Tirana zyrtare u ka kërkuar qarqeve diplomatike të saj jashtë vendit tonë, të mbajnë një qëndrim të unifikuar për konfliktin me CEZ. Sipas Top Channel në dokumentin voluminoz, të hartuar nga Ministria e Ekonomisë dhe që përmes Ministrisë së Jashtme u kërkon ambasadave shqiptare ta dorëzojnë pranë autoriteteve përkatëse në vendet ku janë akredituar jepet një material informues kronologjik dhe analizën e performancës së CEZ pas privatizimit, sipas këndvështrimit të palës shqiptare. Që në fillim Ministria e Ekonomisë nënvizon në dokument dështimet e kompanisë CEZ për t’ju përmbajtur kushteve të kontratës. Sipas palës shqiptare, këto dështime përmblidhen në 5 pika kryesore, që nisin me investimet. Qeveria thotë se sipas kontratës CEZ duhet të kishte investuar në rrjetin shqiptar të shpërndarjes deri në fund të vitit 2012, 135 milionë euro, por faktikisht realizoi vetëm 40 milionë ose 29 për qind të tyre. Pika e dytë lidhet me treguesin e humbjeve. Sipas qeverisë shqiptare, në vitin 2012 humbjet në rrjetin e shpërndarjes duhet të ishin 23.3 për qind, ndërkohë që shifra reale ishte 47.2 për qind. Vetëm kjo diferencë në përkeqësimin e humbjeve ka shkaktuar një dëm prej 125 milionë euro thotë dokumenti i Ministrisë së Ekonomisë. I njëjti qëndrim mbahet edhe për arkëtimet, të cilat nga 84 për qind që duhet të ishin u realizuan vetëm 58 për qind nga CEZ. Pretendimi i katërt lidhet me borxhet e kompanisë ndaj kompanive publike. Sipas Qeverisë në momentin e largimit borxhet e CEZ ndaj KESH dhe OST ishin 290 milionë euro pa marrë parasysh interesat dhe gjobat mbi overdraftet. Në fund Ministria orienton ambasadorët edhe për dështimet në menaxhim. Sipas qeverisë, grupi CEZ në Pragë kurrë nuk i ka kushtuar vëmendjen e duhur zgjedhjes së menaxherëve për Shqipërinë, duke emëruar drejtues pa eksperiencë në fushën e energjisë. Madje në tetor të vitit 2012 thotë dokumenti CEZ ja besoi menaxhimin e degës së saj në Shqipëri grupit “Shindler”, i cili nuk kishte asnjë eksperiencë në këtë fushë, një fakt ky që sipas qeverisë tregon se CEZ e kishte fokusuar strategjinë e saj në përgatitjen e largimit nga Shqipëria. Në fund Ministria e Ekonomisë e mbyll dokumentin duke i kërkuar ambasadorëve të informojnë kancelaritë europiane se qeveria shqiptare zotëron të gjitha provat dhe të dhënat që dëshmojnë se dështimi i kompanisë CEZ në Shqipëri u shkaktua nga keqmenaxhimi i brendshëm, mosrealizimi i investimeve, mungesa e mbështetjes nga grupi mëmë në Pragë dhe nga fakti se prej kohësh CEZ e kishte braktisur projektin e saj në Shqipëri për shkak të ndryshimit të strategjisë së grupit në Pragë. CEZ pritet të kërkojë një dëmshpërblim prej 200 milionë eurosh në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit dhe nëse Arbitrazhi i jep të drejtë, qeveria shqiptare do e ketë pisk punën, ndaj ky dokument dërgohet në një moment të tillë.