Ekzekutivi shqiptar ka marrë një tjetër vendim në kurriz të shqiptarëve. Tani madje as nuk e kaluar formalisht në Kuvend për votim, por e ka botuar direkt në fletoren zyrtare. Bëhet fjalë për dhënien me koncension të markimit të karburantave të një kompanie austriake. Kontrata që i jep monopolin e këtij shërbimi një kompanie private nga Austria, ka hyrë në fuqi thjesht me vendim të qeverisë, edhe pse më parë ishte deklaruar se do të kalonte në Kuvend për diskutim dhe miratim. Në vendimin e botuar në fletoren zyrtare thuhet se “Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e kontratës së koncesionit për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Global Fluids International” S.A. dhe “Petroleum Consulting Partners” A.G”, duke u qartësuar në pikën 3 të kësaj kontrate se ajo hyn në fuqi menjehërë pas botimit të këtij vendimi në fletoren zyrtare. Vlera e këtij koncensioni monopoli është 150 milionë euro për 10 vitet e ardhshme.
Skandali i qeverisë në dhënien me koncension nuk është thjesht shmangia e procedurave parlamentare dhe votimi nga ligjvënësit, por dhe kostoja e rritjes së mëtjeshme të cmimit të karburantit në vend. Ky vendim pritet të rrisë sërish çmimin e karburanteve për qytetarët për shkak të tarifës që do të marrë monopolisti rreth 6.5 euro për ton ose 10 lekë për litër. Nga ana tjetër kemi një cmim të karburanteve më të shtrenjtin dhe ndryshimet në bursë të fuqive të naftës nuk reflektohen asnjëherë në pikat e karburanteve me pakicë, vec në rastet kur ka trend rritës. Por ndërkohë në të gjitha vendet e botës çmimi i naftës ka nisur të pakësohet në përputhje me rënien e fortë të saj në tregjet ndërkombëtare. Në Itali nafta është ulur 30 përqind, në Francë po ashtu, në Gjermani 32 përqind. Edhe në Maqedoni dhe Mal të Zi nafta është ulur me rreth 30 përqind. Vetëm tek ne tregu nuk e reflekton një gjë të tillë. Në një vëzhgim i pak ditëve më parë me një përllogaritje të thjeshtë, rezultantja se sa grosistët e naftës abuzojnë me shqiptarët është në shifra të larta. Nëse abuzimi llogaritet katërqind lekë të vjetra për litër në ditë-23 përqind mosulje e çmimit nga vjedhja- dhe marrim një mesatare prej pesë litrash në ditë që konsumon dhe blen mesatarisht çdo shqiptar (ose 2 milionë litra në nivel vendi), atëhere vjedhja është teteqind milionë lekë të vjetra në ditë. Ose rreth 640 mijë euro në ditë. Që bëjnë 19 milionë euro në muaj. Këtij skandali abuziviteti, tashmë i shtohet dhe koncensioni i markimit të naftës nga qeveria, duke e kaluar “klandestin” në fletoren zyrtare, e duke u shtuar dhe një kosto të re shqiptarëve, që po ju shkon cdo ditë e më tepër thika në palcë.
Çmimet e fuçive të naftës në botë
Kontratat e naftës shënuan rënie të lehtë në tregtinë aziatike. Nafta Brent e Londrës po qëndron pranë nivelit të 103 dollarë për fuçi, pasi të dhënat në SHBA sugjeruan për një ngadalësim të ekonomisë më të madhe në botë. Gjithashtu edhe forcimi i dollarit ka presuar çmimin e naftës. Nafta Brent e Londrës ra me 14 cent në 103.6 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane ra me 6 cent në rreth 95 dollarë për fuçi. Ekonomia amerikane tregoi shenja ngadalësimi për tremujorin e dytë të këtij viti, me aktivitetin në fabrika dhe ndërtimin e shtëpive të reja që rregjistruan rënie.
