, etj. gjatë vitit 2012 dhe faturat e papaguara të këtyre punimeve. Nga një anketë e një qendre për studime ekonomike në Shqipëri, 2 nga 3 intervistues përfaqësues të kompanive private që marrin punë nga Shtetit janë shprehur se “…mospagesat e situacioneve nga Thesari i Shtetit po na çojnë në prag falimentimi”. Shoqatat më përfaqësuese të biznesit e kanë ngritur fort zërin, por kanë hasur në vesh tërësisht të shurdhët qeveritar. Këto fatura të papaguara, të cilat në akumulimin e frikshëm të tyre kanë shqetësuar edhe institucionet ndërkombëtare, si FMN dhe Banka Botërore, nuk janë bërë asnjëherë publike nga qeveria në shifrën maksimale që arrijnë. Madje thuhet në mjediset e Thesarit të Shtetit që qeveria as që dhe ia ka idenë të sasisë së plotë të borxheve që i ka biznesit.
Kaq shumë vijon të hapë tendera dhe të porosisë punë publike, pa gjetur fillimisht fondet e duhura për këto investime. Rezultati është katastrofik. Kompanitë e pajtuara nga qeveria, pasi kanë paguar “bakshishin” e kripur të përzgjedhjes në tendera, janë përballur me moskorrektesën dhe gati harresën qeveritare për të dhënë lekët pas punës së kryer. Të mësuara që me paratë që duhej të merrnin nga shteti të paguanin shpenzimet e shumta materiale dhe rrogat e punonjësve, këto kompani janë vënë në vështirësi serioze. Kanë qenë të detyruara të marrin kredi nga bankat private për të financuar këto shpenzime jo prodhuese. Pastaj nuk kanë mundur të paguajnë këstet e këtyre kredive, gjithnjë në pritje të “Godo-së” (të pagesave nga qeveria). Kjo gjendje i ka paralizuar dhe i ka penguar të marrin pjesë në tendera të tjerë, që për biznesin është veprimtari jetike për të siguruar tregje pune.
Duke qenë se një pjesë e mirë e transaksioneve kryhet në shumë sektorë të ekonomisë sonë me “klering” (shkëmbim mall me mall, për shembull një firmë ndërtimi “paguan” firmën që i siguron rërën apo tullat me apartamente tek pallati i ndërtuar), edhe ky treg ka ngecur, pse diku duhet të vinin paratë qeveritare dhe ato s’kanë ardhur. Bëhet fjalë për dhjetra e dhjetra kompani të rëndësishme. Ndoshta edhe qindra, për shkak të dëmeve anësore të pesuara nga firmat partnere të kompanive të pajtuara nga shteti. Rezultati ka qenë mjeran në nivel të gjithë ekonomisë sonë. Për vitin e kaluar, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin(treguesi kryesor që mat performancën e bizneseve) arritën në rreth 16.8 miliardë lekë, nga 19.7 miliardë të mbledhura një vit më parë, me një rënie të fortë prej 14.5 përqind. Të gjithë sektorët e ekonomisë kanë pësuar rënie, duke e krahasuar me vitin 2011. Rënien më të madhe e ka shënuar sektori i prodhimit me 22.9%, i pasuar nga sektori i ndërtimit me 21.4%, sektori i transportit me 12.9 për qind e me rradhe tek shërbimet(-7.8 për qind) dhe tregtia (-11.1 për qind). Për shkak të kësaj situate të krijuar nga moskorrektesa qeveritare, biznesi ka ulur ritmet e rritjes, zgjerimit dhe investimeve duke shkaktuar një stopim të rritjes ekonomike në përgjithësi, pse efekti është zinxhir. Ky zinxhir po kthehet në një efekt domino shumë të rrezikshëm.
Aktiviteti ekonomik ka shënuar ritmet më të dobëta të rritjes edhe për këta katër muajt e parë të këtij viti. Të gjitha linjat e ekonomisë kanë pasur rënie dramatike të fitimeve. Por rrënimi ka ndodhur pikërisht në sektorët e prodhimit, pjesa më vitale dhe produktive e ekonomisë, kur rënia e fitimeve ka shënuar më shumë se 22 për qind. Rënia kaq e dukshme e aktivitetit të biznesit nuk ka të bëjë vetëm me pasojat e krizës nga jashtë, por edhe me “krizën” në Thesarin e shtetit shqiptar, i cili është i paaftë të paguajë detyrimet ndaj biznesit që pajton. Për herë të parë në historinë tonë fiskale, të ardhurat faktike në buxhetin e shtetit të vitit 2012 në vlerë neto ishin më të ulëta se ato të vitit 2011. Mosrealizimi i planit të të ardhurave buxhetore ishte plot 200 milionë euro, ndërkohë që nga mosrealizimet e theksuara të periudhës janar-prill 2013 pritshmëritë janë që buxhetit do t’i mungojnë të paktën edhe 100 milione euro të tjera. Dhe në këtë situatë as që bëhet fjalë për t’i shlyer biznesit detyrimet e prapambetura apo ato që krijohen rishtaz.
