“Kurum International”, sh.a., do të jetë shoqëria që do të bejë të veten aksionet shoqërisë “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”. Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e raportit përfundimtar të vlerësimit të ofertave dhe të kandidatit fitues për privatizimin e shoqërisë “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a, përkatësisht miratimin e ofertës së shoqërisë “Kurum International”, sh.a., si fituese për blerjen e 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a., me vlerë 52 000 000 (pesëdhjetë e dy milionë) euro.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.8306, datë 14.3.1998, “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5 e 8, të ligjit nr.10430, datë 9.6.2011, “Për krijimin e shoqërive “HEC, Ulëz – Shkopet”, sh.a., “HEC, Tiranë, Lanabregas”, sh.a. dhe “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a., dhe përcaktimin e formës e të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërive “HEC, Ulëz – Shkopet”, sh.a., dhe “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a.”, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e raportit përfundimtar të vlerësimit të ofertave, paraqitur nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, për privatizimin e shoqërisë “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a., që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Miratimin e ofertës së shoqërisë “Kurum International”, sh.a., si fituese për blerjen e 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a., me vlerë 52 000 000 (pesëdhjetë e dy milionë) euro.
3. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të negociojë dhe të nënshkruajë kontratën me kandidatin fitues, shoqërinë “Kurum International”, sh.a..
4. Ngarkohet Ministria e Financave, që, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të bëjë identifikimin e vlerës së TVSH-së së rimbursueshme për shoqërinë “Kurum International”, sh.a., përpara firmosjes së kontratës.
5. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës me 21 dhjetor pati zhvilluar tenderin për privatizimin e shoqërive HEC Bistrica 1, Bistrica 2 sh.a dhe shoqërinë Ulëz Shkopet sh.a. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, në praninë e mediave hapi zarfat me dokumentat teknike dhe financiare për shitjen e katër hidrocentraleve.
Ofertat për tenderin për shoqërinë HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2 sh.a janë si më poshtë:
1- Georgian American Alloys, Inc 30.355.000 euro
2- Energolinija LLC 44.847.496 euro
3- Consortium:- TRE SPA- Italy Novapower- Camuna Idroelecttricha 27.500.000 euro
4- Çalik Enerji 19.300.000 euro
5- Kurum International Sh.A 52.000.000 euro
6- ERPA Investment 35.100.000 euro
7- Agna Consortium 37.100.000 euro
Ofertat për tenderin për shoqërinë HEC Ulëz Shkopet sh.a janë si më poshtë:
1- Georgian American Alloys, Inc 26.500.000 euro
2- Energolinija LLC 31.888.084 euro
3- Çalik Enerji 15.800.000 euro
4- Kurum International sh.a 57.500.000 euro
Këshilli i Minsitrave ka miratuar gjithashtu kuotat e pranimit dhe të tarifave të shkollimit në programet e studimeve të ciklit të tretë, të doktoraturës në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2012 – 2013.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 26, 34 e 75, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kuotave të pranimit në programet e studimeve të ciklit të tretë, doktoratë, në institucionet publike të arsimit të lartë, për vitin akademik 2012 – 2013, gjithsej 1305, të ndara si më poshtë vijon:
a) për kandidatët brenda territorit të vendit 1141;
b) për kandidatët nga trojet jashtë kufijve të vendit 154;
c) për shtetasit e huaj 10.
2. Kuotat e pranimit për kandidatët brenda territorit të vendit, të përcaktuara në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, të ndara sipas programeve të studimit, pasqyrohen në kolonën D, të tabelës nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Kuotat e pranimit për kandidatët nga trojet jashtë kufijve të vendit, të përcaktuara në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij vendimi, të ndara sipas programeve të studimit, pasqyrohen në kolonën E, të tabelës nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.
4. Kuotat e pranimeve për shtetasit e huaj, të përcaktuara në shkronjën “c”, të pikës 1, të këtij vendimi, që do të studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë, administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ato shpërndahen në bazë të marrëveshjeve dy apo shumëpalëshe, si dhe në bazë të kërkesave individuale, të paraqitura në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës nga persona të interesuar.
5. Tarifa e shkollimit për programet e studimeve të ciklit të tretë, të doktoratës, të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, është 216 320 (dyqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e treqind e njëzet) lekë. Tarifa e shkollimit paguhet në këste, të përcaktuara nga institucioni publik i arsimit të lartë.
6. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i secilit institucion publik të arsimit të lartë, pa efekte buxhetore shtesë.
7. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi”.
hec aty erdogani pas telekomit i rrujti dhe hidrocentralet