Qeveria e Kosovës ka dërguar në Kuvend projektiligjin për Demarkacionin me Malin e Zi. Vendimi është marrë pas një mbledhjeje të kabinetit qeverisës që u zhvillua në orën 8:15 të mëngjesit, ndërkohë që seanca parlamentare është parashikuar të nisë në orën 10:00.
Ndërkohë, partia opozitare, Lëvizja Vetvendosje, ka thirrur të gjithë mbështetësit e saj për të protestuar përpara godinës së Kuvendit. Ata kanë argumentuar se kjo marrëveshje i humbet Kosovës një sasi të konsiderueshme territorial.
Por nga ana tjetër, përfaqësues të shumtë të qeverisë nënvizojnë se ratifikimi i akordit të arritur në Vienë gjatë vitit që lamë pas është një kusht thelbësor për të hedhur hapin e radhës në procesin e liberalizimit të vizave.
Për mediat ka reaguar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Greg Delaui, i cili u bëri thirrje palëve që të mos dëmtojnë të ardhmen e vendit. Jo më larg se dje, përfaqësuesit e qeverisë, opozitës dhe ekspertë të fushës zhvilluan një tryezë diskutimi ku debatuan për 11 orë sa i përket çështjes së përcaktimit të vijës kufitare, por edhe kjo përpjekje nuk ka sjellë asnjë ndryshim të qëndrimeve.
