Prej disa kohësh dëgjojmë se qeveria shqiptare ka vendosur të financojë edhe bizneset arsimore private. Kjo trumbetohet si një arritje e madhe politike, por në fakt është çudia shqiptare e radhës. Destinacioni i fondeve publike rrjedh natyrshëm dhe qartë nga përkufizimi i universitetit publik si një “institucion arsimor i financuar me taksat e qytetarëve”. Pikë. Këtu qëndron ndryshimi historik dhe ligjor midis një institucioni arsimor publik dhe një institucioni ose biznesi arsimor privat.
Më në veçanti, mund të konsiderohej si detyrim moral dhe politik, që shteti të mbështesë një aktivitet arsimor privat, i cili nderon Shqipërinë në botë. Të gjithëve do na bëhej qejfi dhe do ndiheshim krenarë nëse një universitet shqiptar, privat ose publik, bën një emër të mirë në shkencë, kulturë ose art. Kjo është ajo që do na pëlqente, por e vërteta e hidhur është se deri tani kemi dalë në faqet e gazetave të huaja vetëm për ndonjë diplomë të shitur. Ky realitet i hidhur e shmang për një kohë të gjatë nevojën e diskutimit mbi destinacionin e fondeve publike.
“Matrapazët” e arsimit, por edhe ato institucione arsimore private që punojnë me përgjegjësi, duhet t’i tregojnë vlerat e tyre në nivel ndërkombëtar dhe të bëhen konkurrues në një treg më të gjerë. Në rast të kundërt, sado lule të mbjellin në kopshtet e tyre dhe sado pastër që ta mbajnë ambientin përreth, nuk mund të jenë të besueshëm dhe janë të destinuar të dështojnë.
Bota njeh edhe raste kur fondet publike destinohen në universitete private. Japonia është një nga vendet e zhvilluara ku shteti financon edhe universitetet private. Nuk dua të lodh lexuesin me detajet e këtyre financimeve, por sinqerisht e kam shumë të vështirë të heq një drejtëz paralele midis ndërgjegjësimit dhe kulturës japoneze në qeverisje, si edhe në gjithë fushat e tjera, dhe mënyrës së qeverisjes në Shqipëri. E pra, simpatizantët e këtyre ligjeve, që nuk bëhen për interesa publike, por për interesa private të njerëzve të caktuar, duhet të lexojnë siç duhet realitetin dhe të mendohen mirë para se të propozojnë ligje për arsimin. Këto ligje të pamenduara, të pakonsultuara dhe të shkruara brenda një nate për t’i bërë qejfin njërit ose tjetrit, do kenë pasoja negative të paimagjinueshme në arsimin e lartë.
Eshtë e pranueshme edhe teza se konkurrenca në arsim, si në çdo fushë tjetër, mund të ketë efekt pozitiv në rritjen e cilësisë. Teoricienët e kësaj rryme harrojnë, me dashje apo pa dashje, se teza e konkurrencës vlen vetëm nëse kushtet fillestare janë pak a shumë të njëjta. Kjo është larg të vërtetës në rastin e universiteteve në Shqipëri. Nga njëra anë, institucionet private të arsimit të lartë nuk kanë asnjë pengesë ligjore për punësimet, tipologjinë e shpenzimeve, etj. Në përgjithësi privati nuk ka pengesat administrative që kanë institucionet publike të arsimit të lartë, që i nënshtrohen me ligj një kornize kufizuese në lidhje me punësimet, shpenzimet, blerjen e pajisjeve dhe shumë detaje të tjera, që mund të jenë të tepërta për lexuesin. Ky ndryshim cilësor, i nxjerr zbuluar tezat e rritjes së cilësisë si rrjedhim i konkurrencës. Konkurrenca midis privatit dhe publikut nuk është e “ndershme”, dhe si e tillë nuk mund të jetë një argument bindës.
Opinion i nënshkruar: Eustrat Zhupa