Këshilli i Ministrave ka depozituar në Kuvend marrëveshjen që i hap rrugë njohjes dhe transferimit të pensioneve për rreth 30 mijë emigrantë shqiptarë që ndodhen në Belgjikë. Marrëveshja që pritet të shqyrtohet nga komisionet kuvendore, u jep mundësi emigrantëve shqiptarë të tërheqin me vete edhe kontributet e pensioneve që kanë depozituar në shtetin belg nëse vendosin të kthehen në Shqipëri, ose anasjelltas. Aktualisht, Shqipëria ka marrëveshje për mbrojtjen sociale me pak vende, ndërsa janë në proces negociimi edhe marrëveshjet dypalëshe me vende Greqia dhe Italia. Në listën e vendeve me të cilat Shqipëria duhet të nënshkruajë marrëveshjen e mbrojtjes sociale, vendet më të rëndësishme janë pikërisht dy vendet fqinje, ku janë të përqëndruar emigrantët shqiptarë. Por me këto dy vendeve Shqipëria ende nuk po arrin të firmosë marrëveshjet respektive për mbrojtjen sociale që parashikon gjithashtu njohjen dhe transferimin e pensioneve. Pavarësisht tentativave të përsëritura të qeverisë shqiptare Italia dhe Greqia nuk kanë dhënë sinjale pozitive duke e shtyrë këtë çështje për një moment të mëvonshëm. Arsyeja kryesore e artikuluar për negociatorët shqiptarë është ajo e kostove të mëdha që kjo marrëveshje sjell për sistemin e tyre duke rënduar më tej situatën e vështirë ekonomike në të cilën gjenden aktualisht. Nënshkrimi i marrëveshjeve të ndërsjellta të mbrojtjes sociale janë një detyrim që duhet përmbushur në kuadrin e udhëzimit të vendosur nga Bashkimi Europian.