Në mbledhjen e sotme, qeveria ka miratuar dhënien e ndihmës financiare, prej 5 000 000 lekësh, familjes të të ndjerit, Simon Gjon Gjeta, ish-punonjës policie në Komisariatin e Policisë të Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër, i vrarë në krye të detyrës.
Komandanti i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, Simon Gjeta ishte në ndjekje të autorit të plagosjes së 21vjeçarit në Oblikë të Shkodrës, Ruzhdi Arishta.
Ky i fundit plagosi fqinjin e ri për një sherr për gardhin e banesës dhe më pas u largua drejt kodrës së fshatit ku edhe u fsheh. Policia arriti që, rreth orës 19:35, ta rrethonte të kërkuarin në banesën e tij, në kodrën e fshatit. Efektivët e FNSH-së i bënë thirrje Arishtës që të dorëzohej, por ky nuk përgjigjej. Në këtë moment, komandanti Simon Gjeta vendosi të hynte në shtëpinë e autorit – banesë njëkatëshe me katër dhoma dhe ta befasonte Arishtën.
Komandanti, sapo shpërtheu derën u qëllua me breshëri automatiku kallashnikov nga autori. Pas breshërisë, menjëherë ndërhynë efektivët e tjerë, të cilët bënë të mundur tërheqjen e Gjetës drejt radhëve të tyre dhe më pas e dërguan atë në spital. Gjeta fatkeqësisht humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.

Jeta qe vlen 35000 eur..Kaq, vlejne sherbetoret e shtetit, Kaq jep shteti per nje grua te ve e dy jetime qe humben njeriun me te dashur dhe mbeshtetjen e shtepise…KAQ VLEN NJE HERO!!!