Qeveria, ish-qeveria dhe një histori që mban erë

anazapta

 

Në fillim nisi si gjeagjezë politike. Dilnin disa nga deputetët demokratë dhe pyesnin ministren Kodheli: Po çfarë di ti për trafikun e drogës? Më pas, debati plasi në Kuvend, Berisha përmendi Gjadrin, Divjakën dhe fshatrat e jugut ku uleshin avionë. Kur la Kuvendin, përpara se të hipte në makinë foli njëherë për gazetarët dhe u tha se të dhënat i kishte nga “Ipad”-i i tij. Me demek populli e mbante të informuar nëpërmjet Facebook-ut. Këto akuza u trajtuan me cinizëm nga përfaqësuesit e mazhorancës, kryeministri dhe kreu i kuvendit analogun me ironi avionët e denoncuar me mushkonjat. Pastaj erdhi faza tjetër, kur një dokument i SHISh që fliste për këtë çështje, pa dritën e diellit. Ky dokument u komentua aq shumë, deri kur vetë kreu i SHISH, i vuri kapak komenteve dhe deklaroi se ai ishte thjesht një informacion paraprak i pakonfirmuar. Por ndërsa të gjithë e quajtën një kapitull të mbyllur këtë ‘ëndrrën me avionë’, avioni na mbin në Divjakë.

Të shtunën loja ‘plasi’, ndërsa në dy ditët në vazhdim nisën të dilnin detajet, fillimisht që piloti ishte italian, që avioni kishte ngecur, i kishte dalë goma, por pak më tej, në pyllin e Divjakës ishte kapur dhe një shqiptar, emigrant prej vitesh në Itali, por që kishte vetëm 48 orë që kishte mbërritur në Shqipëri. Kishte braktisur fuoristradën e tij me 460 kg kanabis dhe hetuesve u deklaroi se kanabisin e kishte për ta ngarkuar tek avioni që kishte ngecur në rërë. Por raportohet se ai u ka deklaruar hetuesve edhe se frymëzimin e kishte marrë nga debatet në parlamentin shqiptar, se kishte tentuar njëherë ta sillte avionin në Gjadër por duke qenë se Gjadri është betonuar kishte zhvendosur planin në Divjakë. Më pas kishte blerë drogën në Krujë, me makinë e kishte çuar tek piloti italian të cilin po vetë e kishte kontaktuar dhe kishte bërë pazarin. Pra nga dëshmia e të arrestuarit shqiptar Saimir Bajrami rezulton se ai përveç pilotimit i ka kryer i vetëm të gjitha punët e tjera. Edhe organizatorin edhe korrierin edhe kontraktonin edhe pajtuesin e pilotit.

Në bazë të këtij deklarimi të Bajramit ka dy opsione logjike që shpjegojnë historinë e tij: Ose ai është një narkotrafikant i denjë për rekord “Gines”, duke sjellë një stil komplet të padëgjuar më parë ku një person bën punën e një rrjeti të tërë. Ose ai po gënjen. Nëse është varianti i parë i vërtetë, historia është spektakolare, një aventurë e organizuar nga një i papërgjegjshëm, që çoi çdo gjë në djall etj etj. Por zor…të dhënat flasin për një tjetër histori. Të dhënat përkrahin variantin e dytë, të një aksioni të organizuar, me qëllim dështimin.

Saimir Bajrami i ka deklaruar hetuesve se e kishte organizuar të gjithën vetë sepse  kishte nevojë emergjente për lekë. Por ama, ai deklaron se kishte kapacitete të mira për të blerë kanabisin. Ai e ka blerë në Krujë, me çmim 350 euro kg, që shkon diku një shpenzim prej afro 140 mijë eurosh. Nga ana tjetër 27 mijë euro i kishte në xhep në momentin që e kapën në pyll. Duket pak kontradiktore kjo pjesë, ai edhe justifikohet se kishte probleme me lekët dhe ishte detyruar të bënte trafik, por ama kishte kapacitete të plota për të organizuar skemën i vetëm, sikur të ishte një kapo trafiku. Epo o fukara, ose kapo trafiku, se të dyja bashkë sikur nuk shkojnë, apo jo?

Nga ana tjetër, në një intervistë ekskluzive për DITA-n, një narkotrafikant, i sprovuar në këtë biznes, u shpreh i bindur se roli i Saimir Bajramit ishte ai i një korrieri që e kishin futur në kurth. Si mundej të shkonte pikërisht një emigrant që kishte 2 ditë i ardhur në Shqipëri, të çonte ngarkesën nëpër rrugët labirint të Divjakës? Nuk gjendej dot dikush tjetër?

Shtuar kësaj, dje dolën në media dhe disa foto të bëra kështu si pa qëllim të keq, me disa çanta të fotografuara pranë avionit, por më pas doli dhe një video, ishin dy dashnorë anës detit në Divjakë, që kishin zënë sevda mes tyre nja 40 metra më tutje ku Sajmir Bajrami do çonte kanabisin dhe italiani do zbriste avionin. Garda mediatike pranë Berishës, nisi menjëherë interpretimet e fotove me çantat e zeza tek avioni si një provë se avioni kishte shkarkuar drogë por që ishte tërhequr fshehurazi.

Më pas gjërat u qartësuan dhe u pa se ishin policë ata që mbanin çantat dhe se çantat janë dorëzuar në prokurori dhe rezultonin me sende personale të pilotit italian. Nga ana tjetër një element shumë i dyshimtë është dhe vendi i uljes, përveç bujës së Divjakës javët e fundit, rëra dhe ai vend aty është një kurth i sigurt për çdo avion.

