Qeveria malajziane ka përgatitur certifikatat e vdekjes për 239 personat që ndodheshin në bordin e avionit të zhdukur të Malajzia Airlines në 8 mars. Qeveria malajziane, sipas mediave kineze, mund ta vendosë këtë, dhe pse ligjet e vendit kërkojnë qartë që të ketë dhe një trup të pajetë për lëshimin e një certifikate vdekjeje. Autoritetet malajziane të mbështetura dhe nga gjykata në vend do të anashkalojnë ligjin për të dekretuar vdekjen e pasagjerëve në bordin e avionit. Vendimi ka shkaktuar polemika të familjarëve të viktimave, të cilët frikësohen se kjo lëvizje mund të cojë dhe në ndërprerjen e kërkimeve pavarësisht se deri më sot nuk është gjetur asnjë gjurmë e avionit të zhdukur. Disa prej familjarëve mendojnë se kjo mund të nënkuptojë se avioni është ulur diku tjetër dhe mund të ketë të mbijetuar. Autoritetet malajziane po llogarisin ndërkohë dhe dëmshpërblimet për familjet e viktimave duke mos bërë asnjë diferencim mes shtetasve malajzianë dhe atyre kinezë.