Nëse shikon vendin në Divjakë dhe gomat e një automjeti shkaktojnë thellësi në rërë rreth 10-20 cm dhe lënë gjurmë dhe një automjet e ka të vështirë të ecë. Avioni është i destinuar të ‘ngulet’ pa kushte dhe të ngecë  në një terren me rërë të atillë si në bregdetin e Divjakës. Hetimi mund të zbardhë detaje, deri më tani italiani ka mohuar gjithçka, ndërsa Bajrami ka marrë çdo gjë përsipër vetë. Historia mban shumë “erë” dhe e bukura është se zanatçinjtë e trafikut qeshin me të madhe kur shohin se si mbi një fabul që mban kaq erë, ish-qeveria, po ndërmerr aksione. Por ish-qeveria kontrollon sot Shërbimin Informativ, e një sërë institucionesh të tjera. Ka kapacitetin e plotë për të stisur operacione të tilla, me dështim të parashikuar të aksionit për trafikim, me qëllim arritjen e një përfitimi nga buja e skandalit më pas.

Problemi real është: Po qeveria me çfarë punon? E mbi të gjitha, si do punojë tani që  mushkonja ju bë avion? Si do punojë tani që kasta e pandëshkuar e PD-së është kthyer në moral-kërkuese dhe protestuese e indinjuar? Përgjigjet si rregull duhet t’i dinë të zotët e punës, të qeverisë, por e sigurt është që zgjidhja e këtij problemi nuk bëhet me foto ‘selfie’ në Facebook. Kaosi është një sfidë serioze që i është bërë qeverisë, është sfida që të bën grupimi i implikuar përballë, nëpërmjet strukturës së vet paramilitare.

 

Share This Article
6 Comments
  • NESE ESHTE NE DOREN TUAJ AVENIRI I KETIJ populli ,QINDIN TI PUNONI TA SHKATERRONI JO VETEM EKONOMIKISHT POR EDHE NGA fiqiri.
    Si thoni keto dite te presim STATUSIN apo te rrezojme qeverine ….edhe une jam i mendimit me mire RREMUJE…..se elbete jemi vendi ne kerthize te Evropes me njeres DREJTUES RREMPALLE!!!!!.!!!!!
    Lum si ti o POPULL…..!

  • SHTETIN NUK E DREJTON EDI RAMA POR SALI BERISHA

    Kjo eshte e verteta e hidhur per miletin qe rezoi Saliun de jure me vote, por jo de facto dhe kjo sepse Edi Rama nuk e ndeshkoi Saliun dhe banden e tij kriminale pasi sovrani ja dha me bujari kete mundesi dhe e zgerlaqi RILINDJEN e tij si nje mashtrim socialist per paaftesi ne drejtim dhe per pamundesi te rimekembe prodhimin kombetar. Njer nga arsyet e kesaj situate tej skandaloze kur kusari dhe vrastari Sali Berisha therret:

    KAPENI KUSARIN DHE VRASTARIN

    eshte aleanca e Edvinit me ryshfetciun Ilir Meta qe njeh vetem ligjin e Makiavelit, nuk ka asnje moral qytetar dhe nuk i plas per asgje tjeter vecse per te fituar LEKA per familjen e vet biologjike dhe LSI-ine e tij mafioze. Saliu e njeh mire strukturat mafioze te LSI-se dhe nuk ka asgje per t’u cuditur qe e verteta e droges me aviona te jete veper e Ilir Metes dhe e bandes se tij lakmitare.

  • Dobiçi ne ferrë apo dobiçi ne derë?!
    Nqs dikush po mundohet ti lere dobiçin ne dere qeverise, atehere ajo duhet te zgjidhe situaten,burgu eshte e vetmja zgjidhje per organizatoret,dhe une nuk mendoj se ka ndonje budalla qe beson se po behej trafik ne divjake apo qofte edhe diku tjeter ”TE PAKTEN NE KETE MENYRE JO”! trafik sigurisht ka por jo kaq amatoresk.Ky eshte thjesht nje organizim meskin nga ana e pales se interesuar per te rrezuar qeverine ose edhe per te vonuar statusin per ne Europe.Ka dhe nje alternative tjeter: qe vete qeveria ta kete organizuar,per te thene qe: ja dhe trafikun po e luftojme ( KY pak me i pabesueshem) sepse s’besoj se dikush kerkon qe duke e hedhur dobiçin ne ferre ti mbetet ne deren e tij pastaj.

    https://www.youtube.com/watch?v=jRE-5JpmrNs&fb_action_ids=840505925963375&fb_action_types=yt-fb-app%3Aupload_ne

  • Nuk eshte as e re dhe as e papritur pamja qe kam parasysh- Ngjitur pilotit qe nxjerr cantat nga rrangalla fluturuese,montoni dhe foton e priftit duke nxjerre arme nga altari.

  • Trafikanti Bajram nuk e nxjerr emrin e Kapos te ketij skenari te turpshem i i porositur nga serbet tek agjenti i tyre, ku qellimi i vetem eshte te diskretitoje Shqiperine ne prag te pranimit si vend Kandidat ne BE ne Muajin Qershor. Ne cdo rrethane edhe ne burg do te gjendet i vdekur, njesoj si hajduti Olldashi, qe u “rrezua” nga 2 metra lartesi me benz superlluksoz dhe vetem ne airbaket e tij te te zinte gjumi per shtate pale qejfe e jo te vdisje.

  • Populli nuk shqetesohet per “filmin droga e Divjakes” qe iu paraqit nga politkanet e PD me Sali Berishen dhe Lulzim Bashen ne krye.Populli shqetesohet per fatin qe do t’i caktoje drejtesia shqiptare duke filluar nga policia,prokuroria e pergjithshme dhe gjykata e krimeve te renda.Se mund te ndodhe e pamundura,te falen aktoret qe e luajten dhe “faji t’i mbetet qeverise Rama”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *